Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj thotë se oferta e partisë së tij është më e mira për Prizrenin.
Ai, premton se do të punojë së bashku për ta shndërruar Prizrenin, në një qendër të zhvillimit ekonomik, të turizmit, të kulturës dhe sportit .
“Na pret një punë e madhe për të biseduar me secilin qytetar pse oferta jonë është më e mira”, shkruan ai në Facebook, transmeton PrizrenPress.
Postimi i plotë në Facebook
Nevoja e vazhdueshme e qytetarëve dhe shoqërisë civile për ndryshime në Prizren, ka artikuluar kërkesën për profile të reja profesionale që do të mund ta qeverisin qytetin e lashtë e të bukur të Prizrenit.
Një kërkesë, të cilën si qytetar i lindur e rritur në Prizren, nuk mund ta injoroja lehtësisht. I nxitur nga pyetja çfarë mund të bëj më shumë për Prizrenin, dhe të gjithë së bashku përqytetin tonë, e kam parë të domosdoshëm angazhimin politik, pas atij qytetar, profesional e sportiv për vite me radhë në Prizren.
Qindra mesazhe dhe telefonata përkrahjeje që kam pranuar këto ditë janë dëshmia më e mirë për vendimin e drejt që kam marrë për ti hyrë garës, me shpresën dhe besimin e fortë se mund ta bëjmë së bashku qytetin tonë.
Duke iu falënderuar vizionit të Kryetarit të PDK-së, z. Kadri Veseli dhe guximit të tij për t’ia dhënë besimin një personi i cili deri më tani asnjëherë nuk ka qenë në politikë, si dhe me përkrahjen e strukturave të partisë, unë kam nderin ti prij garës për të parin e qytetit në zgjedhjet e 22 tetorit.
Padyshim, besimi që kam marrë nga kryetari Veseli dhe lidershipi i partisë janë një respekt dhe mirënjohje e veçantë por edhe një përgjegjësi e madhe.
Do të punojmë së bashku për ta shndërruar Prizrenin në një qendër të zhvillimit ekonomik, të turizmit, të kulturës dhe sportit përmes mobilizimit qytetar, intelektual dhe energjisë pozitive të njerëzve që ja duan të mirën qytetit.
Qeverisjen e shoh si përgjegjësi dhe jo privilegj prandaj çdo herë do të veproj në bazë të ligjeve dhe standardeve demokratike. Në jetë udhëhiqem nga parimi se gjithmonë ka vend për më mirë. Kështu e kam ngritur me shumë bashkëpunëtorë Administratën Tatimore në Prizren, kualifikimet e mija profesionale dhe angazhimin vullnetar për vite me radhë për basketbollin e Prizrenit dhe të Kosovës.
Prandaj, nga sot na pret një punë e madhe për të biseduar me secilin qytetar pse oferta jonë është më e mira.