Dogana e Kosovës njofton opinionin publik se sot, në rajonin e Prizrenit, Njësitë Antikontrabandë kanë realizuar dy raste të ndara operative, ku është zbuluar një sasi e konsiderueshme e etanolit (alkool i koncentruar 96%), me origjinë nga Serbia, që dyshohet se ishte futur në qarkullim ilegal me qëllim shmangien nga taksat e aplikueshme doganore.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit në terren, njësitet antikontrabandë kanë ndaluar një automjet transportues, ku gjatë kontrollit janë gjetur 500 litra etanol (alkool 96%) pa dokumentacion përkatës përcjellës. Personat e përfshirë nuk kanë poseduar dokumentacion që dëshmon origjinën e rregullt të mallit, importin legal apo pagesën e taksave doganore.
“Pas ndalimit të automjetit, janë ndërmarrë veprime të menjëhershme operativ-hetimore dhe kontrolle shtesë në lokacione të dyshuara. Si rezultat i këtyre veprimeve profesionale dhe koordinimit operacional, është arritur të zbulohet edhe një sasi tjetër prej 500 litrave etanol (alkool 96%), e fshehur në garazhin e një shtëpie në të njëjtin rajon”, thuhet në njoftim të doganës.
Sasia e përgjithshme e zbuluar arrin në 1000 litra etanol (alkool i koncentruar 96%), për të cilën dyshohet se ka origjinë nga Serbia dhe për të cilën nuk është paraqitur asnjë dokumentacion që dëshmon origjinën, importin e rregullt apo pagesën e detyrimeve fiskale. E gjithë sasia është sekuestruar nga Dogana e Kosovës.
“Bazuar në llogaritjet fiskale, kjo sasi përfaqëson shmangie nga pagesa e akcizës, taksave doganore dhe TVSH-së në vlerë rreth 6,260 euro, duke shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë në buxhetin e Republikës së Kosovës dhe konkurrencë të padrejtë në treg. Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt hetimore në koordinim me institucionet kompetente dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore ndaj personave të përfshirë, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thekson Dogana.
Dogana e Kosovës ka bërë me dije se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e tregut të ligjshëm, parandalimin e mallrave me origjinë të paautorizuar dhe shmangien e obligimeve fiskale. Operacionet antikontrabandë do të vazhdojnë me intensitet të shtuar në të gjithë territorin e vendit./PrizrenPress.com/
Marketing
Shiten banesa moderne në lagjen “Tranzit i Ri” të Prizrenit – mundësi pagese me këste
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
