13.9 C
Prizren
E diel, 9 Nëntor, 2025

“Ekspertët” shqiptarë

Nga: Faik Konica

Në një shtet të ri, të çarë nga partitë dhe nga interesat vetjake, siç ka qenë Shqipëria gjer dje, ministra dhe politikanë janë ngritur dhe kanë rënë, janë dukur dhe zhdukur. Vendet, punët, rrogët, kurdoherë të tundura, s’kanë qëndruar shumë kohë të lidhura me persona të caktuara. Sot njëri, nesër tjetri, një lëvizje dhe një ndërrim i papushuar kanë prurë kurdoherë përpara perdes fytyra të ra.

Po në këtë fluturim të çuditshëm që mund të shëmbëllehet vetëm me Meksikën dhe me republikat e tjera të Amerikës së Mesme, një grusht njerëzish në Shqipëri kanë mundur të mbajnë e të shtojnë rrogët e tyre dhe të rrinë të patundur në mes të fortunave. Këta njerëz janë të vetëquajturit “ekspertë”. Shqiptarë dhe “eksperte”! Po “ekspertë” në ç’degë? Në gjithë degët e botës – dhe në ca të tjera përveç të gjithëve. Burimi i këtyre njerëzve asht i ndryshëm. Ca kanë dalë nga administrata e Turqisë, ku kalbeshin në latrinat e huqumeteve si kapistë; ca janë ngritur nga moçalet dhe llucat e Myzeqesë ose të Durrësit dhe janë sulur të rrinë në frona, pa fshirë baltën e njomë nga opingat e tyre. Guximi dhe paturpësia e tyre zunë vendin e diturisë, serviliteti i tyre në të zotërit e ditës zunë vendin e shërbimeve kombit.

Çudia është se këta njerëz njëqind herë të kapur në lajthime qesharake ose të dëmshme; nuk u tronditën aspak nga vendi, kurse ata që zbuluan lajthimat u shtrënguan të hiqen. Me të ardhur të Monarqisë, Shqipëria shikoi ndryshime në gjithë faqet e shtetit: po “ekspertët” janë në vend të tyre, më të patundur se Dajti, më të fortë se Tomori!

Për shembull, të parë do të marr një pikë e cila mund të çmohet menjëherë nga shqiptarët e Amerikës. Në një letër të shkruar frëngjisht dhe të drejtuar Presidentit Coolisge; “eksperti” që kish për barrë të shkruajë tekstin kish vënë këtë titull: “A Monsieur le President de la Republique des Etats Unis d’Amerique.”

I shkreti “ekspert’ s’kish edhe marrë vesh që Shtetet e Bashkuara duke qenë jo një republikë, po një bashkim dyzet e tetë republikash, të cilat kanë sicilado kryetarin e tyre, titulli i kryetarit të përgjithshëm nuk është “Kryetari i Republikës”, po është “Kryetari i Shteteve të Bashkuara”, që ka një kuptim fare tjetër.

Më Shumë

Kardiologjia Invazive në Spitalin e Prizrenit realizoi 82 procedura të pavarura brenda dy muajve

Shërbimi i Kardiologjisë Invazive në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit ka shënuar një hap të madh në ofrimin e trajtimit modern për pacientët me...

Dalin fotografitë e dy vëllezërve që mbetën të vrarë sot në Malishevë

Dy vëllezër mbetën të vrarë sot në Gollubovc të Malishevës, ndërsa dorasi dyshohet të jetë dhëndri i tyre. Nëpër rrjete sociale kanë nisur të qarkullojnë...

Lajmet e Fundit