Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare është duke u ofruar falas shërbimi i ultrazërit dhe mamografisë, si pjesë e aktiviteteve ndërgjegjësuese për parandalimin e kancerit të gjirit.
Në njoftimin e kësaj komune theksohet se me datën 1 tetor fillon fushata ndërkombëtare e vetëdijesimit për luftën kundër kancerit të gjirit, ku përmes manifestimeve dhe aktiviteteve të ndryshme të shoqërisë së gjerë sensibilizohet popullata, në veçanti gratë për kujdes të shtuar për shëndetin.
“Duke iu bashkangjitur kësaj fushate, me qëllim të diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit, Komuna e Prizrenit, përmes Drejtorisë së Shëndetësisë, ofron shërbime adekuate në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë familjare (QKMF), ku shërbimi është falas dhe realizohet me anë të Ultrazërit dhe Mamografit, nga ana e mjekes specialiste të radiologjisë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
Javën e shkuar, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Nexhip Berisha” në Prizren është pajisur me aparat të ri të mamografisë, dhe kontrollet përgjatë tërë vitit do të ofrohen falas.
Muaji tetor në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen lidhur me ndërgjegjësimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ për këtë sëmundje. Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm që kryesisht prek gratë në mbarë botën.
Në këtë muaj krahas shpërndarjes së informatave të rëndësishme, gratë inkurajohen që të bëjnë kontrolle të rregullta me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit.
Marketing
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”