Deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, në një prononcim për gazetën Kosova Sot, thotë se nuk do të ketë ndonjë ndryshim të nevojshëm dhe të pritshëm për qytetarët në fushën e drejtësisë.
Megjithatë, sipas tij, Kryeprokurori i Shtetit i ka bërë disa akrobacione, por Berisha ngrit dilemën se sa do të vazhdohet me ato në mënyrën, siç tha, që të rritet intensiteti edhe në kontekst të njerëzve, të cilët kanë pasur përgjegjësi edhe më të mëdha institucionale, si ministra, kryeministra, pastaj kryetar të shtetit e kështu me radhë, të cilët kanë bërë shkelje ligjore dhe kjo, sipas tij, pritet të shihet përndryshe, siç tha ai, “në prokuroritë e nivelit të dytë, siç janë ato komunale dhe regjionale, d.m.th. nuk ka ndonjë simptomë se mund të ketë ndonjë ndryshim, kjo së paku në bazë të asaj që është publike nuk priten ndryshime në këtë drejtim”.
Tutje, Berisha, duke folur për disa nga prokurorët dhe gjyqtarët e ish- sistemit të kaluar, ka nënvizuar se nëse ata kanë hyrë si rezultat i bashkëpunimit të UNMIK-ut dhe të Serbisë që kanë qenë bashkë, duke i rehabilituar disa nga ishkomunistët dhe bashkëpunëtorët e regjimit të Milosheviqit dhe i kanë bërë prokurorë e gjykatës, Berisha kësisoj mendon se koha e tyre ka përfunduar, ngase, siç tha, se “tani kemi gjenerata të reja, por që këta banditë, të cilët e kanë uzurpuar drejtësinë, nuk u lëshojnë rend kuadrove të reja, gjë që kjo është edhe domosdoshmëri dhe jo rastësisht ne në Kosovë nuk kemi as rezolutë për ta ndarë të ardhmen nga e kaluara komuniste, që është një nga kriteret edhe për integrime në BE”.
Sipas Berishës, ne si shtet nuk kemi ligj për lustracionin dhe kjo nuk është krejt rastësisht, pasi po ta kemi një ligj të tillë, faktikisht disa nga njerëzit që sot drejtojnë organet e drejtësisë jo që nuk duhet të jenë në ato pozita, por të njëjtët duhet të jenë në burg, për dëmet të cilat ia kanë shkaktuar këtij vendi dhe këtij populli.
“Ja që kemi një politikë të poshtër në krye me Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin dhe rrjedhimisht nuk pritet që të bëhen ndryshime pozitive në këtë sferë”, ka potencuar deputeti Zafir Berisha për gazetën Kosova Sot.