Prizreni është qeverisur nga PDK-ja, LDK-ja dhe VV-ja. Në zgjedhjet e së dielës gara kryesore zhvillohet në mes të VV-së dhe PDK-së.
Prizreni, qendra e dytë më e madhe në Kosovës pas Prishtinës, pritet të jetë një nga garat më interesante në zgjedhjet lokale të së dielës (nesër 12 tetor) në vend. Në fletëvotim janë Shaqir Totaj (PDK), kryetar aktual që kërkon konfirmimin e mandatit; Artan Abrashi (Lëvizja Vetëvendosje), që synon rikthimin e partisë në qeverisjen lokale; Driton Selmanaj (LDK), i cili përfaqëson përpjekjen e LDK-së për t’u ringjallur pas shumë vitesh në këtë qytet; Besnik Krasniqi (AAK); Albulena Balaj-Halimaj (Nisma Socialdemokrate); Zafir Berisha (Bashkimi Demokratik për Prizrenin) dhe disa kandidatë të komuniteteve jo shumicë.
Gara kryesore zhvillohet mes Totajt të PDK-së dhe Abrashit të VV-së, ndërsa kandidatët tjerë nuk pritet që te kenë ndonjë mbështetje të madhe për të përmbysur rezultatin në favor të tyre.
Prizreni është një nga komunat që asnjëherë nuk e ka fituar ndonjë forcë politike lehtë. Çdo zgjedhje në këtë qytet ka qenë arenë përballjesh të ngushta dhe përmbysjesh surprizuese, me balotazhe që gjithmonë kanë vendosur fatin e pushtetit lokal.
Zgjedhjet e vitit 2007: Fitorja e parë e PDK-së në qytetin historik
Në zgjedhjet lokale të 17 nëntorit 2007, gara për Prizrenin ishte një nga më të fortat në vend.
Në raundin e parë, LDK mori 15 mijë e 955 vota (29.13%), duke u renditur forca e parë, PDK 15 mijë e 101 vota (27.57%), ndërsa AKR 6 mijë e 088 (11.12%). Me këto rezultate, Prizreni shkoi në balotazh.
Balotazhi i 8 dhjetorit 2007 vendosi gjithçka: Ramadan Muja (PDK) fitoi me 19 mijë e 17 vota (52.83%), përballë Eqrem Kryeziut (LDK), i cili mori me 16 mijë e 977 vota (47.17%).
Ky rezultat shënoi fitoren e parë të PDK-së në këtë komunë dhe fundin e dominimit të LDK-së që nga paslufta.
Zgjedhjet e vitit 2009: PDK e mban pushtetin
Dy vite më vonë, në zgjedhjet e 15 nëntorit 2009, Ramadan Muja i PDK-së garoi sërish. Ai e ruajti epërsinë në raundin e parë. Mori 19 mijë e 257 vota (32.30%), ndërsa Hanefi Muharremi 17 mijë e 721 (29.73%). Vendin e tretë e mori Rushdi Rexha nga Koalicioni për Prizrenin, i cili grumbulloi 8 mijë e 311 vota (13,94%).
Balotazhi u mbajt më 13 dhjetor, por nuk u përcaktua fituesi, pasi që disa vendvotime shkuan në rivotim. Në rivotim të 1 shkurtit 2010, Muja i PDK-së, fitoi mandatin e dytë, pasi mori 53,2%, duke mposhtur Muharremin e LDK-së, i cili grumbulloi 46.8% të votave.
Zgjedhjet e vitit 2013: PDK merr mandatin e tretë
Në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit 2013, Ramadan Muja (PDK) doli i pari. Ai mori 24 mijë e 791 vota (37.23%), duke lënë pas Eqrem Kryeziun (LDK), i cili mori 16 mijë e 888 vota (25.36%), ndërsa Zafir Berishën (BD) u rendit i teti, duke grumbulluar 8 mijë e 595 vota (12.91%).
Në balotazhin e 1 dhjetorit 2013, Muja fitoi përsëri me 27 mijë e 824 vota (53.78%), përballë Kryeziut, i cili mori 23,911 vota (46.22%).
Kjo fitore e tretë radhazi për PDK-në e ktheu partinë në sinonim të pushtetit lokal në Prizren.
Zgjedhjet e vitit 2017: përmbysja e madhe e Vetëvendosjes
Në zgjedhjet e 22 tetorit 2017, pas gati dhjetë vitesh qeverisje nga PDK, qytetarët e Prizrenit vendosën për ndryshim.
Në raundin e parë, Shaqir Totaj (PDK) u rendit i pari me 19 mijë e 869 vota (29.75%), ndërsa Mytaher Haskuka (Vetëvendosje) u rendit i dyti me 14 mijë e 967 vota (22.41%), i ndjekur nga Hatim Baxhaku (LDK) me 13 mijë e 55 vota (19.54%).
Balotazhi i 19 nëntorit 2017 solli një përmbysje të papritur: Haskuka (VV) fitoi me 25 mijë e 949 vota (50.36%), përballë Totajt (PDK) me 25 mijë e 577 vota (49.64%) – vetëm 372 vota diferencë që mjaftuan për të ndryshuar pushtetin pas gati një dekade.
Zgjedhjet e vitit 2021: kthesa e ngushtë në favor të PDK-së
Në zgjedhjet e 17 tetorit 2021, Prizreni u nda sërish pothuajse në mes.
Në raundin e parë, Mytaher Haskuka (VV) mori 24 mijë e 378 vota (40.41%), ndërsa Shaqir Totaj (PDK) në revansh mori 18 mijë e 919 (31.36%), dhe Anton Quni (LDK) 9 mijë e 43 (14.99%).
Raundi i dytë, më 14 nëntor 2021, përfundoi me një tjetër përmbysje: Totaj i PDK-së fitoi me 27 mijë e 689 vota (50.93%), përballë Haskukës së VV-së me 26 mijë e 680 vota (49.07%).
Zgjedhjet e 12 tetorit 2025: Totaj kërkon konfirmim e PDK-së, Abrashi rikthimin e VV-së
Në prag të zgjedhjeve të 12 tetorit 2025, gara në Prizren shihet si një “përsëritje” e rivalitetit midis PDK-së me Shaqir Totajn dhe Vetëvendosjes, që këtë herë përfaqësohet nga Artan Abrashi.
Totaj kërkon rikonfirmimin si Kryetar i qytetit historik, ndërsa Abrashi rikthimin e VV-së në qeverisjen e Prizrenit. Partitë tjera nuk kanë peshë të madhe për ndonjë përmbysje të mundshme të rezultatit në favor të tyre.
Prizreni është shembull i një qyteti që s’ka siguri elektorale – çdo katër vite pothuajse ndryshon kah, ndëshkon apo shpërblen në bazë të performancës.
Ashtu si në çdo cikël të kaluar, edhe këtë herë pritet që fituesi të përcaktohet vetëm në balotazh, aty ku Prizreni gjithmonë e shkruan historinë e tij politike./VOX Kosova/
Marketing
Kliko edhe:
https://www.facebook.com/share/p/1CoY2M3KF7/
Hazer Shala, kandidati i PDK-së me numër 26 për asamblenë e Prizrenit
Tefik Tarashaj: Pagën time do ta ndaj për 5 familje në nevojë
9-shi i GUXO-s – Flora Sinani kërkon besimin e qytetarëve të Prizrenit në zgjedhjet e 12 tetorit
26-shi i LDK-së, Arben Hoxha po kërkon votën tënde që zëri yt të dëgjohet në Kuvendin e Prizrenit!
20-shi i LDK-së, Fejzë Kabashi, kandidat për Kuvendin e Prizrenit
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren