2.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

G-7 paralajmëron për pasojat e krizës së drithërave

Grupi i Shtatë ekonomive kryesore të botës paralajmëroi të shtunën se lufta në Ukrainë po krijon një krizë globale ushqimore dhe energjitike që kërcënon vendet e varfra dhe se nevojiten masa urgjente për të zhbllokuar rezervat e drithit që Rusia po i pengon të dalin nga Ukraina.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, e cila organizoi takimin e diplomatëve të lartë të G-7, tha se lufta ishte kthyer në një “krizë globale”.

Ajo tha se deri në 50 milionë persona, veçanërisht në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, do të përballen me urinë në muajt e ardhshëm nëse nuk gjenden mënyra për të zhbllokuar grurin ukrainas, i cili përbën një pjesë të konsiderueshme të furnizimit në mbarë botën.

Në deklaratat e lëshuara në fund të takimit tre-ditor në bregun gjerman të Detit Baltik, G-7 u zotua të sigurojë ndihmë të mëtejshme humanitare për më të rrezikuarit.

“Agresioni i Rusisë ka gjeneruar një nga krizat më të rënda të ushqimit dhe energjisë në historinë e dekadave të fundit e cila tani kërcënon ata që janë në pozitat më të brishta në të gjithë globin,” tha në një deklaratë Grupi i Shtatëshes.

“Ne jemi të vendosur të përshpejtojmë një përgjigje të koordinuar shumëpalëshe për të ruajtur sigurinë globale të ushqimit dhe të qëndrojmë pranë partnerëve tanë më të rrezikuar në këtë drejtim,” vazhdon më tej deklarata.

Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Melanie Joly, tha se vendi i saj, një tjetër eksportues i madh bujqësor, është gati të dërgojë anije në portet evropiane në mënyrë që gruri ukrainas t’u dërgohet atyre në nevojë.

“Ne duhet të sigurohemi që këto drithëra të dërgohen,” u tha ajo gazetarëve. “Nëse jo, miliona njerëz do të përballen me zinë e bukës.”

Rusia hodhi poshtë pretendimin se ishte përgjegjëse për përkeqësimin e urisë globale dhe rritjen e çmimeve të ushqimit.

“Çmimet po rriten për shkak të sanksioneve të vendosura nga Perëndimi nën presionin e SHBA-së”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova.

Vendet e G-7 i bënë thirrje gjithashtu Kinës që të mos ndihmojë Rusinë, përfshirë duke minuar sanksionet ndërkombëtare ose duke justifikuar veprimet e Moskës në Ukrainë.

Pekini duhet të mbështesë sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, dhe jo “të ndihmojë Rusinë në agresionin e saj,” thanë ata.

G-7 i kërkoi Kinës “të heqë dorë nga angazhimi në manipulimin e informacionit, dezinformimin dhe mjete të tjera për të legjitimuar agresionine Rusisë kundër Ukrainës.”

Grup që përbëhet nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij se territoret e pushtuara nga forcat ruse duhet t’i kthehen Ukrainës.

“Ne nuk do t’i njohim kurrë kufijtë që Rusia është përpjekur të ndryshojë me agresion ushtarak,” thanë ata.

Takimi në Weissenhaus, në verilindje të Hamburgut, u cilësua si një mundësi për zyrtarët për të diskutuar mbi implikimet më të gjera të luftës për gjeopolitikën, energjinë dhe sigurinë ushqimore, dhe përpjekjet e vazhdueshme ndërkombëtare për të trajtuar ndryshimin e klimës dhe pandeminë.

Në një seri deklaratash përmbyllëse, vendet e G-7 trajtuan gjithashtu një gamë të gjerë problemesh globale nga situata në Afganistan e deri te tensionet në Lindjen e Mesme.

Të premten, Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba u bëri thirrje vendeve mike që të ofrojnë më shumë mbështetje ushtarake për Kievin dhe të rrisin presionin ndaj Rusisë, duke përfshirë sekuestrimin e pronave të saj jashtë vendit për të paguar për rindërtimin e Ukrainës.

Kuleba tha se vendi i tij mbetet i gatshëm të bisedojë me Rusinë për zhbllokimin e furnizimeve me grurin e bllokuar në depot e Ukrainës dhe gjithashtu për arritjen e një marrëveshjeje politike për t’i dhënë fund vetë luftës, por deri më tani nuk kishte marrë “asnjë reagim pozitiv” nga Moska.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha në një intervistë të botuar të shtunën se ai nuk kishte parë ndonjë ndryshim në qëndrimin e presidentit Putin kohët e fundit.

Scholz, i cili foli gjatë në telefon me udhëheqësin rus të premten, i tha një portali gjerman të lajmeve t-online se Putini kishte dështuar në arritjen e objektivave ushtarake që kishte vendosur në fillim të luftës.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken, nuk mori pjesë në takimin e G-7 por pritet të marrë pjesë në atë të NATO-s të dielën. /VOA

Më Shumë

Prokurori nga Prizreni Petrit Kryeziu thyen rekord, këto janë pikët që ka marrë në test

Prokurori Petrit Kryeziu ka thyer rekord në rezultatin e intervistës për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prizren. Ai ka grumbulluar gjithsej 97.6 pikë, ku rezultatet...

Mbështetje shtesë për fëmijët dhe pensionistët, Murati: Pagesat do të ekzekutohen javën e ardhshme

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se edhe këtë vit do të ketë mbështetje shtesë për fëmijët dhe pensionmarrësit. Murati ka bërë...

Lajmet e Fundit