Në Rahovec është përkujtuar heroi i Kosovës, Mentor Krasniqi, në 27-vjetorin e rënies së tij heroike.
Në një ceremoni përkujtimore, familjarë, bashkëluftëtarë dhe përfaqësues institucionalë kanë nderuar jetën, veprën dhe sakrificën e tij në luftën çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka theksuar se së bashku me kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, me familjarë dhe bashkëluftëtarë është nderuar figura e Mentor Krasniqit, të cilin e ka cilësuar si shok idealit dhe koleg studimesh.

“Sot, së bashku me Kryetarin Bali Muharremaj, me familjarë, me bashkëluftëtarë e me miq, nderuam jetën, veprën dhe sakrificën e një luftëtari të madh të lirisë, në 27-vjetorin e rënies heroike të shokut tim të idealit dhe kolegut të studimeve, Heroit Mentor Krasniqi. I plagosur rëndë më 1 qershor 1999 në luftimet e ashpra të Bukoshit, ai u përjetësua më 2 qershor, vetëm dhjetë ditë para çlirimit të Kosovës”, ka deklaruar Latifi.
Ai ka kujtuar edhe njohjen e tyre të hershme në vitin 1992, gjatë studimeve në Prishtinë.
“Me Mentorin u njoha në vitin 1992, kur ishim studentë të Kimisë në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në Prishtinë. Na bashkoi jo vetëm rruga e studimeve, por edhe ideali i lirisë dhe angazhimi i përbashkët atdhetar, fillimisht në LKÇK e më pas në radhët e UÇK-së”, ka shtuar ai.
Latifi ka vlerësuar kontributin e Mentor Krasniqit në luftën çlirimtare, duke theksuar rolin e tij në përgatitjen dhe aftësimin e ushtarëve të UÇK-së.
“Mentor Krasniqi u dëshmua si luftëtar trim dhe i përkushtuar. Ai dha kontribut të rëndësishëm në përgatitjen dhe aftësimin e ushtarëve të UÇK-së, duke qenë gjithmonë në vijën e parë të luftës. Qëndroi me armë në dorë deri në fund, duke rënë pas plagëve të marra në betejën e Bukoshit”, thuhet në deklaratë.
Në fund, ai ka theksuar se vepra dhe sakrifica e tij mbeten udhërrëfyes për brezat e ardhshëm.
“Vepra dhe sakrifica e tij, si e të gjithë dëshmorëve të lirisë, mbeten udhërrëfyes për brezat që vijnë. E pavdekshme qoftë vepra atdhetare e Heroit Mentor Krasniqi! Lavdi!”, ka përfunduar Latifi./PrizrenPress.com/
Marketing
“V. Kryeziu” – Zgjidhje për rregullimin e oborrit të shtëpisë dhe hapësirave tuaja!
Realizoni projektet tuaja me BiCredit, partneri juaj i besueshëm financiar në Prizren!
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
‘Toni Residence’ – Mos e humb rastin për të blerë banesën tënde në Prizren
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
