Nuk pritet ndonjë risi në qeverisje,shkruan gazeta Kosova Sot.
Derisa kriza politike në vend duket se po shkon drejt thellimit dhe opsioni i zgjedhjeve po zë gjithnjë e më shumë vend në fjalorin ditor të partive politike, analistët konsiderojnë që edhe nëse ndodhin zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ato nuk do të sjellin ndonjë ndryshim të ri pozitiv për qytetarin. Zgjedhjet e reja pa reformën zgjedhore ka rrezik që të manipulohen skajshmërisht nga subjektet e tanishme politike, që të blihen votat përmes rrjeteve klienteliste. Për më shumë këto zgjedhje, sipas analistëve politikë, shihet se mund të jenë vetëm ndërrim i koalicioneve të tanishme dhe asgjë e mirë për qytetarët.
“Zgjedhjet e reja parlamentare, sidomos nëse mbahen të parakohshme, janë një sfidë për institucionet tona dhe vetë partitë politike. Fillimisht, largimi i personave të vdekur nga lista e votuesve, pastaj pastrimi i listave zgjedhore të personave të inkriminuar nëpër partitë politike, si dhe shit-blerjet e votave në afërsi të qendrave të votimit, janë disa nga sfidat e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, pa i anashkaluar as ato lokale. Pa një fillim të reformës së thellë zgjedhore, zgjedhjet e reja do sjellin vetëm ndërrim partnerësh, bile vështirë se do të ketë ndryshim edhe të figurave, disa prej të cilave janë të tejkonsumuara”, tha analisti Albrim Badallaj.
Çështjet e bllokuara
Edhe analisti Ridvan Emini nuk sheh ndryshim pozitiv dhe as proces të rregullt zgjedhor, nëse partitë politike vendosin që tani të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme pa reformën zgjedhore dhe me këtë klasë politike të konsumuar e të pareformuar.
“Nëse vendi do të shkojë së shpejti në zgjedhje të parakohshme nacionale, nuk mendoj se nuk do të ketë ndryshime në vend”, tha ai, duke shtuar se disa çështje megjithatë mund të zhbllokohen. ” Pavarësisht se cila apo cilat parti do të udhëheqin me vendin pas këtyre zgjedhjeve të mundshme, mendoj se vendi do të ketë mundësinë të dalë nga bllokada, sa i përket disa çështjeve, si bie fjala Demarkacionit, Asociacionit dhe Ushtrisë, por edhe disa çështjeve të tjera me interes për shtetin dhe qytetarët e saj. Nuk mund të presim një revolucion sa i përket shkuarjes së këtyre partive politike dhe ardhjeve të partive të reja në skenë, sepse kjo ndodh në mënyrë evoluive; disa parti hyjnë në skenë e disa dalin nga skena dhe disa të tjera hyjnë në pozitë e disa të tjera dalin në opozitë, andaj ky është një proces evolutiv”, tha Ridvan Emini për “Kosova Sot”.
Ai shton se vendi ka nevojë që të ketë një sistem me zona sa i përket përfaqësimit në Kuvend, mirëpo aktualisht për partitë ai sistem nuk është i favorshëm për disa arsye, e njëra prej tyre është pikërisht për shkak të liderëve partiakë, se nga cila zonë të kandidohen, pra a nga Prishtina apo nga zona elektorale nga vijnë, pasi në zonat e tyre elektorale nga vijnë mund të kenë vota më pak, apo edhe në të kundërtën. “Andaj, me sistemin aktual akomodimet për liderët do jenë më të mira sa i përket numrit të votave. Pra, nuk shoh në këtë drejtim ndonjë ndryshim nga e kaluara”, tha Ridvan Emini.