0.3 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kristo Frashëri: Ja si u krijua emri etnik i shqiptarëve

Kristo FrashëriKur në shek. XI u shfaq emri albanë (????vo?) dhe arvanitë (????v????) nuk kishte vështrim etnik, por ishte, sikurse u tha, emri i krahinës Arbëni/Arbëri (Arbanon), që shtrihej në Shqipërinë e Mesme me qendër Krujën. Pas shek. XI filloi përhapja e apelativit Arbëni, Arbëri, Albani edhe në viset e tjera ku banonin shqiptarët. Faktori që përcaktoi shtrirjen e emrit ishte po ai që përcaktoi shfaqjen e tij në shek. XI – në fillim bashkësia politike dhe fetare dhe më vonë bashkësia politike dhe gjuhësore.

Sikurse u tha, emërtimi Arbanon ishte në origjinë emri i trevës rreth e rrotull Krujës, e cila deri kohët e vona e ruajti të paktën në Kurbin, emrin historik Arbëni. Ishte pra, njësoj si emrat e krahinave të tjera të vendit Polati (Pulti), Kunavia (Martaneshi), Crnika (Çermenika), Trafandena (Mirdita), Matia, Dibra, Skuria, Tamadea, Benda, Mokra, Skrapari, Malakas, Mazarek etj. Peshkopata e Krujës e krijuar sipas traditës në fillim të shek. VII194, ishte në shek. XII fqinje me peshkopatën e Lisit, që shtrihej në Mat e Mirditë, dhe me peshkopatën e Stefaniakës, që përfshinte krahinat e Tamadhesë e të Bendës. Pra, ishte krijuar bashkësia fetare në shkallë krahinore. Më 1166 Arbanoni kishte një prior (Andreas prior Arbanensis) dhe një peshkop katolik (Lazarus episcopus Arbanensis). Titulli “prior” i qeveritarit tregon autonominë e krahinës; mbiemri i primarit të dioqezës sqaron kufijtë e saj. Të dyja së bashku tregojnë se konsolidimi dhe shtrirja e emrit Arbanon për territorin dhe arbanit për banorin, erdhi si pasojë e konsolidimit dhe e shtrirjes së komunitetit politik e fetar arbanit që ishte formuar në shekullin e mëparshëm.

Dinamika e përhapjes në shekujt e mëvonshëm e emrit Arbanon, Arbanum, Albania është me interes. Kjo duket sidomos gjatë ekzistencës së Principatës së Arbërisë që shfaqet në burimet historike të fundit të shek. XII. Gjatë sundimit të arkondit Progon, emërtimi Arbanon u shtri në veri përtej Matit dhe Trafandenës deri në krahinën e Pultit. Po ashtu gjatë sundimit të arkondit të madh Dhimitër Progonatit u shtri nga ana jugore në viset e Kunavisë e të Cernikut deri në luginën e Shkumbinit. Shtrirja e këtij emërtimi përtej kufijve të Arbanonit historik mund të shpjegohet fare mirë me përfshirjen e këtyre krahinave në komunitetin politik e fetar të shtetit të arbanitëve, i cili u formua nga shkrirja në të e katërmbëdhjetë bashkësive krahinore.

Ky fenomen vihet re edhe gjatë gjysmës së dytë të shek. XIII, kur Karli I Anzhu i grumbulloi në vitin 1271 territoret e pushtuara në Shqipëri në një formacion të vetëm politik – në “Mbretërinë e Albanisë” (Regnum Albaniae) me kufij më të gjerë nga ç’kishte principata arbanite në kohën e arkondit të madh Dhimitër Progonatit. Po në këtë kohë sovrani anzhuin i detyroi dioqezat kishtare të territoreve të pushtuara të kalonin në katolicizëm. Pavarësisht se “Mbretëria e Albanisë” ishte një pjellë e dhunës së armatosur të feudalëve anzhuinë, për shkrimtarët dhe kancelarët e shek. XIII ajo formonte një komunitet politik e fetar më vete. Sipas mendësisë mesjetare, banorët katolikë të këtij komuniteti politik u konsideruan anëtarë të kombësisë arbanite/ albanite.

Si pasojë, emërtimi Albanum, Albania u shtri në shek. XIII që nga lumi Drin i bashkuar në veri deri në Kaninë në jug, që nga brigjet e Adriatikut në perëndim deri në Drinin e Zi në lindje. Banorët jokatolikë të kësaj mbretërie nuk u përfshinë në gjirin e kombësisë arbanite, albanite. Pavarësisht nga gjuha amtare, shqiptari ortodoks ishte, për shkak të traditës shumëshekullore, “romaios” për bizantinët, “graecus” për anzhuinët. Kur Karli I D’Anzhu shkruante: “armiqtë tanë grekë”, e kishte fjalën për bizantinët. Por kur në 1274 shkruante se Durrësin e kishin rrethuar kryengritësit “albanitë dhe grekë” (albanenses et greci), ai nënkuptonte me këta dy apelativa shqiptarët katolikë e ortodoksë, mbasi ekzistenca e fshatarëve të gjuhës greke në zonën e Durrësit nuk vërtetohet dokumentarisht. Në fillim të shek. XIV me arbanit/albanit, kuptohej gjithnjë shqiptari katolik.

Që në shek. XIII në qarqet e njerëzve të ditur bizantinë të Perandorisë së Nikesë u shfaqën shenjat e para të një koncepti të ri mbi kombësinë, i përcaktuar jo si më parë nga komuniteti politik e fetar, por nga ai gjuhësor e fetar. Si pasojë e këtij koncepti të ri, nga gjiri i kombësisë “romaios” filloi të shquhej “heleni”, shtetasi bizantin ortodoks greqishtfolës. Me zhvillimin e mëtejshëm të këtij botëkuptimi të ri, shqiptari ortodoks filloi të dallohej nga heleni ortodoks, sepse u takonin dy komuniteteve gjuhësore të ndryshme. Por, nga ana tjetër, shqiptari ortodoks mbeti përsëri i dalluar nga shqiptari katolik, sepse bënin pjesë në dy komunitete fetare të veçanta. U krijua kështu terreni për daljen e një emri të përbashkët për gjithë shqiptarët ortodoksë.

Prodhimin e parë të konceptit të ri duket se e ndeshim te shkrimtari bizantin i shek. XIV. G. Paclymeres, i cili duke folur për banorët e Eprit të Ri përdor në një rast emrin albanitë (????vo?), në një rast tjetër emrin ilir ????????. Më vonë krahas apelativit albanit doli në shesh emri epirot. Në disa raste, kundrejt epirotit që kishte tingull të lashtë historik, emri i albanitit u zëvendësua me atë të makedonit, gjithashtu me tingull të lashtë historik: për analogji Makedonia u bë emër i dytë i Albanisë (Macedonia sive Albania). Ndikoi në këtë mes fakti se në shekujt e parë të erës sonë provinca e Epirit të Ri me qendër Durrësin, ku bënte pjesë edhe krahina e Arbanonit, u quajt për disa shekuj Provinca e Maqedonisë së Dytë. Në këtë mënyrë, banorët e hapësirës gjuhësore shqipe u quajtën nga të huajt epirotë dhe albanitë (Epirotes et Albanenses) ose epirotë dhe makedonë (Epirote et Macedones).

Por konsakrimi i dy emërtimeve të veçanta etnike për shqiptarët e dy riteve fetare të ndryshme, nuk mori formë të prerë, siç ndodhi te sllavët e jugut, midis kroatit katolik dhe serbit ortodoks. Pa dyshim ka luajtur rol, në masën e vet, fakti se në viset e banuara nga shqiptarët ortodoksë nuk u krijua ndonjë komunitet politiko-fetar i veçantë që t’i kundërvihej komunitetit politik-fetar katolik të Arbanonit. Arsyeja kryesore duhet kërkuar te toleranca fetare, karakteristikë e shqiptarëve të të gjitha kohëve. Këtë e ka konstatuar M. Šufflay kur thotë: “në Kohën e Mesme fanatizmit fetar të shqiptarëve mezi i gjenden gjurmët”. Shkurt, folësit e gjuhës shqipe të krahinave të ndryshme nuk bënin nga pikëpamja etnike dallim midis bashkatdhetarëve të feve të ndryshme. Kjo veçori ndikoi në lindjen e një emërtimi të përbashkët për mbarë shqiptarët, pavarësisht nga ritet e tyre fetare.

Shprehësit e parë të këtij emërtimi të përbashkët janë përsëri shkrimtarët bizantinë. Megjithatë, zgjedhja e emrit të përbashkët nuk ishte që në fillim e njëjtë. Te shkrimtari i shek. XIV N. Gregoras, duket se ndikoi tendenca savante arkaizuese mbasi ai shqiptarët pa dallim feje i quajti ilirë. Bashkëkohësi i tij, J. Kantakuzeni, i quajti albanë, sepse, sipas tij, pasardhësit e ilirëve qenë tribalët (serbët). Në shek. XV u quajtën albanë nga Halkokondili, nga Duka, nga Sfrantzes, kurse ilirë, siç është thënë, nga Kritobuli.

Megjithatë, koncepti i ri i kombësisë nuk triumfoi plotësisht as gjatë shek. XV. Duken ende shkrimtarë apo kancelarë, kryesisht nga bota perëndimore, të cilët shkuan pas konceptit gjuhësor-fetar. Duke mos u shkëputur dot nga mendësia tradicionale mesjetare, ata e kishin vështirë t’i konsideronin si gjymtyrë të një kombësie të vetme të gjithë banorët që flisnin në të njëjtën gjuhë, që jetonin në të njëjtin territor, por që u takonin dy riteve të ndryshme fetare. Kështu shpjegohet përse në disa akte të huaja të shek. XV flitet ende për albanitë dhe epirotë ose për makedonë dhe epirotë, si për dy etni të ndryshme.

Për shqiptarët, të dyja këto emërtime u veshën me të njëjtin kuptim etnik. Ata e identifikonin veten edhe me arbanitë, edhe me epirotë. Dëshmitar i parë është vetë Skënderbeu. Në korrespondencën e vet me kancelaritë e huaja, ai nënshkruante “Zot i Arbërisë” (Dominus Albaniae), bashkatdhetarët e tij i quan “albanë/arbër” (albanenses, albanesi). Përkundrazi, në letrën e përmendur që i drejtoi më 31 dhjetor 1460 princit të Tarentit, J. A. De Orsinis, ai shkruante: “Në qoftë se kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë” (se le nostre croniche non mentino, noy in chiamamo Epiroti).

Dëshmitar i dytë është Marin Barleti. Humanisti shkodran i përdor të dy emërtimet etnike, pa bërë dallim midis tyre. Ai i quan arbër (albanenses) si shqiptarët që banonin në Arbëri apo Epir, ashtu dhe ata që kishin zënë vend në Peloponez. Njëkohësisht i cilëson epirotë (epirotes) jo vetëm krutanët e dibranët, por edhe zotërit feudalë të malësive veriore si Lekë Dushmanin e Pjetër Spanin. Vetë Skënderbeun e quan zakonisht epirot, në disa raste e cilëson arbër, por preferon t’i japë titullin “Princ i Epirotëve” (Epirotarum Princeps). Nganjëherë M. Barleti flet për arbër dhe epirotë si për dy grupe të ndryshme etnike, por këto raste të rralla duhen parë si gjurmë pa jetë të koncepteve të vjetra që jetojnë në mënyrë të pandërgjegjshme edhe për disa kohë nga forca e traditës. Dëshmitar i tretë është Gjon Muzaka, i cili gjithashtu i përfshin të gjithë shqiptarët pa dallim feje, në një emër të përbashkët: i quan albanesi, gjuhën e tyre lingua albanese, kurse emrin epirot nuk e përdor asnjëherë.

Mund të thuhet se në shek. XV me albanë dhe epirotë nënkuptoheshin banorët e hapësirës gjuhësore shqipe; se përmbajtja e tyre gjuhësore-fetare e kishte humbur fuqinë e saj; se për vetë shqiptarët ato ishin veshur me të njëjtin kuptim etnik; se në shumicën e rasteve shqiptarët njiheshin edhe jashtë Shqipërisë me një emër të vetëm etnik, pavarësisht se ekzistonin ende qarqe të huaja, të cilat e ruanin ende konceptin gjuhësor-fetar mbi kombësinë, emërtimi albanitë po fitonte vazhdimisht terren.

Në shek. XV emërtimi Arbëri (Albanum, Albania) ishte shtrirë në një hapësirë gjeografike më të gjerë se ajo që pati arritur gjatë “Mbretërisë Anzhuine”. Nga ana veriore më 1429 Tivari në bregdet, më 1430 Lushtica pranë Kotorrit, më 1442 Podgorica, quhen qytete të Arbërisë, de Albania. Nga ana jugore Vlora cilësohet si dhe në kohën anzhuine qytet në Arbëri (Valona in Albania). Nga juglindja, sipas një akti raguzan të vitit 1390, Kosturi quhej pjesë e Arbërisë, Castoria de partibus Albaniae.

Shtrirja e emërtimit Albanum, Albania në këtë hapësirë gjeografike mund të shpjegohet me po ata faktorë që përcaktuan shtrirjen e dikurshme të këtij emërtimi nga kufijtë e ngushtë të mesit të shek. XI në kufijtë e gjerë të fillimit të shek. XIV. Konkretisht, mund të shpjegohet me shtetin e Balshave që u formua gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV. Në fillim, brenda kufijve të këtij shteti u përfshinë territore shqiptare e sllave. Pra, Balshat mbështetjen kryesore politike e gjetën te popullsia shqiptare. Më 1369, me kalimin e tyre në anën e Kishës Perëndimore, lidhjet me sllavët ortodoksë u dobësuan edhe më tepër, kurse komuniteti politik e fetar me shqiptarët katolikë u forcua edhe më tej.

Si rrjedhim i këtyre lidhjeve, në vitet ’70 Balshat filluan të shtriheshin në jug, drejt krahinave shqiptare, duke arritur më 1372 në vijën Vlorë–Berat–Kostur. Në veri humbën krahinat sllave, duke u tërhequr afërsisht në vijën Tivar–Podgoricë–Prizren. Në këtë mënyrë ky komunitet politik fetar mori dalëngadalë karakterin e një komuniteti shqiptar e katolik. Rrjedhimisht, edhe titulli i sundimtarëve Balsha u ndryshua nga sovranë të Zetës (Dei Gratia dominus Zetae), në sovranë të Arbërisë – Gjergj II Balsha “Zot i Arbërisë” (Arbanaskim Gospodinum), “Princ i Arbërisë” (Princeps Albaniae). Pra, Albanum, Albania u shtri në veri vetëm në viset shqiptare dhe katolike që hynë në shtetin e tyre.
Si përfundim, emërtimi Albanum, Albania, duke filluar nga shek. XI u zgjerua vazhdimisht duke shtyrë më në jug emrat Epir dhe Romania dhe më në veri emrat Dioklea dhe Sklavonia dhe arriti në shek. XV atje ku e çoi përçuesi i vet historik – faktori politik shtetëror shqiptar dhe jo ekspansioni i supozuar i shqiptarëve, siç mendojnë pa të drejtë disa historianë, ndër të cilët J. G. von Hahni dhe G.Stadtmülleri.

Në lidhje me territoret që shtriheshin në jug, pika më delikate qëndron te çështja nëse emërtimi Epir kishte ose jo një përmbajtje etniko-gjeografike. Sipas mendimit tonë, çështja zgjidhet sapo të sqarohet përkatësia etnike e epirotit dhe në vështrim më të gjerë karakteri etnik i Epirit të Vjetër. Me epirot mund të nënkuptohej, të paktën në shek. XV, shqiptari që banonte në Epir. Për të sqaruar përkatësinë etnike të banorit të Epirit të Vjetër, mund t’u referohemi drejtpërdrejt shkrimtarëve dhe kronistëve greko-bizantinë që nuk e përdorin fare termin epirot. J. Kantakuzeni gjatë përshkrimit të ngjarjeve që ndodhën në territorin e Epirit gjatë gjysmës së parë të shek. XIV quan albanë banorët që jetonin në afërsitë e Beratit e të Kaninës, në krahinat e Devollit e të Kolonave, në rrethet e Pogonianit e të Libisdës, në afërsi të Ohrit dhe gjetkë, të cilët dihet se praktikonin ritin bizantin. Nga “Kronika e Janinës” mësojmë se banorët e trevës së Përmetit ishin mazarakët; të Dropullit e të Delvinës: zenevistët; në rrethin e Janinës: malakasët, të cilët sipas mendimit të përgjithshëm të historianëve, qenë shqiptarë.

Që viset bregdetare të Jonit banoheshin nga shqiptarë, na e thotë shkoqur Kritobuli dhe na la të nënkuptojmë Halkokondili. Prania e shqiptarëve në krahinat lindore të Epirit të Vjetër provohet nga fakti se në vitin 1330 ata thyen një çetë të kompanisë së madhe katalane në Gardhiq të Janinës që kishte kaluar Pindin dhe po plaçkiste Epirin. Nga njoftimet që jep Kantakuzeni dhe nga ato që ndeshen në “Kronikën e Janinës”, mund të nxirret lehtë konkluzioni se banorët e Epirit në shumicën dërrmuese qenë shqiptarë, përderisa siç vinte re me të drejtë J. G. Hahni, fituan në luftë kundër grekëve dhe serbëve.

Ne do të shtojmë me këtë rast se formacionet shtetërore shqiptare që u krijuan në territoret e Epirit gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV dhe në mënyrë të veçantë ekzistenca për një kohë të gjatë e despotatit shqiptar të Gjin Bua Shpatës, i cili u përmbys vetëm nën goditjen e vërshimit osman, na japin në dorë dy elemente të rëndësishme në favor të problemit që kemi në diskutim. Nga njëra anë, provojnë se shqiptarët, të cilët u bënë bartësit etnikë të këtyre formacioneve shtetërore në luftë kundër pushtetit bizantin dhe serb, përbënin masën kryesore të popullsisë së Epirit. Nga ana tjetër, komuniteti politik-gjuhësor, që u formua nga këto formacione shtetërore shpjegon arsyen përse shqiptarët dalin në Epir me emrin e tyre etnik pikërisht në burimet historike të kësaj periudhe dhe jo më parë. Me këtë përbërje etnike, emërtimi gjeografik Epir u vesh për shumicën e shkrimtarëve dhe kancelarëve të Mesjetës së mëvonshme, me një vështrim etnik shqiptar.

Për shqiptarët u sanksionuan kështu në shek. XIV–XV dy emërtime etnike: arbër dhe epirotë. Në këto dy emërtime nuk u përfshinë viset e banuara nga shqiptarët që ndodheshin jashtë kufijve të emërtimeve Arbëri dhe Epir. Është fjala kryesisht për territoret e Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit (Metohisë) dhe të Maqedonisë Perëndimore, vendbanimet e dikurshme të dardanëve, paionëve dhe lunkestëve ilirë. Fakti që shqiptarët nuk përmenden me emrin e tyre etnik si banorë të këtyre viseve ose përmenden rastësisht në burimet historike mesjetare jo më parë se në shek. XIV, mund të shpjegohet, si dhe për pjesët e tjera të Shqipërisë, jo me mosqenien e tyre në ato vise, por me konceptin mbi kombësinë që kishin shkrimtarët dhe kancelarët mesjetarë.

Meqenëse këto vise qëndruan në mënyrë të pandërprerë nën sundimin bizantin, dukljan, serb apo bullgar dhe nuk arritën të grumbullohen në ndonjë formacion shtetëror shqiptar, është e tepërt të pretendohet që ata të shfaqeshin në burimet historike me emrin e tyre etnik. Përpjekjet që janë bërë për t’i zbuluar shqiptarët e këtyre viseve me anën e toponomastikës dhe onomastikës, as kanë dhënë, as mund të japin rezultat për shkak të tendencës së theksuar që kanë pasur sllavo-jugorët mesjetarë për t’i sllavizuar në masë jo vetëm emrat e vendeve që pushtonin, por edhe emrat e vendeve që pretendonin. Emrin etnik të shqiptarit në trajtën “arbanas” ne do ta ndeshim si banorë të këtyre viseve vetëm atëherë kur ai nuk kishte njërin nga të dy komponentet e konceptit mesjetar mbi kombësinë – ose bashkësinë politike ose bashkësinë fetare, me serbët ose bullgarët, praktikisht vetëm po të mos ishte më ortodoks.

Nuk është pra e rastit që “arbanasët” përmenden për të parën herë në burimet mesjetare të shek. XIV pikërisht në ato zona (në rrethet e Shkupit e të Prizrenit), ku dihet se u përhap në një masë të kufizuar katolicizmi – si frekuentues në Pazarin e Manastirit të Shën Gjergjit pranë Shkupit, si barinj, bujq e ushtarë në krahinën e Tetovës, si fshatarë në feudet e manastirit të Kryeëngjëjve të Prizrenit, si bujq në analet e manastirit të madh të Deçanit, kurse gjurmët e tyre i gjejmë gjithnjë në shek. XIV dhe jo më parë, në Dalmaci, në Bosnjë, Hercegovinë.

Fakti që shënojnë L. Thalloczy, K. Jire?eku dhe M. Šufflay se deri në kohët e vona, në sllavët e Dalmacisë e të Malit të Zi, me “arbanas” kuptohej vetëm shqiptari katolik, ndihmon në konkluzionin tonë se shqiptari ortodoks, i cili banonte në territoret e përfshira për një kohë relativisht të gjatë brenda kufijve të shteteve serbe ose bullgare, konsiderohej thjesht “serb” ose “bullgar”. Në këto rrethana, problemi i përkatësisë etnike të banorëve mund të sqarohet vetëm me defterët osmanë të shek. XV–XVI që u përkasin sanxhakëve të Kosovës, Metohisë e Maqedonisë, materiali i të cilëve do të na ndihmojë për të hedhur një vështrim retrospektiv.

Me islamizimin në masë të shqiptarëve në shek. XVII, folësit e gjuhës shqipe u ndanë në tre besime fetare – në katolikë, ortodoksë dhe myslimanë. Për konceptin mesjetar, ishte e vështirë që shqiptarët myslimanë të quheshin arbër apo epirotë, përderisa ata nuk qenë as katolikë, as ortodoksë. Qenë vetë qarqet qeveritare osmane, të cilët u dhanë atyre emrin “arnautë”. Por prirja e shqiptarëve për të mos i dhënë rëndësi përkatësisë fetare, e cila sillte diferencimin në radhët e tyre, solli si pasojë nevojën për një emërtim të përbashkët etnik për mbarë folësit e gjuhës shqipe. Apelativi i ri lindi nga fjala shqip, të cilën e ndeshim që te Buzuku, nënkuptimin e gjuhës që e kuptonin të gjithë banorët shqipfolës. Që këtej lindi apelativi “shqiptar”, ai që flet shqip, ai që e kupton gjuhën shqipe.

Me sa dimë, apelativi shqiptar zëvendësoi për të parën herë në burimet e shkruara historike emrat arbër dhe epirotë në shek. XVIII, kurse emri i vendit Shqipëri në vend të Arbërisë dhe të Epirit u sanksionua në fushën e shkrimit në shek. XIX. Si apelativi për banorin shqiptar, ashtu dhe ai për atdheun Shqipëri, u përhapën në mënyrë të rrufeshme gjatë Rilindjes Kombëtare vetëm në radhët e shqiptarëve që nga Mitrovica deri në Prevezë. Për qarqet e huaja u përhap apelativi Albanese për banorin dhe Albania për vendin, i cili zëvendësoi gjithashtu në mënyrë të rrufeshme apelativat historikë arbanitë, epirotë dhe arnautë.

ETNOGJENEZA E SHQIPTARËVE VËSHTRIM HISTORIK

Një vepër e re studimore e akademikut kristo Frashëri sapo është botuar nën logon e botimeve M&B. Mografia “Etnogjeneza e shqiptarëve” është një vështrim historik, që trajton që në hyrje problemin e metodikës dhe metodologjisë që kanë ndjekur deri sot dijetarët e ndryshëm dhe, pasi vihen në dukje dobësitë e disave prej tyre, sugjerohen kritere më shkencore në trajtimin e albanologjisë dhe të ilirologjisë. Pastaj kalohet në trajtimin e mirëfilltë të të dy problemeve.

Bëhen përpjekje për të hedhur ndopak dritë mbi popullatat e stërlashta që kanë banuar në kohët parahistorike, në trojet e sotme shqiptare dhe të gjurmëve që ato kanë lënë në formimin e etnosit shqiptar dhe të gjuhës shqipe. Flitet për popullatat paraindoeuropiane që banonin në këto vise. Trajtohet e ashtuquajtura çështje pellazgjike. Më tej trajtohet problemi i gjenezës së ilirëve dhe përfundohet me etnogjenezën e shqiptarëve. Monografia mbyllet me shfaqjen në vitin 1043 në fushën e dokumentacionit historik të emrave Arbër dhe Albani si apelativa krahinorë dhe shndërrimin e tyre më vonë në emërtime kombëtare.

Me rastin e këtij botimi historiani Frashëri ka deklaruar se për këtë trajtesë është mbështetur në kronologjinë historike që disa dijetarë mendojnë se i përshtatet parahistorisë së Europës Juglindore: grupet njerëzore që banonin në Europën Juglindore në Paleolitin e vonë quhen në mënyrë konvencionale popullata të Cro- Magnon-it. Popullatat që këtu banonin gjatë Neolitit të hershëm dhe të mesëm (7000–4000 p.e.r.) quhen popullata paleoballkanike. Ato të Neolitit të vonë, që nga fillimi i mijëvjeçarit të katërt deri në mesin e mijëvjeçarit të tretë p.e.r. (4000–2500 p.e.s), popullata të grupit etnikogjuhësor alarodik ose mesdhetare. Ato të epokës eneolitike (2500–2000 p.e.r.), popullata protoindoevropiane, ku bënin pjesë edhe pellazgët. Për banorët e epokës së bronzit (e cila mbulon mijëvjeçarin e dytë p.e.r.), nënkuptohet se është fjala për popullatat indoeuropiane – grekët, trakët, protoilirët, dorët, ilirët… Nga ky libër me mjaft interes ne zgjodhëm për lexuesit tanë me lejen e botuesit kapitullin ku trajtohet emri etnik i shqiptarëve./Shqiptarja/

Më Shumë

Ardienne GodBold rikthehet te KBF Bashkimi për pjesën e dytë të sezonit

Pas një viti mungese, Ardienne GodBold, e njohur me nofkën "Nunu", është rikthyer te KBF Bashkimi. Ky rikthim i saj vjen si përforcim për...

Komuna dhe partnerët diskutojnë procesin e ndërtimit të teleferikut për në Kalanë e Prizrenit

Drejtues të Komunës së Prizrenit kanë takuar zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe ata të Swiss Contactit për të shqyrtuar...

Lajmet e Fundit