4.8 C
Prizren
E shtunë, 26 Tetor, 2024

206 vjet nga lindja e Jeronim De Radës

Jeronim De Rada, një ndër figurat më të ndritura të botës arbëreshe, themeluesi i Rilindjes tonë Kombëtare, mësues, botues, folklorist, filolog dhe poet i shquar lindi 206 vite më parë më 29 dhjetor 1814 në komunën e Maqit, (Macchia) në Kozenca të Italisë.

De Rada që herët iu përkushtuar çështjes shqiptare. Aktivitetet e tij publicistike, letrare dhe politike, ishin thelbësore jo vetëm për ndërgjegjësimin rreth minoritetit Arbëresh në Itali, por edhe për vendosjen e themeleve të një letërsie kombëtare shqiptare.

Veprat e tij, në të cilat mbizotëron dashuria e zjarrtë për prejardhjen e tij, janë një dëshmi e mbijetesës së identitetit shqiptar, i vënë përballë sfidave të shumta gjatë historisë. Në tetor të 1934-s, me dëshirë të babait të tij, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë së Napolit, por fokusi kryesor i tij mbeti mbledhja e materialeve folklorike dhe letërsia.

Pikërisht në Napoli, më 1836 nxori botimin e parë të poemës së tij më të njohur në shqip “Këngët e Milosaos”, me titullin Poezi shqiptare të shekullit XV. Vepra e tij e dytë, Këngë historike shqiptare të Serafina Topisë, grua e princit Nikollë Dukagjini, Napoli 1839 nuk u la të qarkullojë nga autoritetet burbone nën pretekstin se De Rada kishte lidhje me grupet komplotiste gjatë të ashtuquajturit ‘Risorgimento’ në Itali.

Në vitin e revolucioneve në Evropë, më 1848 De Rada themeloi gazetën “Shqiptari i Italisë” (L’Albanese d’Italia), ku u përfshinë artikuj në gjuhën shqipe. Kjo gazetë dygjuhëshe, me karakter ‘politik, moral e letrar’ e me një tirazh prej 3200 kopjesh, ishte i pari periodik në gjuhën shqipe i botuar ndokund. Më 1883 themeloi revistën mujore dygjuhëshe “Fiamri Arbërit”.

Ky periodik, i botuar në fillim në Macchia e më pas në Kozencë, zgjati deri në nëntor të vitit 1887 dhe me gjithë censurën turke e greke, lexohej gjerësisht edhe nga shqiptarët në Ballkan. Më 1892 De Rada u riemërua mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër dhe më 1895 organizoi të parin kongres gjuhësor arbëresh në Koriliano Kalabro. / KultPlus.com

Më Shumë

247 blegtorë të Komunës së Rahovecit përfitues të mbështetjes komunale

Përmes një njoftimi Komuna e Rahovecit ka bërë të ditur që po vazhdon të mbështesë blegtorët e kësaj komune. Sipas njoftimit të bërë nga Komuna...

Lojtaret më të dalluara të xhiros së dytë në Superligën Femrat

Fundjava që lamë pas ka sjellur super ndeshje në kuadër të Supërligës Femrat. Bashkimi, Penza e Junior 06 janë skuadrat që shënuan fitore këtë...

Lajmet e Fundit