17.2 C
Prizren
E mërkurë, 24 Shtator, 2025

Përpjekja e fshatarëve të Greikocit për zhdukjen e analfabetizmit (1928–1956)

Mr. sci. Fikret RAMAJ

Gjatë tërë kohës së sundimit të Jugosllavisë monarkiste në Kosovë (1918-1941) shkollat shqipe ishin rreptësisht të ndaluara, sikurse edhe librat shqip dhe përdorimi i gjuhës shqipe në çdo komunikim publik. Sipas dr. Abdullah Vokrrit, të botuara në librin e tij: “Shkollat dhe arsimi shqip në Kosovë ndërmjet dy luftërave botërore (1918-1941)”, organet e pushtetit sllav të karagjorgjeviqëve, jo vetëm që nuk lejonin hapjen e shkollave shqipe, por edhe ato shkolla të pakta, të hapura spontanisht, si shkolla fetare e të tjera i mbyllën menjëherë. Por, përpjekjet kanë vazhduar pa u ndalur.

Përpjekje të tilla kanë bërë vazhdimisht edhe banorët e fshatit Greikoc, të cilët u përpoqën të shkolloheshin sadopak, si dhe të organizonin kurse të ndryshme për zhdukjen e analfabetizimit.

Gjenerata e parë e nxënësve të Greikocit (1928)
Pikërisht, në vitin 1928, regjistruam gjeneratën e parë të nxënësve të Greikocit, të cilët u regjistruan në klasën e parë. Këta nxënës mësuan në shtëpinë e Sherif Agës së Gjinocit. Nxënësit e gjeneratës së parë arritën që t’i kryejnë katër klasë. Këta ishin: Rrustem Rexha, Eqerem Halimi, Rexhë Bislimi, Sinan Xhela, Adem Isufi, Liman Misini dhe Xhemë Haziri.
Vullneti dhe dëshira për shkollim vazhdoi edhe më tej. Pasi që gjenerata e parë i kreu katër klasë të shkollës fillore, menjëherë pas tyre vazhdoi edhe gjenerata e dytë e nxënësve të Greikocit, të cilët, për shkaqe objektive nuk arritën ta përfundojnë shkollimin. Këta nxënës ishin: Rifat Bajrami, Adem Hamza, Ismail Muharremi, Jahir Nebihi, Rrustem Beqiri, Rrahim Misini, Sahit Zeneli dhe Zeqir Bajrami.
1
Në verën e vitit 1942, në Nënprefekturën e Suharekës, ashtu si edhe në trevat e tjera shqiptare, ishin organizuar kurse verore. Në organizimin e këtyre kurseve ishte paraparë edhe mësuesi, Hilmi Duli, por për shkaqe shëndetësore nuk kishte mundur të vinte nga Shkodra dhe të punonte gjatë verës me vijuesit e kursit. Për këtë e kishte njoftuar Inspektorinë e Arsimit në Prizren dhe shkresa e tij ishte përcjellë edhe në Ministrinë e Arsimit në Tiranë. Megjithatë, “… sjelljen e mësuesit Hilmi Duli kjo Ministri e kishte konsiderue si mungesë disipline, prandaj kishte vendosë që t’i shqiptonte masën disiplinore: “Tërheqje e vërejtjes”. Duke pasur parasysh seriozitetin dhe përkushtimin për punë në shkollën e tij, si dhe bindjen se mësuesi Hilmi Duli vërtet kishte qenë i sëmurë, Inspektori i Arsimit në Prizren, Beqir Spahiu – i kishte dërguar një shpjegim shtesë Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Ai, ndër të tjera, kishte shkruar: “… Lutja e të naltpërmendunit, kësaj Inpektorije i duket me vend, tue pasë bindje të plotë se i naltpërmenduni me të të vërtetë ka qenë i sëmundë. Mbasi, z. Hilmi Duli gjatë vjetit shkolluer të kaluem ka qenë shembëll detyre e discipline, po të shifet me vend, lutemi t’i ngrihet tërheqja e vërejtjes”.
Më 17. 4. 1942, nënprefekti i Suharekës, Riza Gjenashi, i drejtohet përmes shkresës, nr. 269 – Inspektorisë së Arsimit në Prizren, me të cilën ai paraqet prioritetet e kësaj nënprefekture për hapjen e shkollave në disa fshatra të këtij rrethi. Në shkresën e tij, nënprefekti thekson:
“… Veç atyne 3 shkollave që funksionojnë sot: në qendër të Suharekës, në Mushtisht dhe në Duhël, asht nevoja e domosdoshme, tash për tash, të çilen edhe këto shkolla:
a. Në katundin Leshan, me nji mësues, shkolla ka ndërtesë dhe orenditë gati,
b. Në katundin Gjinovc, me nji mësues, shkolla ka ndërtesë dhe orenditë gati,
c. Në katundin Popolan, me nji mësues, shkolla ka ndërtesë dhe orenditë gati,
ç. Në katundin Studençan, me nji mësues, shkolla asht gati, por pa orendi,
d. Në katundin Nishor, me nji mësues, shkolla dhe orenditë gati.
Për nevojat urgjente të sotshme, janë këto 5 (pesë) shkolla, mbasandej vine shkollat e kategorisë së dytë, e ato janë:
a. Shkolla – në Peçan,
b. Shkolla – në Budakovë,
c. Shkolla – në Sopijë,
ç. Shkolla – në Bllacë,
d. Shkolla – në Grejkoc.
Suharekë, më 9.5.1942 Nënprefekti (Riza Gjenashi)

Gjenerata e parë e nxënësve, të cilët mësuan në gjuhën shqipe (1945)

Shkolla në gjuhën shqipe në Greikoc u hap për herë të parë në shtator të vitit 1945. Deri në këtë kohë, në fshat dinin shkrim-lexim disa dhe atë në gjuhën joamtare (serbokroate). Në këtë vit, shkolla e atëhershme, që startoi në klasën e parë ishte vendosur në një shtëpi private, e cila ishte adaptuar e që nuk i plotësonte as për së afërmi kushtet për mësim. Mësuesi i parë ishte Prenk Thaçi (diku në disa dokumente të tjera haset si Prenk Kaçi). Shkolla në gjirin (klasa e parë) e saj kishte 27 nxënës moshash të ndryshme.
Nxënësit e gjeneratës së parë, të cilët filluan mësimin në gjuhën shqipe ishin: Januz (Rexhë) Beqiraj, Sahit (Bajram) Kicaj, haxhi Sherif Çelaj, Arif (Rexhë) Zmalaj, Qazim (Misin) Beqiraj, Hamit Lushaj, Ramadan Lushaj, Vesel Demaj, Fetie Beqiraj, Nakie Tafaj, Ali Tafaj. Punëtor ndihmës i kësaj shkolle ishte Jemin Abaz Lushaj.

 

Mësuesit të cilët mbajtën mësim në këtë periudhë
Prenk Thaçi (në disa dokumente haset edhe si Prenk Kaçi) – Vlen të theksohet për mësuesin në fjalë se disa thonë se ishte nga Mirdita e disa nga Shkodra. Personalisht kam shkuar në Arkivin e Shkodrës për të gjurmuar më tepër rreth këtij mësuesi, por askund nuk e kam hasur këtë emër.

Pas mësuesit, Prenk Thaçi, në Greikoc vjen mësuesja Age Kajtazi (diku rreth viteve 1948-1950). Ajo u lind në Prizren. Shkollën fillore dhe kursin pedagogjik i kreu në Prizren. Prej vitit 1945 punoi mësuese në disa fshatra të rrethit të Prizrenit. Në kohën e fundit jetoi në Shkup.

Mësuesja Age Kajtazi i përket grupit të tre mësuesve të parë që punuan në Greikoc.
Kështu e kujton mësuesen Age, nxënësi i saj, Sahit (Bajram) Kicaj, i njohur si baci Sahit, burrë i mençur dhe me autoritet ). Nga mësuesja Age mësuam vjershën: “Po del hëna bukuroshe”, e cila i kishte katër strofa. -Tri strofa i pata mësuar, por njërën, jo” – theksoi baci Sahit.

Mësuesi – Shyqri Thaçi, shërbeu në Greikoc, pas mësueses Age Kajtazi. Mësuesi Shyqyri Thaçi u lind më 1924 në Bicaj të Kukësit dhe vdiq në Prizren në vitin 1988. Prindërit i kishte nga Lubizhda e Hasit.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe vijoi mësimet në Shkollën Teknike të Tiranës. Në kohën e luftës u kthye në Kosovë dhe një kohë punoi në komandën e vendit në Prizren. Në vitin 1945 u emërua mësues në Drenicë e në Greikoc. Me kurse pedagogjike e mori diplomën e mësuesisë në Shkollën Normale të Gjakovës e më vonë e kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Punoi arsimtar në Krushë të Madhe, inspektor i arsimit e drejtor i Gjimnazit në Suharekë dhe në fund arsimtar i Gjimnazit dhe i shkollës fillore tash të emëruar :“Lidhja e Prizrenit”.

Mësuesi Shyqri Thaçi ishte ndër tre mësuesit e parë në Greikoc, ku nxënësve të atëhershëm ua mësoi Alfabetin e gjuhës shqipe.
Mësuesi Sejfedin Çesko, me përkushtim punoi në Greikoc. I takon plejadës së parë të mësuesve të Greikocit.

Sejfedin A. Çesko u lind më 2.5.1935 në Prizren. Shkollën fillore e semimaturën e kreu në vendlindje. Më 1951 e kreu kursin pedagogjik dhe u emërua mësues në Shkollën Fillore në Korishë të Prizrenit, por vetëm pas dy muajsh u përjashtua për arsye se kishte iku në Shqipëri si “njeri i Ballit Kombëtar”. Megjithatë, pas ca kohe, Sejfedini u pranua përsëri mësues në Suharekë e pastaj në Savrovë të Suharekës e në Hoçë të Vogël të Rahovecit dhe në Samadraxhë e Greikoc të Suharekës, ku ishte edhe drejtor shkolle. Ndërkohë, me kurse pedagogjike e kreu edhe Shkollën Normale. Ishte mësues shumë i afërt dhe i dashur nga nxënësit dhe prindërit e tyre. Punonte edhe me kurset analfabetike dhe grupet kulturor-artistike të nxënësve e të qytetarëve . Mësues Sejfedini, më 1973 doli në pension të parakohshëm. Jetoi në Prizren.

Organizimi dhe mbajtja e kurseve për zhdukjen e analfabetizmit në Greikoc (1956)
Rreth viteve 1955/56 në fshatin Greikoc, në kuadër të aksionit për zhdukjen e analfabetizmit, u organizuan kurse mësimi në shkrim – lexim. Në kuadër të këtij aksioni, ishte e nevojshme që edhe femrat të mësojnë shkrim-lexim. Njëri ndër ta ishte edhe Fazli (Sali) Canaj.

Fazliu u lind më 10.12.1943 në fshatin Greikoc. Shkollën katërvjeçare e kreu në Greikoc. Ishte nxënësi më i dalluar i gjeneratës së vet. Për shkak se tregoi performancë të shkëlqyer në mësim, drejtoria e atëhershme e shkollës kishte vendosur që ta kalonte nga klasa e dytë në të katërtën. Ai, gjithashtu, angazhohet edhe si mësues, i cili u mësonte grave e fshatit Greikoc shkrim-leximin. Pra, punoi për zhdukjen e analfabetizmit. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, nuk arriti që të vazhdojë shkollimin. U detyrua, që në moshën 13- vjeçare të shkojë (si shumë bashkëfshatarë të tjerë) për të punuar në Beograd. Pas 10 viteve punë në Beograd shkon në Gjermani, për një jetë më të mirë. Ai e ndihmoi shumë Shkollën e Greikocit me të holla.

Gjithashtu, gjatë kohës së luftës veturën që e kishte ua fali Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte shumë i dashur për gjithë fshatin. Edhe sot kujtohet nga fshatarët e Greikocit, si person që dha kontribut të çmueshëm në zhdukjen e analfabetizmit. Vdiq më 16.10.2017. Do të kujtohet me pietet e respekt!

Për t’i mësuar femrat e fshatit Greikoc u caktuan dy nxënës, të cilët në atë kohë kishin kryer 4 vite mësimi edhe ishin nxënës të dalluar me sukses shembullor.
Mësimdhënës për njërën pjesë të fshatit ishte caktuar Hysen (Isuf) Beqiraj, ku mësimi mbahej në odën e Zenel Isufit. Ndërsa, për të mësuar gratë e gjysmës tjetër të fshatit ishte caktuar Shaban (Avdyl)Tafaj dhe mësimi mbahej në odën e Rrustem Rexhës.

Në mësim merrnin pjesë rreth 25 deri 30 femra, ku pjesa dërrmuese e tyre ishin gra të martuara dhe vajza të pamartuara dhe të shtyra në moshë. Mësimi mbahej nga 3 orë në ditë. Mbaheshin kryesisht dy lëndë: Shkrim-lexim dhe Matematikë. Qëllimi kryesor ishte mësimi i shkrim-leximit. Mësimi është mbajtur në kohëzgjatjeje prej 3 muajsh.

Marketing

Tefik Tarashaj: Pagën time do ta ndaj për 5 familje në nevojë

9-shi i GUXO-s – Flora Sinani kërkon besimin e qytetarëve të Prizrenit në zgjedhjet e 12 tetorit

26-shi i LDK-së, Arben Hoxha po kërkon votën tënde që zëri yt të dëgjohet në Kuvendin e Prizrenit!

20-shi i LDK-së, Fejzë Kabashi, kandidat për Kuvendin e Prizrenit

BiCredit tani edhe në Prizren, kredi për çdo nevojë!

Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!

Industria e mishit “Medina” në Prizren – traditë, cilësi dhe shije autentike të produkteve të mishit që nga viti 1991

Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit

“Guraziu” në Prizren, me 20 vjet përvojë pune në vendosjen e dyerve, laminatit, parketit, kuzhinave dhe dhomave të fjetjes

‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren

Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren

Më Shumë

Bali Muharremaj për Dr. Salih Bytyqin: Njeri i zemrës së madhe që ia kushtoi jetën shëndetit të qytetarëve

Kryetar i Suharekës, Bali Muharremaj, ka marrë pjesë në varrimin e Dr. Salih Bytyqit, duke e cilësuar si njeri të zemrës së madhe, i...

Limaj: Lagjja Arbana në Prizren e rreshtuar pas Albulena Balaj-Halimajt për kryetare

Kryetari i Nisma sociademokrate ka bërë të ditur se lagja “Arbana” në Prizren është në mbështetje të kandidates për kryetare të kësaj komune, Albulena...

Lajmet e Fundit