5.7 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Opozita: Qeverisja Thaçi, e dështuar

KuvendiKosoves5-27Përfaqësuesit e dy partive më të mëdha opozitare, LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje! nuk janë pajtuar me konstatimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit se për gjashtë vjet të qeverisjes së tij kanë ndodhur rezultate të prekshme dhe thelbësore.

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka thënë se gjatë periudhës gjashtëvjeçare të qeverisjes Thaçi është shënuar pak progres.

“Kur flasim për qeverisjen Thaçi, aq më shumë në këto vitet e fundit, mund të themi se është qeveri e dështuar, e cila nuk jep shpresë për qytetarët. Kjo qeveri është përcjell me një shkallë të lartë të papunësisë dhe të korrupsionit. Për këto gjashtë vjet ka pak progres. Kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk mund të krenohen me atë që është bërë gjatë kësaj periudhe. Edhe ajo që është arritur është realizuar me një kosto shumë të lartë”, ka deklaruar Beqiri për “Epokën e re”.

Ai është shprehur i pakënaqur edhe me mandatin e parë të qeverisjes Thaçi, ku pjesë e kabinetit qeveritar ka qenë edhe LDK-ja.

“Jam i vetëdijshëm se në një periudhë kohore në këtë gjashtëvjeçar edhe LDK-ja ka qenë pjesë e qeverisë, por edhe atëherë brenda LDK-së ka pasur pakënaqësi për mënyrën e udhëheqjes së koalicionit PDK-LDK. Por, në fund u pa se si përfundoi ky koalicion, i cili u prish për shkak të pakënaqësive”, ka thënë Beqiri, duke shtuar se qeverisja Thaçi është përcjell me skandale.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, nuk ka pasur fjalë të mira për gjashtë vjet të qeverisjes Thaçi. Ai ka thënë se dy mandatet qeverisëse të Thaçit janë duke u përcjell me degradim politik e ekonomik.

“Të dyja qeveritë e udhëhequra nga Hashim Thaçi, të cilat bashkërisht po i bëjnë 7 vjet në pushtet, janë qeveri të thellimit të pabarazisë ekonomike, përqendrimit të të ardhurave kah të pasurit në dëm të shtresës së mesme dhe të varfër dhe nënshtrimit politik ndaj Serbisë, e zbatimit të koncesioneve të Ahtisaarit për të vazhduar me koncesione të reja në Bruksel”, ka thënë Ymeri për “Epokën e re”.

Ai ka treguar se i tërë ky degradim politik e ekonomik është përcjell me afera të mëdha të korrupsionit e krimit të organizuar që kanë rezultuar në rritje enorme të pasurisë për pushtetarët.

“Ky sundim i Thaçit e degradoi shtetin pa e ndërtuar një herë atë, e vazhdoi shpronësimin nëpërmjet privatizimit, ua uli tatimet të pasurve duke e rritur njëkohësisht (nëpërmjet uljes së tatimit në korporata e duke e rritur TVSh-në), ia dha mbi 850 milionë euro Bechtel Enkas për të vazhduar me kontratë të re, e fali Aeroportin Ndërkombëtar, e fali për pak para KEDS-in, si dhe e zhduki nëpërmjet vjedhjes dhomën e dëshmive në polici”, ka deklaruar Ymeri.

Më Shumë

Lajmet e Fundit