2.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Përse nuk ribotohen veprat e Ukshin Hotit?

Drilon Milazimi

Ukshin Hoti, student i Zagrebit, student e shkencëtar i pavarur i Harvardit, profesor i Universitetit të Prishtinës, intelektual i jashtëzakonshëm dhe mbase njohësi më i mirë ndër ne i politikave gjeostrategjike e ndërkombëtare, përfshirë ato rajonale. Është ndër të paktit intelektual që nga viti 1981, hapur u pozicionua me tërë qenien e tij intelektuale e fizike në shërbim të popullit dhe ëndrrës për liri. Nuk ishte vetëm veprimi konkret atdhetar e politik, po në radhë të parë idetë e Ukshin Hotit, që bënë që pjesën më të mirë të jetës së tij ta kalojë në burg…dhe që të mos dal që andej e të konsiderohet edhe sot i zhdukur.

Sot, publikohet dhe botohet shumëçka.

Arka e shtetit ka mbuluar financiarisht vepra të autorëve të cilët për nga relevanca ende mbeten të papërfillshme në krahasim me peshën e veprës së Ukshin Hotit.

Përderisa, institucionet tona politike më shumë i kushtojnë rëndësi dhe seriozitet ventilimit të zyrave e homologimit të veturave, se sa kryeveprës së pa kapërcyeshme të Ukshin Hotit “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, atëherë lirisht mund të konstatojmë se rrugët e progresit dhe zhvillimit jemi duke i minuar me vetëdije.

Indiferenca, mos investimi dhe në aktin e fundit edhe mos ngritja e zërit për financimin dhe ribotimin e këtij libri është më së paku goditje ndaj individit, por vetëdijshëm e turpërueshëm, në masë të madhe goditje ndaj vlerave historike dhe shkencore.

Libri është botuar në vitin 1995, në kohën kur profesor Ukshin Hoti po mbahej në burgjet serbe. Çizmështypësit serb nuk mund ta paramendonin atë të lirë rrugëve të Prishtinës dhe Kosovës e pa lidhëza metali në duar. A nuk është paradoksale që tani; 20 vite pas çlirimit e 11 vite pas pavarësisë, në vend se mendimet e tij pothuajse gjeniale të artikuluara në këtë libër të shpërndahen tek çdo qytetar, familje, bibliotekë e institucion arsimor, të ndodhë e kundërta – anomalia e çuditshme e pluhurosjes së trurit të kombit tonë. Epidemia kolektive e harresës?!

Për të dëshmuar fuqinë e mendimit dhe artikulimit politik të Ukshin Hotit, njohuritë, vizionin dhe thellësinë shkencore si edhe raportin e interpretimit teorik me praktikën politike, po paraqes këtu vetëm disa nga mendimet e Ukshin Hotit, shkruar në librin që sot nuk gjen vullnetin e ribotimit.

– Politika e vërtetë është një kalkulim matematikor i pikave tangjente të rrymave të ujit me akullin mbi të.

– Përderisa me një vepër të bukur artistike mund të kënaqen shumë njerëz, me një vepër të bukur politike mund të shpëtohet një popull.

– Politika për fat të keq është një shkencë dhe një veprimtari shoqërore për të cilën shumë njerëz të pa informuar, as për njërën e as për tjetrën, e konsiderojnë veten kompetent. Në këtë pikë politika barazohet me poezinë. Sikurse që në poezi çdo vjershëtar nuk bëhet automatikisht edhe poet, edhe në politikë çdo njeri që merret me të nuk bëhet automatikisht njohës i saj.

– Demokracia nuk mund të jetë kundër elitës, por kundër elitizmit, d.m.th. kundër elitës për hir të elitës.

– Ndryshimi i kufijve mund të bëhet vetëm si produkt i marrëveshjes së superfuqive. Kosova Republikë nuk ndryshon kurrfarë kufijsh ndërkombëtarë. Ndërkaq, ndryshimi ndërkombëtar i kufijve nënkupton luftë të armatosur në përmasa evropiane.

– Për vitet e ’80-ta, nuk pajtohem me emërtimin marksist-leninist. Emërtimi i tillë ka qenë në modë atëherë sikur që sot është në modë të themi se të gjithë jemi demokratë. Prapa marksizëm-leninizmit të tyre ka qenë i fshehur atdhetarizmi i tyre. Mos pajtimi me gjendjen ekzistuese.

– Çdo betejë politike që zhvillohet pa luftë të armatosur, mund të quhet rezistencë pasive. Kjo do të thotë që goditjeve dhe reprezaljeve të mos iu përgjigjesh në të njëjtën mënyrë. Mirëpo, po u shikua më thellë, edhe rezistenca pasive është aktive, për shkak se është aktiv faktori politik që të detyron për një sjellje të tillë.

– Gjatë 2500 viteve kemi luftuar duke i lënë problemet të zgjidhen më vonë. Por, gjithmonë kemi mbetur të shtypur për shkak se s’kemi pasur ndonjë guxim t’i zgjidhim problemet e brendshme paralelisht me zgjidhjen e pozitës ndërkombëtare.

– Kur një popull arrin t’i njohë jo vetëm interesat e veta, por edhe mënyrën e realizimit të atyre interesave, vetëm atëherë mund të flitet se mund të kihet shpresë dhe mbështetje për optimizëm. Por kur një popull mashtrohet me parulla të ndryshme, atëherë nuk mund të flitet as për shpresë dhe as për optimizëm.

– Ekziston vetëm një interes i denjë për njeriun, interesi i jetës me dinjitet njerëzor. Mendja do të duhej t’i njerëzojë interesat në mënyrë që realizimi i tyre konkret:

– Mos t’i shndërrojë njerëzit në bisha,

– Popujt në kope ujqërish,

– Kombet në përbindësha çeliku, baroti e plumbi.

Më Shumë

Trajnime falas për tregun e punës në Prizren

Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve në Prizren, bashkë me ITI Pro Kosova, do të organizojnë trajnime falas për tregun e punës. Ky trajnim mbështetet nga...

Ylli shkëlqen ndaj Tiranës

Golden Eagle Ylli fitoi përballjen ndaj Tiranës me rezultat 87:59 (32:12, 16:22, 26:14, 13:11), në javën e parë të Ligës Unike. Te vendasit u dalluan...

Lajmet e Fundit