19.7 C
Prizren
E shtunë, 21 Qershor, 2025

Bob Dylan – këngëtari që nuk flet, por që ua mori shkrimtarëve Nobelin

Në një qytet të vogël në mes të Europës, Bob Dylan mban koncertin e radhës. Kushedi për të satën herë ballafaqohet me publikun. Ndonjëherë mendoj se ai tashmë është shndëruar në një robot dhe nuk ka fare ndjenja përballë njerëzve, por pasi fillon të luajë, e kuptoj se perceptimi ka qenë i gabuar. Në skenë ai është i heshtur dhe krenar. Nuk bën asnjë hap të pamenduar.

Dikur në moshë të re, përgjatë koncerteve ai e mbante publikun vazhdimisht në humor. Pas shumë vitesh, tashmë në një moshë të shtyer, ai nuk flet fare në skenë. Dhe kur them nuk flet, nuk e thotë as edhe një fjalë. Asnjë. Ka fituar nofkën “këngëtari qe nuk flet”. Ai hyn e del pa thënë asnjë fjalë. Fjalët e tij të vetme janë këngët.

Në anën tjetër publiku për shkak të respektit të “tepruar”, nuk ja zë për të madhe mungesën fjalëve. Aty-këtu edhe mund të dëgjosh ndonjë ankesë por shpejt ato humbasin nën tingujt elektrizues të kitarës. Në skenën ku interpreton të zë syri disa statuja të vogla që nuk dallohen të kujt janë. Duket se po nderon ndonjë hyjni greke ose thjeshtë po gjen mbështetje në figurat që e kanë frymëzuar në jetë. Këtë askush nuk mund ta di. Gjithçka mbetet në nivelin e supozimit dhe imagjinatës.

Koha tretet dhe koncertit i vie fundi. Me fundin e koncertit shtohen edhe pakënaqësitë në publik. Tani janë të një lloji tjetër. Askush nuk ankohet për heshtjen e Dylan-it, por publiku dëshiron të dëgjojë këngë nga koha e hershme e tij. Shumica e publikut janë në të 40-at apo 50-at. Ata duan të dëgjojnë këngët që e bënë të famshëm Bob Dylan-in dhe jo këngë qe ai i ka shkruar së fundmi. Këngët e reja askush nuk i di. Të pakët janë ata që i kanë dëgjuar. Por “këngëtari që nuk flet”, as që eçan kokën. Ai vazhdon deri në fund sipas planit, largohet nga skena pa thënë asgjë, dhe publiku mbetet i zhgënjyer sërish. Ka edhe nga ata që e quajnë arrogant. Zërat ishin të rrallë por tashmë kishin filluar. Arrogant?!

Dikush nga publiku thërret “Like a rollling stone”, diku tjetër veshi të kap një grup që fillon të këndojë “Don’t think twice”. Këta tituj janë disa nga këngët më të njohura të Bob Dylan. Këngë të cilat kanë shoqëruar jetët e të gjithë atyre që janë prezent në koncert. Ata duan të kujtojnë kohët e vjetra, dhe bashkë me ta edhe unë. Pyes veten:

A duam të dëgjojmë vetëm këngët apo duam të kthehemi pas në kohë?

Përgjigja është e vështirë. Në këtë përgjigje fshehet gjithë jeta. Gjendem përballë një dileme të thellë ekzistenciale. E kaluara, e pa jetuara, nostalgjia,… A janë këto forcat që na shtyjnë të gjithëve të revoltohemi kunder ‘idhullit’ tonë? Kundër atij që me këngë na e lehtësonte përballjen me veten? Eshtë e paimagjinueshme që pas kaq shume kohësh, dhe pas kaq shumë pritjesh, ja më në fund je përballë ‘idhullit’ tënd dhe në fund del kundër tij. E përçmon dhe e quan me fjalë nga më të ndryshmet. A është ky një përçmim ndaj së vërtetës?

A mos valle ne nuk donim të dëgjonim Bob Dylanin, por të pajetuarën tonë. Të djeshmen të cilën ende nuk e kishim kaluar. Sado që mund të duket e largët, dhe e tejkaluar, ajo na shfaqet kohë pas kohe, e paftuar, për të na thënë se ende kemi punë drejt vetes. Prania jonë aty ishte ballafaqim me të kaluarën dhe këtë të kaluar me së miri na e kujtonte Bob Dylan, ai që vetë e kishte kaluar të djeshmen e tij. Zatën, prandaj ne ishim turma dhe ai ishte një dhe i vetëm? Vetmia dhe heshtja e tij ishin të papërballueshme për ekzistencën tonë. Nga mosperfillja e tij neve na ishte larguar objekti i varësisë, ne ndjeheshim pa “Budën” tonë; ai tashmë kishte marrë rrugë tjetër.

Në të dalë të vendit ku u mbajt koncerti, një muzikant me flokë të gjata dhe të palara po këndonte. Të shumtë ishin të grumbulluarit rreth tij. Ai siç edhe pritej, po këndonte këngët e Bob Dylanit, por ato këngët e hershme të tij. Ai po këndonte atëçfarë Bob Dylan nuk këndoi dhe atëçfarë të gjithë donim. Entuziazmi mes njerëzve ishte i madh. Të gjithë këndonin bashkë me këngëtarin. Askujt nuk i bëhej vonë për cilësinë e zërit, por mjaftonte që ai të këndonte atë çfarë ne dëshironim. U ndala edhe unë. Më shumë se vetë këngëtari në fjalë, më interesonte vetja dhe te tjeret.

Kishte momente që këngëtari i panjohur komplimentohej më shumë se vetë Bob Dylan. Kishte momente që e shijoja interpretimin e tij, por herë herë më vinte ndonjë ndjenjë neverie. Nuk mund të kuptoja me arsye pse ky adhurim ndaj një pseudo-këngëtari. Ai madje as këngë të tija nuk luante. Ai po e shfrytëzonte pakënaqësinë e publikut për të fituar para.

Ky këngëtar që bënte sikur këndonte, më vinte si një kopje e Bob Dylanit. Tamam si një kopje platonike e ideve. Konkretisht idesë më të lartë. Përderisa Bob Dylan ishte në maje të malit, ky gjoja këngëtar kishte zbritur në tokë. Kishte zbritur me qëllime materiale. Njësoj sikur të burgosurit e Platonit, që ishin të prangosur në shpellë nga prangat e empirizmit, ne ishim të prangosur nga e kaluara jonë, nga pamundësia për të vazhduar krah për krah me Bob Dylan. Të prangosur siç ishim, ne nuk mund ta kapnim Bob Dylan-in. Ai ishte një ide e cila madje as nuk mund të mendohej se ekzistonte e lëre më ta kapje. Ne ishim te pranguar nga historia, nga emocionet, nga nostalgjia. Ndërsa Dylan, kishte vazhduar rrugëtimin e tij, ai nuk ishte ndalur së krijuari.

Për shkak të mospërfilljes së tij ndaj nesh, Dylan shpesh quhej arrogant. Ai është arrogant sepse nuk i është përgjigjur pritjeve tona për të. Ai është arrogant sepse sjelljet e tij nuk janë në përputhje me sjelljet tona. Arroganca e tij është në fakt arroganca jonë ndaj tij. Ne e duam atë jo si është në vetëvete, por vetëm si projekt tonin. E duam iluzionin tonë tek ai. Sepse kur iluzionin e mishëron tek një gjigand si Dylan, ai-iluzioni, bëhet më i besueshëm. Me çfarë të drejte dikush mund ta quaj dikë arrogant?

Arroganca e Dylan ështe pamundësia e shoqërisë për tu përballur me të vërtetën. Për tu përballuar me dikë që i thyen ca rregulla, dhe të cilat me shumë dëshirë do i thyenim edhe ne. Në pamundësi, për shkak të dobësisë tonë, i’a mveshim tjetrit cilësi nga më të pështirat. Cilësitë e tij janë cilësitë tona.

Nuk mund të jetë arrogant dikush që të shtyn në mendim. Dikush që të bën të reflektosh mbi veten, jetën dhe të jetuarit. Pamundesia për të përballuar mendimin na bën ta quajmë arrogant. E si mund të jetë arrogant dikush që na fton ta jetojmë veten?

“A man is a success if he gets up in the morning and gets to bed at night, and in between he does what he wants to do.”–Bob Dylan

Previous article
Next article

Më Shumë

Aksion në lokalet e natës në Prizren/ Arrestohen pesë persona, sekuestrohen armë dhe thika

Një operacion i planifikuar nga Policia e Kosovës në Prizren, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore, ka rezultuar me arrestimin e pesë personave dhe sekuestrimin...

Kryeministri Kurti ua uroi diplomimin studentëve të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte folës kyç në ceremoninë e diplomimit të 450 studentëve të gjeneratës së vitit 2025...

Lajmet e Fundit