Nga Zymi i Prizrenit, në radhët e luftës dhe në përballje të përhershme me padrejtësinë
Mon Çollaku lindi më 9 shtator 1923 në fshatin Zym të Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa më vonë u shpërngul në Pejë, ku i ati kishte hapur një furrë buke. Ishin vitet e pushtimit fashist dhe Peja ishte një vatër e rezistencës rinore.
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Moni iu bashkua të rinjve antifashistë dhe, gjatë shpërndarjes së afisheve, u arrestua për herë të parë nga autoritetet italiane. Me ndërhyrjen e babait u lirua, por kjo nuk e ndaloi për asnjë moment nga rruga që kishte zgjedhur.
Përsëri u aktivizua dhe doli partizan. Në vitin 1942 u arrestua për herë të dytë në Pejë dhe u burgos në Tiranë. Nga burgu, së bashku me të burgosur të tjerë, arriti të arratisej përmes një tuneli të nëndheshëm dhe iu bashkua njësive partizane në Hasi e më gjerë.
Pas çlirimit, në vitin 1945 u emërua komisar në fshatin Rogovë. Atje u përball me përpjekjet e pushtetit për rikolonizimin e zonës me serbë dhe malazezë, çka hasi në rezistencën e tij të vendosur. Kjo rezistencë e vendosi nën dyshimin e autoriteteve jugosllave, të cilët e transferuan në Pejë si komandant policie, për ta mbajtur nën vëzhgim.
Në Pejë, Moni rifilloi lidhjet me patriotët vendas dhe ndihmoi figura si Llesh Markalleshi dhe Dervish Shaqa për të kaluar kufirin në drejtim të Shqipërisë. As në Kaçanik, ku u transferua më vonë, ai nuk i ndërroi qëndrimet ndaj strukturave armiqësore.
Në vitin 1947 u dërgua në Novi Sad për kurs oficerësh, por gjatë kësaj kohe u denoncua për qëndrimet e tij politike dhe u burgos së bashku me shokun e tij Sali Metë Shala. Deri më 1950 vuajti dënimin në burgjet jugosllave.
Pas lirimit, nuk i lejohej të punonte në sektorë shtetërorë. Hapi një furrë në Stari Tërg, Mitrovicë, së bashku me kushërinjtë e tij. Megjithatë, mbeti aktiv në prapaskenë. Në vitin 1951, me ardhjen në Mitrovicë, filloi organizimin e një grupi për sabotimin e Trepçës, për të mos lejuar shfrytëzimin e saj nga Serbia. Një informator i UDB-së, i infiltruar në grup, raportoi për aktivitetet e tij dhe në shtator 1952, Moni u arrestua në stacionin e autobusëve.
U dënua me katër vjet burg të rëndë, të cilin e vuajti në Nish dhe në kampin famëkeq të Goli Otokut. Përndjekja nuk u ndal vetëm tek ai – u arrestuan edhe të afërm të tij vetëm për shkak të mbiemrit Çollaku.
Pas lirimit në vitin 1957, Moni u kthye në Zym. I lodhur nga vuajtjet dhe përndjekjet, ndërroi jetë në janar të vitit 1985, në moshën 62-vjeçare. U varros në Prizren.
Mon Çollaku mbetet një nga figurat më të ndritura të Hasit dhe më gjerë – një partizan i bindjeve të thella kombëtare, që nuk u nënshtrua as përballë burgjeve, as përballë shpresave të thyera. Historia e tij është dëshmi e qartë e qëndresës shqiptare në periudha të errëta.(Marrë nga libri “Në kujtesën e qytetit,” me autor Salajdin Krasniqi)
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren