20.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Kurti shkon në Prevallë me krerët e komunave, diskutuan për sundimin e ligjit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një takim në Prevallë me kryetarët e nënkryetarët e komunave të Kosovës, diskutoi për “Të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe investimet”.

Takimi është organizuar nga zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, në sesionin e parë të të cilit u diskutua për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, me theks te zbatimi i të drejtave të komuniteteve pakicë.

Kurti shprehu kënaqësinë që së bashku me udhëheqësit e komunave do të diskutojnë tema që kanë rëndësi për shtetin, shoqërinë në përgjithësi dhe qytetarët.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, mësimet e saj dhe detyrimet që derivojnë nga ajo, mbesin referencë e çdoditshme e jona dhe e punës tonë. Ato na shërbejnë si udhërrëfyes për secilin vendim tonin. E pra, synimi më i mirë për mbrojtjen, garantimin dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut për ne është burim i çdo vendimi, si dhe shkak i çdo veprimi”, u shpreh Kurti.

Ai riktheksoi se drejtësia është njëra nga dy prioritetet e qeverisë së tij, përcjell Klankosova.tv.

“E infrastrukturë kyçe e kësaj rruge të duhur është një sistem i drejtësisë i cili duhet të sigurojë e të përkujdeset për aplikim të gjithmonshëm të rendit e të ligjit. Kjo është arsyeja pse drejtësia është njëri nga dy prioritetet tona dhe opinionet e javës së kaluar nga Komisioni i Venecias për dy çështjet më integrale lidhur me të, na treguan se reforma e hartuar nga ana jonë është edhe adekuate edhe e nevojshme”, tha kryeministri Kurti.

Aty folën edhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu si dhe kryetarët e nënkryetarët e komunave.

Zëvendëskryeministrja Rexhepi theksoi domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të komuniteteve pakicë, të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, krijimin e kushteve për lëvizje të lirë dhe për punësim.

Ndërkaq, Ministrja Haxhiu kërkoi nga udhëheqësit komunalë angazhim edhe më të madh në zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si edhe parandalimin e ndikimit politik nëpër gjykatat komunale.

Kryetarët e nënkryetarët e komunave e cilësuan të dobishëm takimin dhe temën e diskutimit.

Ata  theksuan sfidat dhe problemet që hasin gjatë zbatimit të ligjit, projektet e ndryshme me organizata joqeveritare dhe ambasadat e huaja për përmirësimin e kushteve për komunitetet pakicë, nevojën për reforma administrative, problemet me mungesën e noterëve nëpër komuna e të tjera.

Më Shumë

Përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe LVV-së për planin e ndërtimit të tunelit në rrugën Prizren – Tetovë

Marrëveshja për hartimin e projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren, ka nxitur debat të ashpër mes deputetit të PDK-së Ferat Shala dhe...

Dërgohet në mbajtje shoferi i veturës së përfshirë në aksidentin ku mbetën të vdekur dy persona në Suharekë

Një aksident mes një motoçiklete dhe një veture ka ndodhur në Shirokë të Suharekës ku si pasojë kanë vdekur dy persona, të dielën. Lajmin për...

Lajmet e Fundit