Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, përmes një shkrese zyrtare drejtuar Kryetarit të Komunës së Malishevës dhe Kryesuesit të Kuvendit Komunal, dërguar me 25 nëntor 2014 ka kërkuar nga Kuvendi Komunal i Malishevës, që t’i bëjnë disa ndryshime në statutin e Komunës së Malishevës, i cili është miratuar në Kuvendin Komunal në tetor të vitit të kaluar.
Në mesin e kërkesave për ndryshim është fshirja e tërësishme e nenit 2, i cili përmbanë historikun e përpjekjes së popullit shqiptar për liri, ku përfshihet edhe lufta e UÇK-së dhe ndihma e NATO-s.
Në këtë nen konkretisht thuhët “Përpjekja dhe qëndresa e pandërprerë e popullit shqiptarë për liri dhe pavarësi, e lindi së fundi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila me luftën e saj, heroike dhe me ndihmën vendimtare të NATO-s, i dha fund robërisë nga ish Jugosllavia, gjegjësisht Serbia dhe në mbikqyrjen e Administratës së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u mbajtën zgjidhjet lokale të para, dhe të tjerat në vijim, në mënyrë demokratike, ku si rezultat i tyre doli edhe ky Kuvend i Komunës i cili po miraton këtë Statut”
Gjithashtu sot grupi i punës për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Kuvendit Komunal, i përbërë nga përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike ka mbajtur mbledhje në të cilin ka shqyrtuar kërkesat e Ministrisë. Kjo gjë është bërë e ditur nga njëri prej anëtarëve të grupit punues Muhamet Bytyçi, i cili përmes facebook-ut ka thënë se i gjithë grupi punues ka pasur konsensus të plotë për ta kundërshtuar kërkesën e MAPL-së për fshirjen e këtij neni nga Statuti.
“Sot në mbledhjen e grupit të punës për ndryshimin e Statutit erdhi një kërkesë e quditshme nga MAPL përmes së cilës kërkohet që të hiqet nga statuti i komunës neni 2 në të cilin tregohet qëndresa e popullit shqiptar përfshirë edhe luftën e UÇK-së për liri dhe çlirim. Si anëtarë i Kuvendit Komunal nga Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të lejoj kurr të mohohet lufta e UÇK –së dhe përpjekjet e Shqiptarve për liri. Me erdhi mirë që kishte një konsensus të të gjithë antarëve të Kuvendit Komunal të Malishevës për këtë çështje” ka thënë Bytyçi në facebook.
Ndërsa nuk dihet ende se si ka vendosur grupi punues për kërkesat tjera të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
MalishevaPress ka arritur të sigurojë shkresën e MAPL-së, të cilën e keni më poshtë. /MalishevaPress.com/