0.6 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Darkat elektorale të Hashim Thaçit

IMER MUSHKOLAJ

Duke shtruar darka për mësimdhënës në kohë fushate, presidenti Hashim Thaçi po ia bën një argat të mirë ish-partisë së tij. Vetë prania e tij në këto darka, edhe sikur të mos e thotë asnjë fjalë, nënkupton mbështetje për PDK’në. Në këtë mënyrë, ai po ndërhyn drejtpërdrejt në fushatën zgjedhore duke e shkelur kushtetutën dhe duke e degraduar edhe më shumë institucionin e Presidentit

Rreth 600 punëtorë të arsimit të komunës së Klinës i ka mbledhur në një darkë presidenti Hashim Thaçi, vetëm një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore në vend. Njësoj kishte vepruar edhe nëntorin e kaluar, kur tri javë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Drenas, Thaçi kishte shtruar darkë për mësimdhënësit e kësaj komune.

Pavarësisht deklarimit se shtrimi i darkave të tilla tashmë është në traditën e tij, Thaçi duhet të përmbahet që të mos organizojë të tilla aktivitete në kohë fushate. Ai nuk ka nevojë fare të flasë e as të arsyetohet se nuk po bën fushatë për një subjekt të caktuar, në këtë rast për koalicionin rreth PDK’së. Vetë prania e tij në komuna të udhëhequra nga kjo parti mjafton për të dërguar sinjale se për kë duhet votuar dhe kah cili opsion anon.

Presidenti Thaçi duhet të përmbahet dhe të mos përfshihet në fushatë zgjedhore. Me veprime të tilla, ai shkel kushtetutën e vendit dhe degradon edhe më shumë institucionin e Presidentit.

“Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 83 të kushtetutës. Kështu, funksioni i presidentit nuk duhet të vihet në shërbim të një partie politike, në këtë rast as të PDK’së.

Para pak ditësh, Thaçi kishte takuar edhe mësimdhënës e nxënës të shkollave të komunës së Skënderajt. “Ishin shumë inkurajuese arritjet e nxënësve, rritja e kualitetit të mësimdhënies dhe përmirësimi i infrastrukturës në këto shkolla”, kishte deklaruar ai. Çfarë “rastësie” – presidenti kryesisht kryen vizita në komuna të qeverisura nga ish-partia e tij.

Ndërkaq, sa për “arritjet” dhe “kualitetin” në arsimin kosovar, rezultati i testit të PISA’s tregon gjithçka. Vetë Thaçi, me qeverisjen e tij, është përgjegjës për gjendjen e arsimit sot në vend. Dhe jo vetëm.

* * *

Është fëmijërore të mendohet se Hashim Thaçi, me zgjedhjen e tij president, është shkëputur nga PDK’ja. Ai vazhdon ta përkrah dhe të punojë për ish-partinë e tij. Po nëntorin e kaluar, ai ishte takuar me strukturat e PDK’së në Malishevë.

Organizimi i darkave me mësimdhënës ose me kategori tjera qytetarësh në kohë fushate është ushtrim i drejtpërdrejtë i presionit mbi ta për interesa partiake. Po ashtu, kjo është ndërhyrje e

drejtpërdrejtë edhe në procesin zgjedhor.

Pavarësisht se arsyetimi i presidentit mund të jetë se në këtë mënyrë ai po shpreh mirënjohje dhe po i çmon mësimdhënësit, kjo mënyrë e trajtimit të tyre është e padinjitetshme. Siç është hipokrite dhe e padinjitetshme të flasë për arsimin dikush që e ka menaxhuar atë gati për një dekadë, ndërkohë që rezultatet janë dëshpëruese.

Në vend se të përmirësohet, cilësia e arsimit ka degraduar. Për interesa elektorale, qeveria e udhëhequr nga, atëherë, kryeministri Thaçi ka hapur universitete publike gjithandej vendit. Këto institucione më tepër kanë shërbyer si vende punësimi për militantë partiakë akademikë e të ashtuquajtur akademikë, sesa si institucione që do të duhej të promovonin dije dhe shkencë.

Veprimet e fundit të Thaçit duhet kritikuar e dënuar të gjithë, ngase janë tepër të rrezikshme për funksionimin e shtetit. Ai i ka të përcaktuara me kushtetutë obligimet dhe përgjegjësitë e tij dhe nuk duhet t’i keqpërdor ato për interesa të askujt.

Kur Thaçi i kishte mbledhur mësimdhënësit në darkë, në Drenas, nëntorin e kaluar, kishte reaguar ashpër Nisma Për Kosvën. Tash, kur ai po e bën të njëjtën gjë në Klinë e vende të tjera, kjo parti po hesht. Mbase tash e përligj një veprim të tillë të presidentit, pasi është bërë bashkë me PDK’në në koalicion. Ndërkohë, LDK ka reaguar ndaj veprimeve të Thaçit, duke i bërë thirrje t’i ndal ato.

* * *

Pasi ka dështuar ta çojë përpara sistemin arsimor në vend gjatë një dekade, kontributi më i madh i Thaçit si president do të ishte që të mos i keqpërdor mësimdhënësit në kohë fushate.

Natyrisht, mësimdhënësve iu duhet mbështetje, sistemi arsimor ka nevojë për reformë, por përkrahja e tillë, në këtë formë, nga Thaçi nuk është e nevojshme. Mësimdhënësit duhet të lihen të lirë nga diktatet partiake të kujdoqoftë dhe taksat e qytetarëve nuk duhet të përdoren për qëllime elektorale.

Edhe më keq është nëse presidenti Thaçi darkat e shtruara për mësimdhënës i arsyeton si iftare në kohë Ramazani. Kosova është shtet laik dhe veprimet e tilla, po ashtu, janë kundërkushtetuese.

Në vend se të bëjë veprime të tilla provokative, presidenti Thaçi ka mjaft me çfarë të merret. Dhe, njerëzit nuk janë budallenj të mos e kuptojnë hilenë e tij. Hile që më së paku i bën nder institucionit të Presidentit. Shtetit jo se jo.

Më Shumë

Profesori i UP-së zbulon një insekt, e emërton Tinodes lumbardhi

Profesori i Departamentit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, Halil Ibrahimi, me ekipin e tij, zbuloi një insekt të...

Fatmir Limaj: Billusha e Prizrenit, me vullnet dhe besim, rreshtohet pranë njerëzve që kanë veçVEPRA

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj lajmërohet nga Prizreni, ku thotë se në Billushë u pritën me shumë vulnet e besim nga qytetarët. Limaj thotë se...

Lajmet e Fundit