7.1 C
Prizren
E shtunë, 22 Shkurt, 2025

“Brendësia e Kostumit” shpërfaq karakteret njerëzore në skenë me premierën e saj në Prizren

Katër performuesit në skenë, përmes vallëzimit, kanë mishëruar karaktere njerëzore, duke hulumtuar dinamikat dhe ndryshimet fluide në marrëdhëniet ndër-njerëzore. Me lëvizje të gjalla dhe të ndërthurura ata kanë pasqyruar realitetin e përditshëm, që mund të haset në mjedise të ndryshme.

Edhe pse kanë ndarë të njëjtën hapësirë skenike, trupat e tyre herë janë bashkuar me fluiditet e herë janë ndarë me lëvizje të tensionuara, duke ndërtuar një koreografi që ka kaluar mes harmonizimit të energjive dhe përplasjes së egos. Një varëse simbolike i ka mbajtur të lidhur, duke reflektuar rrënjët, përkatësinë dhe kufijtë e identitetit, ndërsa kostumi, si element dallues, ka shërbyer për të theksuar individualitetin e secilit, megjithëse brenda tij fshihet një botë e përbashkët, raporton Telegrafi.

E tëra është vënë në pah me ekspresivitetin e lëvizjeve, që kanë ndryshuar mes dridhjeve të ndjeshmërisë së brendshme dhe gjestikulacioneve të fuqishme, të shoqëruara nga muzika e veçantë e kompozitorit Rene Aubry, dhe ndriçimin nga Skender Latifi.

Koreografi Gëzim Sertollaj ka shpjeguar se metodologjia e ndjekur për krijimin e kësaj vepre koreografike ka dalluar prej herëve tjera.

“Procesi ka filluar prej katër karaktereve njerëzore dhe gjithçka është ndërtuar rreth kësaj. Ka qenë një proces që ka zgjatur mbi katër muaj, ka pasur konflikte, debate, mërzi, që kanë qenë të nevojshme për realizim. Si proces pune ka dalluar prej shfaqjeve tjera ndonjëherë ka qenë i mërzitshëm, goxha sfidues si për mua ashtu edhe për kolegët performues. Por megjithatë kur e sjellë veprën deri në finale e sheh që ia ka vlejtur”, ka thënë ai.

Sipas tij, karakteret reale janë transmetuar përmes gjuhës së shprehur në vallëzim.

“Duke u nisur prej përditshmërisë që e kemi qoftë në familje, qoftë gjatë studimeve, qoftë në punë, me rrethin shoqëror, e vëren çdo ditë dhe çdo herë qysh qenia njerëzore është e ndarë edhe në karaktere ose personalitete që janë të krijuar ose që ata vet duan ta krijojnë gjatë procesit jetësor. Duke e pas parasysh këtë, kohën kur jetojmë, këto karaktere shpesh herë na dalin si pengesa, shpesh herë na imponohen. Pra tema i përmbledhë të gjitha këto, siç shihet edhe në shfaqje pra sa herë ka tentime për imponim herë herë krijohet harmonia, pastaj trysnia ndaj njëri tjetrit kur mundohen të marrin prej njëri tjetrit, pra gjithçka që ndodh në përditshmërinë tonë”, ka deklaruar Sertollaj për Telegrafin.

Ai është shprehur i kënaqur me reagimin e publikut në premierë, duke shtuar se “vallëzimi bashkëkohor te ne është pothuajse inekzistent apo në margjina të ulëta”.

Meqë shfaqja hulumton dinamikat dhe ndryshimet në marrëdhëniet ndër-njerëzore, prania në të e një performueseje do të kishte sjellë një perspektivë edhe më të gjerë dhe të balancuar. Këtë e ka pranuar edhe koreografi Sertollaj.

“Shfaqja flet për katër karaktere njerëzore, pa dallim gjinie. Do të ishte shumë e mirëseardhur ta kemi në shfaqje edhe një kolege. Prizreni ka valltare të talentuara por që ngurrojnë të jenë në këtë stil vallëzimi. Tema nuk trajton as burrë as grua, por trajton njeriun si njeri, karakterin si karakter, personalitetin si personalitet. Pra nuk ka qenë ndonjë ndasi e qëllimshme, por më shumë një mungesë e një kuadri që i përgjigjet specifikave të këtij zhanri”, është shprehur ai për Telegrafin.

Kjo vepër koreografike është prodhim i OJQ “DancePriFest”, me konceptin e koreografit Gëzim Sertollaj, derisa në skenë janë paraqitur Abdo Shuki, Fitim Kolgeci, Hysen Rrafshi dhe vetë Sertollaj. /Telegrafi/

 

Më Shumë

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë takohet në Prizren me përfaqësuesit e komuniteteve jo-shumicë

Përfaqësuesit politikë të komuniteteve jo-shumicë janë takuar në Prizren me Shefin e  Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav. Kryetari i PREBK-së, Albert Kinolli...

Dragashi shënon 17-vjetorin e Pavarësisë me homazhe dhe aktivitete festive

Në kuadër të shënimit të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Komuna e Dragashit organizoi një sërë aktivitetesh përkujtimore dhe festive, nën patronatin e kryetarit...

Lajmet e Fundit