5.3 C
Prizren
E enjte, 2 Tetor, 2025

Prokuroria: “Kobra” veproi me dashje dhe në mënyrë të vrazhdë për të treguar forcën

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten po jepet fjala përfundimtare nga palët në procedurë, në gjykimin për vrasjen e të riut në lokalin “Kobra City” në Prizren. Prokurorja speciale Habibe Salihu gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, kërkoi dënimin e të akuzuarve, derisa theksoi se i akuzuari Dibran Hoxhaj veproi në mënyrë të vrazhdë, për t’u treguar si person i fuqishëm i rrethuar me njerëz dhe i mbuluar me ari.

Në këtë rast, Dibran Hoxhaj i njohur si “Koba” dhe katër të akuzuarit Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, akuzohen për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Salihu gjatë fjalës përfundimtare tha se i akuzuari Hoxhaj veproi me dashje dhe në mënyrë të vrazhdë, për të treguar forcën e tij si person i fuqishëm i rrethuar me njerëz dhe i mbuluar me ari.

Po ashtu, Salihu tha se Hoxhaj ka vepruar në mënyrë të ftohtë dhe ka vënë në rrezik jetën e personave tjerë të dëmtuar. Tha se i gjithë rasti nisi si pasojë e mospagesës së faturës nga të dëmtuarit- shtetasit e Shqipërisë.

Kurse, për të akuzuarit tjerë, tha se nga deklaratat e dëshmitarëve është vërtetuar se kanë kryer veprën penale të rrahjes dhe manipulimit me prova.

Lidhur me rrahjen mes të dëmtuarve dhe të akuzuarve, prokurorja tha se dëshmitarët kanë dëshmuar se ishte serioze.

Sipas saj, nga provat e siguruara dhe të administruara para trupit gjykues, pa mëdyshje janë vërtetuar veprat penale të kryera nga të akuzuarit.

Prokurorja Salihu kërkoi që evidenca e të kaluarës kriminale të të akuzuarve, të merret si rrethanë rënduese gjatë shqiptimit të dënimit, pasi të akuzuarit janë përsëritës të veprave penale dhe kanë edhe më herët aktgjykime të formës së prerë. Andaj, kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe t’iu shqiptohet dënim meritor sipas Kodit Penal, duke marrë parasysh pasojën e shkaktuar, rrezikshmërinë shoqërore.

Në këtë seancë, pritet të vazhdojë dhënia e fjalës përfundimtare nga mbrojtja e të akuzuarve dhe vetë të akuzuarit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren më 3 janar 2023.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C, duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.

Më Shumë

Vetaksidentohet vetura e KFOR-it në Astrazup të Malishevës

Një veturë e KFOR-it është vetaksidentuar në dalje të fshatit Astrazup të Malishevës. Drejtori i Policisë rajonale në Gjakovë, Lumni Graishta, ka konfirmuar aksidentin. “Në dalje...

Ballkani fiton bindshëm në Lipjan, afrohet me kreun

Ballkani ka arritur një tjetër fitore të rëndësishme në kuadër të javës së shtatë të Superligës së Kosovës. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Sami...

Lajmet e Fundit