1.7 C
Prizren
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Gazetari me letra

DerhemiEda_110209_smShkruan: Eda Derhemi

Ju ka rënë në sy juve denduria e publikimit të letrave të hapura në gjashtë muajt e fundit? Mua më ka bërë DerhemiEda_110209_smpërshtypje sasia e madhe e botuar nëpër gazetat tona në kartë dhe online gjatë 2013-ës. Provova të shënoj çfarë gjeta në një dy-ditësh (fund tetori) në faqen online të Respublica-s, faqe që përfshin në pasqyrën e vet edhe raportim për materialet – në këtë rast, letrat – e disa gazetave më në zë në kryeqytet; sigurisht, veç një pjesë të tyre. Në ato dy ditë qarkulluan: Alma Lame kryeministrit turk Erdogan, Arben Rrozhani Saimir Pirgut, akademikët e artit dhe shkencave shqiptare kryeministrit grek Samaras, familjet letër prefektit të Shkodrës për heronjtë e Vigut, Elisa Spiropali Denion Mejdanit, e Artur Dojaka presidentit Papulias. Por ka edhe plot prej shkruesve të letrave të hapura që janë njerëz krejt të panjohur, me halle e ide reale, që na trokasin nëpër media për herë të parë me këtë intensitet. Sikur Elvira Dones dhe Ismail Kadare t’u kishin shkruar përkatësisht Berlusconit dhe Lulzim Bashës këto dy ditë, do t’u takonte shumë më pak vesh publik sesa në erën kur u shkruan dhe kur letrat e hapura ishin ende të rralla. Duket sikur “letra e hapur” tek ne së fundmi ka marrë formën e një zhanri gazetaresk shumë më të fuqishëm se të themi “letër redaksisë”, që është zhanri i njohur ku mund të klasifikonim “letrën” për gazetën.

Por, sado të shumta, disa prej letrave të hapura lexohen fort, disa madje përpihen prej mijëra lexuesve, sidomos ato botuar në gazetën “Dita”. Nga sa vë re, interesi vjen jo gjithnjë për hir të risisë që sjellin, sesa për faktin që nënkuptojnë dialog dhe bëjnë pjesë në një kategori që shpesh perceptohet nga lexuesit si zënkë apo ushqen “thashethemin” më kollaj se një artikull i zakonshëm. Është kështu, sidomos kur letra e hapur i ngjan vërtet “letrës”, dhe qëllon që të marrë edhe përgjigje nga i adresuari, duke i dhënë komunikimit natyrën e vërtetë të zënkës që ndiqet më me qejf kur bëhet pjesë e publikes sepse kthehet në “gallatë”.

Një model klasik i letrës së hapur (si duhet të ishte), e famshme për përmbajtjen dhe formën e vet, është ai i letrës “Akuzoj!” të Emil Zolasë për presidentin francez, lidhur me çështjen Dreyfus. Do thosha që, ndër letrat e hapura klasike dhe të fuqishme shkruar vitet e fundit në Shqipëri, për nga natyra e fortë akuzuese dhe lëvizjes që i bëhet opinionit publik, është ajo që E. Dones i drejton Silvio Berlusconit. Letra të hapura me natyrën e “letrës”, ndër letrat e hapura të muajve të fundit kam hasur edhe nga qytetarë që raportojnë probleme lokale të zonave ku jetojnë dhe që mund të jenë probleme edhe për të tjera komunitete, të burgosur që ankohen për korrupsion dhe keqtrajtime nëpër burgje, gra që shkruajnë për mungesa minimale të ndihmës sociale dhe që kërkojnë zgjidhje nëpër institucionet përkatëse, madje edhe lexues që u shkruajnë redaktorëve të gazetës me vërejtje a komente ndaj shkrimeve.

Por sasia e letrave është shumë më e madhe dhe shumë prej tyre e kapërcejnë nevojën për të qarë publikisht një hall madhor të autorit, për të hapur një diskutim publik apo ofruar publikisht një zgjidhje. Ka ndër shkruesit e letrave njerëz të njohur që kërkojnë të tërheqin vëmendje publike për çështjen që trajtojnë, e që shpesh mund të ishin shkruar në formë artikulli apo eseje. Por duke iu drejtuar presidentit, kryeministrit apo ish-kryeministrit, shkrimi bën më shumë bujë, edhe kur mesazhi në fakt s’u thotë gjë të re as të adresuarve, as publikut, dhe as synon t’i bindë këta për gjësend. Tregues i thjeshtë i letrave që duhet të ishin shkruar në fakt si artikuj, është se atyre, për nga përmbajtja e vet, normalisht nuk mund t’u jepet përgjigje e hapur ose “e mbyllur”, dhe i adresuari/marrësi nuk ka nevojë hiç “t’i hapë”, se letrat as i tregojnë e as i propozojnë diçka të re ose ia prekin pozitën. Në raste të tilla, siç them, autori, i njohur ose jo, kërkon të krijojë vëmendje ndaj vetes më shumë se sa të shpalosë botërisht një kritikë (a lavd) të panjohur ose të paevidentuar mirë ndaj marrësit të letrës apo të hapë një diskutim publik të rëndësishëm. Nuk jam e sigurt nëse ky transformim i zhanrit për arsye centripetimi të vëmendjes publike të ketë vlerë pozitive, pra ta nxitur e përmirësojë debatin, apo në fakt zhvlerëson efektin e zhanrit vetë. Por besoj se do ish pa kuptim sikur çdo kritikë ndaj personave publikë të formësohej më shpesh si letër e hapur sesa si analizë gazetareske në formë artikulli.

A kanë lidhje letrat e hapura të 2013-ës me rritjen e shpejtë të komentuesve online? A mund të themi se kjo ringjallje e gazetarisë në formë epistolare bashkë me interesin e shumëfishuar të komentuesve anonimë online, është fytyra shqiptare e “gazetarisë qytetare” (citizen journalism) që shfaqet si alternativë e tradicionales “gazetari profesionale”? Bashkë me masivizimin e teknologjisë elektronike, ka në fakt në mediat shqip një gjallërim të gazetarisë “nga poshtë”, ose që në mënyrë përshkruese mund të quhej “pjesëmarrëse”, kryesisht nga masivizimi i versioneve online të mediave dhe hapja e tyre pa kontroll ose me kontroll minimal seleksionues ndaj komenteve. Një studim akademik (Ohio State University) që krahasonte përmbajtjen e opinioneve dhënë nga komentuesit online dhe opinioneve shkruar nga komentues në formën “Letër redaksisë” (Letter to the editor), i konsideron të dyja format si shprehje të demokratizimit të komunikimit dhe përfundon se komentet e lira online shprehnin “më shumë ekuilibër, si në gjerësinë ashtu edhe tonin e opinioneve”, dhe “vështrim më kritik ndaj institucioneve”, sesa letrat drejtuar redaksisë. Arsyet potenciale me të cilat studimi shpjegonte këtë gjetje ishin anonimati i postimeve të komenteve, komentimi pa kontroll censurues dhe mosha më e re e komentuesve online. Unë nuk e njoh këtë studim, ndaj nuk mund ta kritikoj në mënyrën si ndërton hipotezat dhe argumentet e veta, por në qoftë solid nga ana shkencore, pa dyshim që ai nuk parashikon dhe as shpjegon dot situatën në Shqipëri. Me sa duket, bëhet fjalë për kampione studimi me natyra të ndryshme. Ndryshe nuk mund të shpjegoheshin me të njëjtat tri arsye dy shfaqje të kundërta të dukurisë që analizohet.

Nuk mund të mos shohësh me interes demokratik që qytetari i zakonshëm sot e thotë të vetën, i fushës ose jo, i aftë të artikulojë idenë ose jo, i përgjegjshëm apo psikopat, më pak apo më shumë subjektiv, kritik apo konformist, dashamir apo dashakeq. Por gazetaria epistolare e 2013-ës vjen kryesisht nga persona të njohur ose nga qytetarë të mesëm me aftësi shprehëse relativisht të larta, dhe nuk duket që të jenë, bashkë me komentet masive online, shprehje e pjesëmarrjes aktive në sferën publike dhe e rritjes së mendimit kritik të komunitetit si i tërë. Masa poshtë që shkruan shqipe të keqe, abuzon si gjuhën e shkruar ashtu edhe dialektin e folur, shan nga nëna gazetarin, shkruan se e urren apo e adhuron atë dhe jo për artikullin vetë, shprehet kryesisht nëpër komente shkrimesh, dhe jo me letra të hapura. Nëse do kishte një përmirësim të cilësisë së të kuptuarit të ngjarjeve dhe shprehjes së ideve masive nëpër komentet e pafiltruara online, duhet të ishim të gjithë krenarë për një rizgjim të “sferës publike”dhe për efektin imediat të demokracisë dhe mediave demokratike. Por unë nuk e shoh këtë. Kur lexon komentues që thonë “Çfarë thua, o pis”, “Ik o i fëlliqur, o plehrë e Saliut!”, “Rama është vjedhajduti i parë.  Kryevjedhajdut.” ose “Pirdh, pirdh, se lirohesh!”, e ndien lehtë që çlirimi dhe emancipimi në këtë rast nuk janë aspak të lidhur. Zhvillimi emancipues parakuptuar nga dukuria e “përmbajtjes së prodhuar nga përdoruesi” (“user generated content” ose UGC), në këtë rast konsiston në një lloj llumi pa formë. Por, nga na tjetër, a ka fitim në lënien e lirë të këtyre komenteve? A kanë nevojë lexuesit që, ndërsa provojnë lirinë dhe zërin e vet, paraprakisht të derdhin gjithë vrerin duke artikuluar e negociuar panjohjen e vet, të mposhtin tabutë në proces, ta fëlliqin virtualitetin para se ta kuptojnë atë, që të imunizohen kështu ndaj ndotjes së komunikimit? A u mësohet gjë nga kjo praktikë, apo përkundrazi kjo u përforcon modele të violencës në komunikim? Unë vazhdoj të vëzhgoj e interesuar si zhvillohet ky dimension kulturor (ose jokulturor) i yni.

Por çfarë e ushqen këtë pasion kolektiv të shkrimit të letrave të hapura, me apo pa lidhje me komentet e shtuara, dhe pse është përforcuar pikërisht kohët e fundit? Mund të jetë ndezur nga një eksitim njerëzor dhe rritje e papritur në shpresa për ndryshim, në dëshirën për të marrë pjesë madje për protagonizëm të munguar ose të drejtuar në një kah të ri politik? Ndryshimi i pushteteve pas 8 vjetësh, ideja se Edi Rama vjen me yrysh ideologjik e institucional dhe një lloj besimi për të avancuar shoqërisht, hapësira sado e vogël që iu hap njerëzisë pas tërheqjes jo krejt të pritur të Berishës nga llozha qendrore publike shqiptare (për të kaluar në fb), perceptimi i atmosferës politike si e majtë pra që fuqizon masën nga poshtë, nostalgjia për “fletërrufenë revolucionare” që fle diku brenda shqiptarëve, madje edhe hyrja në skenë e gazetës “Dita” në vetvete, mund të kenë qenë faktorë të zgjimit të një aktivizmi publicistik sasior e në forma të reja.

Të gjitha këto janë përsiatje të miat ndërsa mendoj se si shfaqet e çfarë e ushqen ndryshimin që vërejta. Tani që letrat e hapura janë rralluar, analiza e bazës që i krijoi do ishte edhe më interesante. Besoj që do ishte një temë perfekte vjetore për një student (a grup studentësh) të komunikimit të analizonte letrat e botuara, organin që i ka tërhequr, përmbajtjen dhe arsyet.
Mos humbisni

Më Shumë

Pesë çerdhe në Malishevë, drejtoresha e Arsimit jep lajmin për çerdhen e re në Bellanicë

Drejtoresha e Arsimit në Malishevë, njëheresh kandidate për deputete nga radhët e Nismës, Arbëreshë Krasniqi ka thënë se ndjehet e lumtur për nisjen e...

47 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë

47 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë.   Nga këto aksidente, 15 ishin me të lënduar dhe 47 me dëme...

Lajmet e Fundit