Në ambientet e Spitalit Rajonal në Prizren, të martën, menaxhmenti i spitalit ka organizuar një takim përmbyllës për vitin 2014. Në prani të punëtorëve të spitalit dhe mysafirëve të ftuar, në mesin e të cilëve edhe kryetari i Gjykatës, Ymer Hoxha, kryeprokurori rajonal, Metush Binaj, komandanti i Policisë Rajonale, Nexhmi Krasniqi, drejtori i Qendrës së Paraburgimit, Ilir Gutaj, kryetari i OVL të UÇK-së, Selim Krasniqi, përfaqësues të KFOR-it turk, përfaqësuesi i Hidregjionit, Liman Gashi, drejtori i KEK-ut në Prizren, Vebi Sofiu, drejtori i Pylltarisë, Ali Buxhala, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medieve, drejtori i spitalit, Dr. Afrim Avdaj, bërë një prezantim të shkurtër të punës gjatë vitit 2014.
Drejtori ekzekutiv i Spitalit Rajonal, Dr. Afrim Avdaj, vitin 2014 ka vlerësuar si një nga vitet më të suksesshme, ndërsa atributet për këtë sukses i ka adresuar në stafin menaxherial, gjithë të punësuarit dhe bashkëpunimit me të gjitha institucionet komunale, qendrore dhe rajonale.
“Po përmbyllim një vit të suksesshëm, vit të ndryshimit substancial të punës në Spitalin Rajonal në Prizren. Për këto ndryshime pacientët janë dëshmitarë se kanë marrë shërbime cilësore, është ngrit niveli i shërbimit, është ngrit shkalla e higjienës, respektimi i plotë i orarit të punës, si në kohë të rregullt ashtu edhe gjatë kujdestarisë, ka vazhduar bashkëpunimi me KFOR-in turk, KFOR-n gjerman, institucionet qendrore dhe komunale, janë ndërtuar ura komunikimi me Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, si dhe me spitale tjera në rajon dhe më gjerë, siç është spitali i Mesinës, Spitali i Stambollit, Universiteti i Yallovës dhe qendra tjera”, tha drejtori i Spitalit Rajonal të Prizrenit, Dr. Afrim Avdaj.
“Këtë vit kemi të hospitalizuar 25 mijë pacientë, kemi realizuar 210 mijë vizita specialistike, kemi mbi 4 mijë lindje, kemi kryer më tepër se 500 mijë shërbime( dializë, ultrazëra, shërbime radiologjike, gastroskopi, shërbime llaboratorike etj.) dhe mbi 5 mijë 600 operacione, ku vetëm në repartin e kirurgjisë kemi realizuar mbi 200 operacione më tepër, që dëshmon se kemi rritur besueshmërinë e pacientëve ndaj spitalit tonë. Gjithashtu kemi bërë investime në rregullimin e hapësirave brenda dhe jashtë spitalit, si dhe investime në edukimin e vazhdueshëm profesional të stafit, si atij të lartë po ashtu edhe atij të mesëm”, tha ai.
“Andaj, si drejtor i Spitalit Rajonal, shfrytëzoj rastin që për të gjitha sukseset dhe të arriturat në këtë periudhë meritat dhe falënderimet t’ia dedikoj stafit tim të ngushtë, Bordit Ekzekutiv, Bordit Profesional, kryeshefave të departamenteve dhe shefave të reparteve, kryeinfermierëve të departamenteve dhe shefave dhe kryeteknikëve/motrave kryesore të reparteve, të gjithë punësuarve në spitalin Rajonal Rajonal dhe gjithë atyre që në forma të ndryshme kanë kontribuar në sukseset e arritura gjatë këtij viti”, tha Avdaj.
Për kontributin dhe bashkëpunimin me Spitalin Spitalin Rajonal të Prizrenit, drejtori ka falënderuar policinë rajonale, organet e drejtësisë, shërbimet publike, donatorët, shoqërinë civile, mediet dhe gjithë qytetarët e rajonit të Prizrenit dhe më gjerë.
Ndërsa në urimin për vitin 2015, drejtori Avdaj premton: “Të gjithë qytetarëve të rajonit të Prizrenit, por edhe më gjerë, ju premtoj se me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë, SHSKUK-së, institucionet komunale dhe organizmave tjerë do të ngrisim shkallën e përgjegjësisë së punëtorëve shëndetësorë dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore sa më cilësore. Do angazhohemi maksimalisht të pajisemi me aparaturë të nevojshme për diagnostifikim sa më cilësor, në veçanti një rezonancë magnetike dhe aparat të CT-së, që Spitali Rajonal i Prizrenit ta jetë spital konkurrent jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin”./PrizrenPress.com/