Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH) ka reaguar lidhur me aktivitetet për vendosjen e laurave (rampave) në hyrje të Parkut Kombëtar “Sharri”, pas raportimeve dhe diskutimeve në opinionin publik dhe në rrjete sociale.
Sipas njoftimit, në opinion janë shpërndarë dezinformata dhe pretendime të pavërtetuara se vendosja e laurave lidhet me pagesa hyrëse apo me kufizimin e lëvizjes së banorëve dhe pronarëve në pronat e tyre.

“Vendosja e laurave në hyrje të PK Sharri bazohet në plane, legjislacion dhe praktikat e parqeve në vendet e zhvilluara dhe ndërlidhen me fuqizimin e kontrollit dhe monitorimit të zonës si dhe vendosjen e rendit dhe ligjit”, thuhet në njoftim, raporton PrizrenPress.
Sipas MMPH-së, qëllimi i vendosjes së laurave nuk është vendosja e pagesave apo kufizimi i lëvizjes në prona private, por parandalimi i ndërtimeve ilegale dhe veprimeve të kundërligjshme, si prerjet e pyjeve, gjuetia, transporti dhe tregtia e ndaluar.
Në njoftim theksohet se vendosja e laurave është proces që ka nisur në vitin 2020 me përgatitje teknike dhe ka vazhduar në vitin 2024 me projektin e detajuar, në kuadër të zbatimit të dokumenteve strategjike dhe ligjore për menaxhimin e parkut, përfshirë Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”, Planin Menaxhues, Rregulloren për Rendin e Brendshëm të Parqeve Kombëtare, Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës dhe aktet tjera ligjore e nënligjore.
“Vendosja e laurave nuk do të paraqesë asnjë pengesë për komunitetin lokal dhe nuk i kufizon lëvizjen në pronat private të pronarëve, por përkundrazi do t’u ofrojë përparësi dhe mundësi për zhvillim lokal nga statusi i parkut, si dhe përfitime të shumta si shfrytëzimi i pyjeve, kullotave, frutave pyjore, burimeve të ujit etj., pa asnjë kufizim dhe pa pagesë”, thuhet më tej në njoftim.
Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” (DAPK Sharri) u ka bërë thirrje përfaqësuesve të komunitetit lokal që të marrin informatat zyrtare nga drejtoria dhe t’i njoftojnë banorët, duke kërkuar që të mos bien pre e dezinformatave.
“Dezinformatat dhe protesta e paralajmëruar kundër vendosjes së laurave nuk janë protesta për të mbrojtur drejtën e pronës private, sikur pretendohet, sepse këtë të drejtë çdo qytetar i Republikës së Kosovës e ka të garantuar me ligj, por qëllimi i vërtetë i tyre është përkrahja e dukurive dhe veprimeve të kundërligjshme, ilegale dhe pengimi i vendosjes së rendit dhe ligjit në Parkun Kombëtar që është në interes të përgjithshëm qytetar dhe institucional”, thuhet në njoftim.
Në fund, MMPH këshillon komunitetin lokal që të mos bien pre e dezinformatave dhe propagandave keqdashëse, por të informohen nga institucionet relevante shtetërore, duke shtuar se menaxhmenti i lartë i MMPH-së mbetet në dispozicion për takime me përfaqësuesit e komunitetit për sqarime shtesë./PrizrenPress.com/
Marketing
Realizoni projektet tuaja me BiCredit, partneri juaj i besueshëm financiar në Prizren!
Banesat më të kërkuara në Prizren – Bëhu pronar në Foleja Residence!
Kompleksi ‘Newco Elan’ ofron banesa të ëndrrave tuaja në zemër të Prizrenit
Hapësira me qira në objektet e reja te ‘RENELUAL TAHIRI’ në Prizren
