20.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Bud Spencer ndryshe

U nda nga jeta në moshën 86-vjeçare në Romë, aktori Carlo Pedersoli ose i njohur më shumë si Bud Spencer. Këtë e ka bërë të ditur i biri i tij, Giuseppe Pedersoli, të hënën mbrëma: “Babai ndërroi jetë qetësisht në orën 18.15. Nuk vuajti, na kishte të gjithëve pranë dhe fjala e tij e fundit qe ‘Faleminderit’”.

Për shqiptarët, ai njihet gjerësisht edhe si “Polic këmbëmadhi”.

Me rolet e tij, ai u kthye një personazh i dashur dhe heroik në të gjithë botën. Bud Spencer ka lindur më 31 tetor 1929 në Napoli. Ai u kthye në një aktor italian të njohur dhe komedian, i cili ka luajtur për një kohë të gjatë filma komiko-aksion me aktorin e njohur italo-amerikan partnerin e tij, Terence Hill. Karriera e tij fillon në vitin 1951, por ajo më së shumti merr vrull gjatë viteve ’70 kur së bashku me aktorin tjetër komik, Mario Girott, por i njohur si Terence Hill, luajtën 20 filma të cilët ishin të pëlqyeshëm për publikun.

Përveç aktrimit, Bud Spencer ka qenë edhe një ish-notar profesionist, gjithashtu edhe prodhues filmash.

Gjithashtu, ai është diplomuar për Juridik dhe po ashtu kishte qenë edhe pilot helikopteri dhe ai kishte hapur një fond për bursa për studentçt e rinj.

Më poshtë do të njiheni me disa kuriozitete rreth jetës dhe veprave që ai la pas, për të mbetur i paharruar.

1 Aktori napolitan që i urrente udhëtimet

Shumë pak e dinë që gjigandi i kinemasë italiane quhej Carlo Pedersoli. Në vitin 1940, ai la vendlindjen e tij Napolin për Romën, ku filloi shkollën e mesme. Ishte vetëm i pari transferim mes shumë të tjerash që e bënë të shihte gjysmën e botës veçanërisht për punë. Por i urrente pushimet. Muaji i tij i mjaltit zgjati vetëm 3 ditë.

2 Olimpiadat

Në të vërtetë Spencer ishte sportist dhe kinemasë iu fut rastësisht. Në vitin 1950 ishte i pari italian që bëri me not 100 metra në më pak se 1 minutë. 20 herë kampion kombëtar noti. Por edhe pse e la karrierën e notit për 3 vite, mori pjesë në dy Olimpiada (Helsinki 1952 e Melbourne 1956). Në vitin 1960 la përfundimisht notin, por praktikoi edhe boksin dhe rugby-n.

3 Pishina dhe fama në Gjermani

Edhe në Gjermani ku ishte shumë popullor, qyteti me emrin Schvabisch Gmund me 61 mijë banorë dhe 50 km nga Shtutgarti, e quajtën pishinën e madhe komunale të saj “Bud Spencer”. Pasi ishte pikërisht ajo pishinë ku Spencer theu rekordin në 100 metra stil i lirë gjatë një ndeshjeje mes Gjermanisë dhe Italisë.

4 Kandidatura për “Forza Italia”

Ndodhi në shkurt të vitit 2005: i shoqëruar nga koordinatori i Lacios, Antonio Tajani, Bud Spencer prezantoi kandidaturën e tij në nivel rajonal me Forza Italia. Pak dihej për shijet e tij politike. Njëherë kishte thënë “Pajtohem me çdo gjë që ka bërë Berluskoni. E njoh që përpara se të futej në politikë”. Por megjithëse mori mbi 4 mijë vota, nuk arriti të fitonte.

5 Amerika e Jugut

Në vitin 1947 shkoi në Amerikën e Jugut, ku punoi si kimist në Brazil. Ai shërbeu si punonjës i një kompanie amerikane të angazhuar për ndërtimin e një rruge të gjatë që lidhte Panamanë me Buenos Aires.

6 Helikopteri dhe rimorkiatori

Një nga pasionet e tij më pak të njohura ishte fluturimi. Në vitin 1975 ai mori licencën e pilotit të helikopterit për Itali, Zvicër dhe SHBA. Por ishte i pasionuar edhe pas motorëve, dhe në fakt bleu një rimorkiator.

7 Muzika

Edhe pse babai i bashkëshortes së tij, Maria Amato, ishte një pronar i njohur i kinemave, Carlo nuk ishte i interesuar për ekranin e madh kur u kthye në Itali në vitet ‘60. Por ishte i interesuar për muzikë, firmosi një kontratë me kompaninë muzikore RCA, dhe shkruante tekste për këngëtarët italianë.

8 Bud si birra

Kur filluan serialet e filmave uestern, atij dhe mikut të tij, Mario Girotti, i këshilluan të ndryshojnë emër, sepse emrat i kishin shumë italianë. Por ndërsa Girotti zgjodhi emrin e tij pas dhjetëra emrash të sugjeruara, Carlo zgjodhi emrin e tij Bud Spencer, si emri i birrës Budveiser.

9 Të dhënat e universitetit

Në Universitetin e Romës ai studioi për Kimi. Ishte një nga më të rinjtë e shkollës, vetëm 17 vjeç. Nuk ishte në gjendje të diplomohej për shkak se u transferua në Amerikën e Jugut, por diplomën e mori më vonë në vitin 1955 për Drejtësi.

10 Mjekra e “përgjithmonshme”

Vetëm një herë në jetën e tij e ka shkurtuar mjekrën, dhe më pas e ka lënë atë të rritet gjithnjë.

Më Shumë

Moti sot me diell, temperatura deri në 25 gradë celsius

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot do të ketë mot kryesisht me diell. Sipas njoftimit të këtij instituti, temperaturat do të...

Aksident trafiku midis një autobusi dhe një veture në Prizren: Tre persona të lënduar

Në Prizren, më 29 prill 2024 në ora 07:50,  ka ndodhur një aksident trafiku midis një autobusi dhe një veture. Përveç dëmeve materiale, tre persona...

Lajmet e Fundit