Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet çmimi aktual i energjisë elektrike, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka fajësuar partitë opozitare, në këtë rast politikat e Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike ato të cilët kanë përkeqësuar situatën me energji elektrike në Kosovë.
Sipas saj në vitin 2017 PDK dhe LDK kanë ndërhyrë në Zyrë e Rregullatorit të Energjisë Elektrike duke detyruar këtë institucion ta largojë bllok-tarifën.
“Me largimin e bllok-tarifës 80 për qind e familjeve kanë pasur rritje të faturave të energjisë elektrike ndërsa pjesa tjetër që kanë shpenzuar më shumë energji elektrike, vetëm ata kanë pasur ulje”.
Është kjo heqje e bllokut tarifor, sipas Rizvanollit, e cila ka sjellë situatën deri tek eksplodimi i kërkesës për energji elektrike në masa jo normale.
“Një gjë e tillë edhe pa nxitje të efiçiencës së energjisë na ka bërë përballjen me krizën shumë më të vështirë sesa që ka qenë e nevojshme ta kemi”.
Ndryshe deputeti i PDK-së, Ferat Shala, në seancën në Kuvend të Kosovës ku po debatohet për energjinë, ka propozuar rezolutën për ulje të çmimit të energjisë dhe ka kërkuar heqjen e blloktarifave.
Ai ka thënë se ky dokument është hartuar në koordinim edhe me deputetët e LDK-së dhe AAK-së.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit. /Albanianpost.com