-1.2 C
Prizren
E mërkurë, 15 Janar, 2025

Janë dhënë fjalët përfundimtare në rastin ku po gjykohet për korrupsion ish-inspektori i ndërtimit në Prizren

Të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, janë dhënë fjalët përfundimtare në rastin ku po gjykohet për korrupsion ish-inspektori i ndërtimit në Prizren, Bashkim Krasniqi.

Në fillim të kësaj seance, prokurori Metush Biraj, në fjalën e tij përfundimtare tha se qëndron në tërësi pranë fjalës përfundimtare që ka dhënë në gjykimin e mëparshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Komunës së Prizrenit, avokati Blerim Mazreku, deklaroi se mbështet pretendimet e prokurorit Biraj, duke shtuar se nëse i akuzuari shpallet fajtor, komuna do të filloj procedurën kontestimore për kompenzim dëmi.

Pas këtyre, mbrojtësi i të akuzuarit Bashkim Krasniqi, avokati Driton Shehu tha se fjalën përfundimtare të tij e ka përpiluar me shkrim, të cilën e dorëzoi kopje, duke kërkuar që e njëjta të jetë pjesë e procesverbalit.

I akuzuari Bashkim Krasniqi në fjalën e tij përfundimtare tha se e mbështet në tërësi fjalimin e mbrojtësit të tij, avokatit Shehu.

Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi njoftoi se shqyrtimi për fjalën përfundimtare përfundon, duke njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 01 shkurt 2021, në ora 09:30 minuta.

Lidhur me këtë akuzë, Bashkim Krasniqi ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren, më 18 nëntor 2019, me arsyetimin se nuk është provuar se i njëjti e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet. Mirëpo, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim, me arsyetimin se duhet vlerësuar provat dhe të rivendoset për këtë çështje penale.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 25 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Bashkim Krasniqit, të cilin e ngarkon se në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se përkundër njoftimit të fundit të lëshuar më 20 tetor 2014, nga Drejtoria e Inspektorateve në Prizren, adresuar investitorit Xhavit Bytyçi, pronar i kompleksit hotelier- shtëpizave nga konstruksioni i drurit “Crazy Love” në Prizren, i bazuar në konkluzionin mbi lejimin e ekzekutimit të dhunshëm të lëshuar më 2 maj 2014, i akuzuari nuk e ka bërë ekzekutimin më 24 tetor 2014 edhe pas kësaj date, edhe pse i njëjti ka qenë i detyruar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Peja ia bën 3-0 Prizrenit

Peja ka shënuar edhe fitoren e tretë ndaj Prizrenit këtë stinor në kampionat, ndërsa sonte pas çerekut të parë të fortë 32-18 ka çuar...

Arrestohen katër të mitur në Prizren, e sulmuan një person dhe ia morën 200 euro

Katër persona janë arrestuar pasi dyshohet se me forcë dhe me përdorimin e mjetit të mprehtë (thikë) ia kanë marrë një personi tjetër me...

Lajmet e Fundit