13.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

“Pse duhet të fokusohemi në energjinë e gjelbër” – Zyra e BE-së në bashkëbisedim me studentët e Universitetit të Prizrenit

Zyra e BE-së në Kosovë ka mbajtur një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit nga Universiteti i Prizrenit, me temën “Pse duhet të fokusohemi në energjinë e gjelbër”, me qëllim për të promovuar mbështetjen e tyre në Kosovë, me theks të veçantë për energjinë e gjelbër dhe rininë, raporton Ekonomia Online.

Temat kryesore që u diskutuan ndërmjet përfaqësuesve të BE-së dhe studentëve ishin energjia, burimet e ripërtërishme, përkrahja e BE-së për sektorin energjetik, programet dhe projektet rinore të mbështetura nga BE-ja dhe përkrahja e përgjithshme për Kosovën.

Që nga viti 2007, BE-ja ka mbështetur Kosovën me 194.6 milionë euro për sektorin e energjisë.

Me këtë rast, AnnaCarin Platon, zëvendës-shefe e Zyrës së BE-së, bëri të ditur se Kosova do të përfitojë 75 milionë euro si pjesë e pakos së fundit të mbështetjes së energjisë së gjelbër.

“BE-ja është e përkushtuar të mbështesë Kosovën në tranzicionin e gjelbër, duke përfshirë asistencën teknike dhe investimet në efiçencën e energjisë, energjinë e rinovueshme, tranzicionin nga qymyri dhe investimet në menaxhimin e mjedisit”.

“Kosova do të përfitojë 75 milionë euro për projektet e energjisë diellore dhe sistemet e ngrohjes qendrore me energji të pastër në tetë qytete, si pjesë e pakos së fundit të mbështetjes së energjisë”.

Platon gjithashtu potencoi edhe humbjen e investimeve si pasojë e mos-tranzicionit në energji të gjelbër.

“Përveç ndikimit në mirëqenien dhe shëndetin, tranzicioni në energjinë e gjelbër sjell edhe investues në Kosovë”, theksoi ajo.

“Shumë kompani të interesuara kanë shprehur shqetësimet e tyre për emetimet e CO2, e kjo tregon se përveç kostove të tjera, edhe kostoja oportune është shumë e lartë”.

Alessandro Bianciardi, zëvendës-shef i bashkëpunimit i Zyrës së BE-së, tha se Kosova ka nevojë të prodhojë energji në mënyra të tjera të pastra, e jo vetëm nga thëngjilli.

“Shoqëria jonë mund të funksionojë si një pyll, i cili nuk ka nevojë për asnjë impiant energjetik – ka energji diellore, energji të erës etj. Kosova mund të bazohet në këtë shembull, prandaj prodhimi i energjisë duhet të decentralizohet dhe të diversifikohet”.

“Në Kosovë 95% e energjisë prodhohet nga thëngjilli. Qëllimi i BE-së për Kosovën është që të ketë sa më shumë alternativa ‘të pastra’ të prodhimit të energjisë”.

Mes tjerash, në këtë diskutim u tha se deri në vitin 2030 BE-ja ka qëllim që të reduktojë emetimet neto të gazeve serrë me të paktën 55%.

Në anën tjetër studentët shprehën shqetësimin e tyre me dëmin që i bëhet ambientit nga termocentralet dhe shprehën idetë e tyre për një të ardhme të gjelbër, me energji të pastër. Poashtu kërkuan nga zyrtarët e Zyrës së BE-së të vazhdojnë mbështetjen e tyre në këtë drejtim.

730 milionë euro janë zotuar për të mbështetur zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Kjo ngjarje informuese është pjesë e fushatave të Zyrës së BE-së #ForYouWith You (e cila promovon mbështetjen e BE-së për Kosovën) dhe #ForGoodEnergy, dhe do të vazhdojë edhe në komunat e tjera./ekonomiaonline

 

Më Shumë

Voziti dyfish më shpejtë se sa e kishte të lejuar, gjobitet shoferi me 500 euro, 5 pikë negative dhe ndalim ngasje për 6 muaj

  Është gjobitur një shofer me 500 euro, pesë pikë negative dhe gjashtë muaj ndalim drejtimi të mjetit, për arsye se në zonën ku kufizimi...

Moti sot me diell, temperatura deri në 25 gradë celsius

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot do të ketë mot kryesisht me diell. Sipas njoftimit të këtij instituti, temperaturat do të...

Lajmet e Fundit