Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj, ka reaguar ndaj materialeve të hartuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) për edukimin seksual, duke theksuar se ato nuk janë të zbatueshme në këtë komunë.
“Materialet e përgatitura nga MAShTI lidhur me edukimin seksual nuk i plotësojnë kriteret e zbatueshmërisë dhe nuk përkojnë me kontekstin kulturor dhe normat e shëndosha shoqërore,” ka deklaruar Veselaj-Gutaj, përcjell PrizrenPress.
Ajo shtoi se, pavarësisht përpjekjeve për të përfshirë praktika të ndryshme evropiane, këto materiale nuk reflektojnë realitetin lokal dhe nuk ndihmojnë në zhvillimin e një rinie të shëndoshë me mendim kritik. “Andaj, materialet e këtilla kurrë nuk kanë gjetur zbatim në komunën tonë, duke shmangur kështu dëmet e mundshme shoqërore dhe sidomos dëmet në procesin e arsimimit të brezave të rinj,” ka theksuar drejtoresha.
Gjithashtu, Veselaj-Gutaj ka vënë në dukje se këto materiale nuk përputhen me kurrikulën kombëtare dhe, si të tilla, nuk janë obligative. “Format e edukimit seksual në formën e rekomanduar nga MAShTI përmes këtyre udhëzuesve nuk kanë gjetur zbatim në shkollat tona,” ka shtuar ajo.
E para e DKA-së në Prizren ka kritikuar ashpër qasjen e MAShTI-t, duke e konsideruar atë si një “improvizim” që ka çuar në polarizimin e shoqërisë. “Ky improvizim, që çoi drejt një polarizimi të shoqërisë edhe ashtu të dëmtuar nga qeverisja aktuale, tregon papjekuri, mendim jo strategjik të thelluar, improvizim dhe lajthitje,” ka deklaruar Veselaj-Gutaj.
Në përfundim, drejtoresha e DKA-së ka theksuar se derisa të hartohen politika të përshtatshme dhe të mirëstudiuara, materialet e tilla nuk do të realizohen në këtë komunë. “Shkurt e thjeshtë: materialet e këtilla tek ne nuk kalojnë,” ka përfunduar Veselaj-Gutaj./PrizrenPress.com/
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”