Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren, vlerëson se Shtëpia e Kulturës në Zhur është shndërruar në tragjikomedi.
“Listës së gjatë të skandaleve që kanë prekur Komunën e Prizrenit i prin afera disa milionëshe e Shtëpisë së kulturës në Zhur”, thuhet në reagimin e VV-së në Prizren.
“Ky është një rast i paprecedent”.
“Si asnjëherë tjetër në Prizren, me gjasë edhe në tërë Kosovën, për ta ndërtuar këtë objekt nuk kanë mjaftuar 9 vite. Ndërtimi ka nisur në vitin 2009 dhe vlera e investimit kalon shifrën e 1.5 milion eurove, por për ironi, as kjo shumë marramendëse për këtë objekt nuk ka mjaftuar që punimet të mbarojnë në kohë. Këtë papërgjegjshmëri të Komunës edhe më tragjikomike e bëjnë deklaratat famoze të zyrtarëve të Komunës me daljet e tyre publike të fundvit kur patën deklaruan se objekti në fjalë, i cili është dashur të jetë në funksion vite më parë, do t’iu dhurohet zhurjanëve brenda vitit. Prapa këtij refreni të vazhdueshëm të këtyre zyrtarëve fshihet abuzimi, keqpërdorimi dhe paaftësia qeverisëse”.
“ Ky është refreni i vazhdueshëm përgjatë këtyre viteve, derisa situata në terren është krejtësisht ndryshe. Ndërtesa është kthyer në “muze”, dhe vizitorët e vetëm janë pëllumbat që kanë gjetur strehë në çatinë gjysmë të shkatërruar”.
“Qeveria komunale e Prizrenit ndaj banorëve të Zhurit po sillet me paturpësinë më të madhe dhe pa fije ndërgjegje, sepse vetëm gjatë viteve të fundit, këta zyrtarë, Shtëpinë e kulturës në Zhur e kanë inauguruar hiç më pak se tri herë, ndërkohë që objekti nuk është përfunduar”.
“Ky projekt, ndër investimet më të mëdha të Komunës së Prizrenit, i bërë me paratë e taksapaguesve, duke pasur parasysh kohën e gjatë të mos funksionalizimit të tij për shkak të punimeve të dobëta që janë kryer, zhurjanët patën dorëzuar peticionin me nënshkrimet që këtij objekti fillimisht t’i bëhet një ekspertizë mbi qëndrueshmërinë dhe sigurinë e tij e që do të garantonte se objekti në fjalë i plotëson parametrat dhe është i gatshëm të vihet në funksion”.
“Ndërkohë banorët ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ana e Komunës. Paralizimi i projektit të Shtëpisë së kulturës e ka bërë gati të pamundur zhvillimin normal të aktiviteteve kulturore dhe sociale për këtë komunitet e për të cilat kanë aq shumë nevojë”.
“ Lënia në harresë e një investimi kaq të madh dhe mos menaxhimi i saj nga institucionet komunale po e çon këtë objekt drejt shkatërrimit të mëtejmë”.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prizren kërkon që investimet e këtilla disa milionëshe, nga taksat e qytetarëve të Prizrenit, të mos përfundojnë si mos më keq dhe që përgjegjësit të mos sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë, por ata të japin llogari para qytetarëve”/PrizrenPress.com/