Shkruan: Hajdar Mallaku
Iniciativa për rrethimin e varrezave të fshatit Shëngjergj të Hasit (atyre të besimit mysliman) ka qenë më e hershme, por asnjëherë e organizuar mirë dhe me një projekt ideor. Edhe kësaj radhe më duket i tillë për arsye se nuk ka shkuar me pëlqimin e të gjitha familjeve( të atyre që jetojnë në Shëngjergj dhe të atyre që janë shpërngulur, por që varrezat e të parëve të tyre i kanë atje), me një projekt ideor ku do të dihej sa familje janë, sa është kontributi i tyre, sa metra është perimetri i varrezave, sa kushton një meter e rrethojes me beton në gjatësi dhe në lartësi, cili është çmimi në gjitjsej.
E pastaj të shterren mundësitë: sa është kontributi i kamunitetit, sa është ndihma nga Kuvendi Komunal, sa është ndihma nga njerëz të vullnetit të mirë, nga Bashkësitë fetare. E jo kështu si është bërë nga një grup i vetëautorizur, që sa kanë të drejtë ata kemi dhe ne, që në një kontratë që s’e di askush që çka përmban kanë bërë pajtimin që kontraktuesi që do t’i kryejë punimet t’i presë lisat (nuk e dinë sa lisa janë dhe sa metra dru përafërsisht i kanë) në shenjë kompenzimi për punët që do t’i kryejë. Thurja sipas asaj që deklaroi njëri nga inisiatorët do të ishte me shtylla betoni dhe tela me xhemba si bëhet thuarja e arave të rendomta. Kësisoji duket se më mirë është të mbesin si janë (e mirë nuk janë) se sa kështu.
Kjo për arsye se drunjtë katër- pesëqind vjeçarë janë simbol i vjetërsisë së këtij vendbanimi dhe prerja e tyre do të ishte një masakër ekologjike që s’do të ripëtërihej 500 vjet ose kurrë. Një oazë ekologjike e tillë nuk gjendet askund në Kosovë. Ata lisa disi kanë qenë amshueshëm të tabuizuar. Mund të priten vetëm drunj të vegjël dhe shkurre, të pastrohen degë të thara dhe asgjë tjetër. Kur hyn në ato varreza, njeriu merr frymë si po të ishte në maje të Pashtrikut – thellë e thellë. Ndien një çlodhje shpirtërore.
Duke i prerë drunjtë do të shkatrrohen edhe varrezat e reja nga mermeri, edhe ato të vjetrat. Aty ka varreza të shenjta që populli u ka besuar, ka varreza prijsish, ka varreza baladash ku janë të varrosura qifte bashkëshortësh, ka varreza të mortajës. Ka gurëvarresh një bojë njeriu që pakkund i gjen. Ka varreza fëmijësh të veçuara nga të tjerat. Dhe gjithë kjo begati e një trashëgimie mortore, e ruajtur nga shumë braza,(anipse sot drunjtë nuk përdoren për dërrasa varresh) të shkatrrohet ashtu pamëshirshëm, do të ishte tmerr. Edhe ata që do të japin leje për prerjen e tyre, do të bëheshin kumbarë të të keqes.
Prandaj, unë ju them, nuk jam kundër inisiativës për thuarjen e varrezave, por të shfrytëzohen mundësi të tjera. Mos të harrojmë se shkatrrimi i trashëgimisë di të na mallkojë rend.
Përmes këtij shkrimi unë propozoj që të mos jepet leja për prerjen e lisave nga Drejtorati përkatës as nga Drejtoria e pylltarisë, por të shikohen mundësi të tjera për thurjen e varrezave.