0.4 C
Prizren
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Nga arresti, Berisha përshëndet “luftëtarët e lirisë”

“Duke përshëndetur miqtë që po protestojnë kundër diktaturës së Ramashenkos”.

Ish-kryeministri Sali Berisha është përshëndetur nga simpatizantët e tij që janë mbledhur poshtë pallatit.

Herë tjera, Berisha është parë në podiume, parlament e sheshe. Por, kësaj here mundësia e vetme e komunikimit me ta është dritarja e apartamentit.

Me dy gishtat lart duke përshëndetur me dorë dhe i shfaqur me dy bluza të ndryshme.

Ky është imazhi i përcjellë në videot e Berishës.

“Duke përshëndetur luftëtarët e lirisë në betejën e tyre pa kthim kundër diktaturës së drogës, krimit e korrupsionit”.

Banesa në shitje nga Renelual Tahiri  

Nga ana tjetër, vajza e tij Argita Malltezi gjatë fjalës së saj para mbështetësve shprehu falënderime “për ardhjen, angazhimin tuaj në luftën për mbrojtjen e pluralizmit”.

“Të nisësh vitin e ri kështu është e vështirë, por është shumë motivues. Nuk ka sistem që prangos lirinë tuaj. Ky është vetëm fillimi. Kjo është beteja që ju do ta fitoni”.

Berisha, është zyrtarisht në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore, ku vendimin e ka marrë Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas kërkesës nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

I shtyrë disa herë në kohë, ky vendim për Berishën vjen duke u lidhur me hetimet që po zhvillohen për çështjen e privatizimit të ish-klubit Partizani, për të cilin si Berisha, ashtu edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, akuzohen për përfitime dhe korrupsion.

Në bazë të vendimit të GJKKO, Berisha ka të drejtë të komunikojë vetëm me personat me të cilët jeton në banesë, duke i pamundësuar kështu vizitat dhe komunikimet me persona të tjerë.

Më 21 dhjetor, ishte Kuvendi i Shqipërisë, ai i cili i hapi rrugën Berishës për t’u arrestuar nga SPAK.

Pavarësisht votimit vetëm me votat e mazhorancës, Berisha nuk e ka pranuar këtë vendim parlamentar ndaj tij dhe ndaj, mundet edhe të mohojë gjithë rrethanat e lënies në arrest shtëpie.

Vendimi i plotë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 22.12.2023 i është drejtuar Gjykatës me kërkesën me objekt: Zëvendësim i masave të sigurimit personal shtrëngues, “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, me masën e sigurimit personal shtrëngues “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Z. Sali Berisha.

1-Në seancën gjyqësore të datës 30.12.2023, ora 12.00, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, gjyqtarja Irena Goka, pasi shqyrtoi kërkesën, vlerësoi çështjen në tërësi, dëgjoi palët në kërkimin përfundimtar, bazuar në nenet, 228, 229, 230, 231, 232, 233, 237, 249, 260/2, 466 të Kodit të Procedurës Penale,

VENDOSI:

1-Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

2-Zëvendësimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.112, datë 20.10.2023, verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lënë në fuqi me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal shtrëngues “arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha, i biri i Ramës dhe i Shiqere-s, i datëlindjes 15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr. personal E40701031R, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

2.1-Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti“, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.

3-Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

4- Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

5-Kundër këtij mund të bëhet ankim nga palët, brenda pesë ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Por me çfarë ka të bëjë konkretisht çështja e Berishës?

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) do të zbulonte përmes një njoftimi zyrtar detajet hetimore lidhur me privatizimin e ish-kompleksit të klubit Partizani.

Në mesin e të akuzuarve ishin ish-kryeministri Sali Berisha me veprimet e tij konkrete për të bërë që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të përfitonte nga kjo skemë e parregullt.

Më saktë, objekti i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK-ut, ishin veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka konsumuar veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë’, e kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

SPAK shton se Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dyshohet se ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore.

Kjo, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte Jamarbër Malltezi.

Berisha, dyshohet madje se ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Jamarbër Malltezit, vijon SPAK-u.

Sipas Prokurorisë, Berisha dyshohet se ka kryer po ashtu veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Malltezit, të strukturave të ndryshme të administrates shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore. AlbanianPost

“Eli –Edona”, mobilieria me oferta më të mira në Prizren

Më Shumë

Komuna e Prizrenit shpërndan dru zjarri për 824 familje në nevojë

Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (DPMS) në Prizren ka përfunduar sot shpërndarjen e druve të zjarrit për 824 familje, ku përfshihen: 213 familje...

Totaj raporton për punën njëvjeçare, veçon gjithëpërfshirjen dhe përmbushjen e kritereve për Grantin e Performancës

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj të hënën ka mbajtur takimin e dytë publik me qytetarët, me ç’rast para të pranishmëve ka raportuar...

Lajmet e Fundit