33.8 C
Prizren
E martë, 22 Korrik, 2025

Veterani i UÇK-së, Halil Rizanaj nga Zhuri: Luftëtarët e lirisë janë lënë në varfëri

“Lirisë ia fala syrin, të cilin e lashë në front lufte. Kam qenë luftëtari i brigadës 138 ‘Agim Ramadani’. Tani nëntë vite pas pavarësisë, ende nuk e kam marrë pensionin e invalidit, e pasi që atë nuk e kam marrë, as të veteranit nuk do ta marr”, është shprehur ish-veterani i luftës, i cili ende nuk ka marrë zyrtarisht statusin e invalidit të luftës

Halil Rizanaj: Çka na duhet dekorata e veteranit kur mezi mbijetojmë

Veterani i UÇK-së, Halil Rizanaj, të premten kishte marrë rrugën për homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë. Ai u shpreh për “Kosova Sot” se është i gëzuar që po feston Pavarësinë e Republikës së Kosovës, por edhe i revoltuar për gjendjen në vend.

“I gëzuar jam sepse po e shënojmë Ditën e Pavarësisë, së cilës i kam falur bile edhe pjesë të trupit. I revoltuar jam se këto procedura te puna ime po zgjasin shumë. Kam vendosur që edhe statusin e veteranit të luftës ta shqyej, sepse në fakt komisioni duhet të konstatojë se unë jam invalid i luftës. Lirisë ia fala syrin, të cilin e lashë në front lufte. Kam qenë luftëtari i brigadës 138 “Agim Ramadani”. Tani nëntë vite pas pavarësisë, ende nuk e kam marrë pensionin e invalidit, e pasi që atë nuk e kam marrë, as të veteranit nuk do ta marrë. Kam në familje dy fëmijë dhe gruan e bashkë me të kam edhe një invalid në shtëpi. Vështirë jetohet kështu”, është shprehur ai, shkruan gazeta Kosova Sot.

Njerëzit ankohen për mungesë të gjërave elementare

Ish-veteranin e luftës e mban shpresa se do të bëhet mirë. Ai pohon për gazetën se është i gëzuar që për herë të parë ka më shumë njerëz në varrezat e dëshmorëve sesa viteve të tjera. Rizanaj, i cili është nga Zhuri, është i mllefosur në udhëheqësit tanë sidomos ata të komisionit që nuk kryejnë punët se si duhet. Ai tha se udhëheqësit tanë po e ndajnë Kosovën, prandaj shton se nuk ia vlen as dekorata e veteranit që të mbahet në familje, kur ka varfëri dhe mezi arrin të mbijetojë.

“Njerëzit ankohen edhe për mungesë të gjërave elementare. Shumë luftëtarë lirie e kanë këtë gjendje të varfër, por nuk flasin shumë. Ata vërtet e duan lirinë e këtij vendi dhe nuk duan asgjë më shumë sesa të kenë një jetë normale”, është shprehur ai.

“Kjo është certifikata që e kam fituar me gjak. Unë i kam dhënë pjesë të trupit lirisë. Jam në pritje të komisionit që të caktojë shkallën e invaliditetit tim. Nuk kam mundësi të punoj, sepse nuk kam forcë e as shëndet. Por, nëse kështu vazhdon do të detyrohemi të marrin botën në sy”, është shprehur ai.

“Nuk them se jetojmë ekstremisht keq, por assesi nuk mund të themi se jetojmë si duhet dhe si i takon një veterani të luftës”, është shprehur ai.

Institucionet të punojnë më shumë për kategoritë e dala nga lufta

Rizanaj shprehet se institucionet duhet të punojnë më shumë për kategoritë e dala nga lufta. “Duhet të bëhet e pamundur që ata që ishin në luftë të marrin statusin real e jo ata të tjerët, të cilët nuk kanë marrë pjesë fare. Unë e di se kjo nuk është puna ime, por unë them se është koha që ata që ndihmuan luftën dhe lirinë të gëzojnë disa privilegje që u takojnë, jo ata të hanë me lugë të florinjta. Ish-veteranët duhet të gëzojnë një jetë të dinjitetshme. Unë s’ kam pse ankohem tek pushtetarët e mëdhenj, ngase e di se së pari duhet këtë gjë ta dinë ata nga komuna, e pastaj të kalojë tek Qeveria e Kosovës”, është shprehur ai.

Megjithatë ish-veterani nuk mendon se të gjithë gjërat në Kosovë duhet ngjyrosur në zi. “Mjafton që tashmë nuk e kemi Serbinë këtu dhe jetojmë pa atë frikën se Serbia mund të na i vrasë fëmijët apo familjarët tanë. Por, meqë tani ne udhëheqim, duhet të bëjmë më shumë për të gjithë ata që bënë dikur për Kosovën”, shprehet Rizanaj. “Bota i ka të zezat dhe të bardhat, të këqijat dhe të mirat, por ne duhet t’i ndryshojmë gjërat”, shprehet Rizanaj.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Gjendet në gjendje të mirë shëndetësore e mitura nga Rahoveci

Pas disa ditësh kërkimi, vajza e mitur L.H., rreth 13-vjeçare nga Rahoveci, e raportuar si person i zhdukur më 14 korrik 2025, është gjetur...

Liria tregon forcën në Tiranë, mposht 26 herë kampionin me rezultat 3-2

Liria e Prizrenit ka zhvilluar një paraqitje mbresëlënëse në miqësoren ndaj Tiranës, duke e mposhtur skuadrën më të trofeshme në Shqipëri me rezultat 3-2. Ndeshja...

Lajmet e Fundit