16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova kur ata po dëboheshin nga shtëpitë e tyre nga regjimi i Serbisë. Edhe këtë përvjetor qytetarë të shumtë u nisën drejt qytetit verior të Shqipërisë, për t`i falënderuar kuksianët për mikpritjen dhe bukën që ndanë me popullatën e shpërngulur me forcë.
Është viti i 24 prej kur qytetarë të shumtë nga Mitrovica dhe qytete të tjera të Kosovës vizitojnë Kukësin, për të kujtuar kështu dëbimin masiv të vitit `99 nga forcat serbe
Për më shumë se dy dekada, këtë rrugë e bën edhe Bilall Hasani nga Mitrovica.
” Familjen e kam pas në Gostil, kanë jetua mirë i kanë prit mirë, te Rexhep Cena kanë qenë “, tha Bilall Hasani nga Mitrovica.
Eksodi `99 kalimin e pikës kufitare e bëri në këmbë, ndërsa emocioni është i njëjtë.
” Realisht ne kemi një emocion të paparë kryesisht për ata njerëz që kanë përjetuar ato ngjarje tragjike , që në fund fatbardhësisht përfunduan me një krenari të veçantë”, tha Mustaf Kryeziu nga Këshilli organizativ.
Në Vërmicë kolonën e këtij manifestimi e shoqëroi ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi.
“Kjo që po ndodh sot është vetëm një simbolikë, sepse, lufta njerëzit i bashkoi edhe më tej, i bëri që të jenë krah njëri tjetrit , të bashkëpunojnë të punojnë për të arritur një qëllim të përbashkët në interes të kombit”, tha Qemajl Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë.
Për herë të parë në pikën kufitare të Vërmicës u ekspozuan 99 fotografi të fotografit Asllan Krasniqi, të shkrepura pikërisht këtu.
” Në maj të vitit 99 janë bërë pikërisht këtu”, tha Asllan Krasniqi, fotograf.
Deri në qytetin e Kukësit kolona me qytetarë nga Kosova u shoqërua nga policia e shtetit shqiptar.
Ndërsa në destinacion pjesëmarrësit e Eksodit 99-të i priti kryebashkiaku i Kukësit.
“Ju uroj mirëseardhje në Kukës, si sot 24 vjet më parë, Kukësi ishte plot me 500 kosovarë vëllezërit tonë që si në shtëpi të vet , e kështu që kjo është shtëpi e përbashkët tashmë”, Safet Gjici, kryetar i Bashkisë së Kukësit.
Gjatë gjithë ditës qytetarët nga Kosova shëtisin dhe kujtojnë për të mos harruar kurrë pranverën e vitit 1999.RTK