15.8 C
Prizren
E martë, 13 Maj, 2025

Posselt: Do të përpiqemi t’i heqim vizat për Kosovën këtë vit

BerndPosselt-eurodeputetNdonëse ka një bllokadë nga disa vende të BE-së, eurodeputeti, Bernd Posselt, anëtar i Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian dhe i Delegacionit për Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën, tha në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën se, ai dhe disa eurodeputetë tjerë, po punojnë dhe do të përpiqen për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën këtë vit.

RADIO KOSOVA: Z. Posselt, si i shihini raportet midis BE-së dhe Kosovës, sa afër deh sa larg Bashkimit Evropian ndodhet sot Kosova?

BERND POSSELT: Fillimisht më duhet të them se Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian për Kosovën, i publikuar në vjeshtë, ka qenë mjaft pozitiv. Pastaj, siç e dini, në fillim të këtij viti Parlamenti Evropian ka përmbledhur një raport në përgjigje të Komisionit Evropian, i cili ka qenë shumë, shumë pozitiv. Prandaj, më duhet të them se organet e Bashkimit Evropian i vlerësojnë shumë pozitivisht zhvillimet në Kosovë.

RADIO KOSOVA: Ju, zoti Posselt, në një apel dërguar këtyre organeve të Bashkimit Evropian, keni bërë thirrje që BE-ja të mbështet në mënyrë më energjike, si deri më tani, demokracinë e re në Kosovë. Atëherë, si mund të bëhet kjo mbështetje më energjike, ashtu siç keni kërkuar ju?

BERND POSSELT: Janë katër pika: Së pari, të pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, duhet ta njohin atë sa më parë që të jetë e mundur dhe pa humbur kohë. Shpresoj se tani, kur janë kryer zgjedhjet për president të shtetit në Sllovaki, nga Presidenti i ri do të ketë lëvizje në këtë drejtim dhe shpresoj pastaj kjo do të ndiqet edhe nga shtetet tjera. Çështja e dytë që është shumë e rëndësishme, për të cilën unë angazhohem personalisht. është që Kosova sa më shpejt që të jetë e mundur, të përmbyllë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Marrëveshjen për Tregtinë me BE-në dhe ajo që është edhe më e rëndësishme, të hiqet regjimi i vizave i Bashkimit Evropian për Kosovën. Duhet të përpiqemi që mundësisht, këtë ta realizojmë brenda këtij viti.

Pika e tretë, të cilën unë e konsideroj shumë të rëndësishme, është që ne dëshirojmë që Kosova, së shpejti, të jetë përfituese e të gjitha projekteve të Bashkimit Evropian, projekteve mbështetëse për rininë, arsimin, projekte për këmbime akademike e shkencore, këmbimeve kulturore etj., dhe të gjitha atyre programe tjera mbështetëse financiare sipas Procesit të Selanikut, që shtete tjera tashmë janë duke i marrë.

Dhe pika e katërt, që është gjithashtu shumë e rëndësishme: Siç e dini nuk është vetëm Bashkimi Evropian, ka edhe një bashkësi shtetesh që është më e madhe se BE-ja, e ai është Këshilli i Evropës me 44 shtete anëtare, ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria dhe Serbia, prandaj ne duam të punojmë që edhe Kosova, së shpejti, të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, sepse kjo mundëson pjesëmarrjen në shumë programeve të rëndësishme dhe është në interes të qytetarëve të Kosovës, siç është rasti me Gjykatën për të Drejtat e Njeriut, së cilës do të mund t’i drejtohen qytetarët e Kosovës në rast nevoje, por ka edhe shumë e shumë mundësi të tjera.

RADIO KOSOVA: Do të donim të dëgjonim diçka më shumë për procesin e liberalizimit të Vizave. Ju përmendet se do të bëni përpjekje që kjo të ndodhë brenda këtij viti. Do t’ia dilni që në fund të këtij viti qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza në BE?

BERND POSSELT: Shikoni, momentalisht është krijuar një klimë shumë e rëndë brenda vendeve të Bashkimit Evropian. Këtu dua të jem i sinqertë me ju: Unë jam duke luftuar për këtë qëllim, bashkë me shumë eurodeputetë në Parlamentin Evropian. Por, për të qenë i sinqertë, në disa vende anëtare të BE-së përfshirë dhe vendin tim, Gjermaninë, është krijuar një klimë dyshimi për shkak se nga shumë vende të Evropës Juglindore, para së gjithash nga Serbia Jugore dhe Maqedonia, kanë ardhur shumë azilkërkues politikë në Gjermani dhe vende tjera të BE-së edhe pse qytetarët e këtyre shteteve nuk kanë të drejtë të kërkojnë azil politik, sepse janë vende demokratike apo vende me demokraci në zhvillim. Kjo është arsye që ministrat e Brendshëm të disa vendeve të BE-së po përpiqen ta frenojnë heqjen e vizave për Kosovën. Unë, personalisht, po përpiqem të ndikojë pozitivisht që vizat të hiqen për Kosovën, sepse nuk dua që Kosova të mbetet edhe më tej vend i izoluar në Evropë, por edhe Kosova të ketë të gjitha të drejtat që tashmë kanë Shqipëria, Serbia, Maqedonia dhe vendet tjera. Do të përpiqemi, por, siç e thash, nuk është aq e lehtë për shkak të këtyre fenomeneve për të cilat fola.

RADIO KOSOVA: Saktësisht, megjithatë, nuk mund ta thoni, nëse do të ndodhë këtë vit ose jo heqja e vizave, zoti Posselt?

BERND POSSELT: Thjesht, nuk mund tua them saktë, sepse nuk e di se kur disa prej qeverive të BE-së do të heqin bllokadat që kanë vendosur për heqjen e vizave për Kosovën. Ne do të bëjmë presion të vazhdueshëm, por duhet pranuar, siç thash më lart, momentalisht është shumë e vështirë.

RADIO KOSOVA: Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës janë marrë vesh për vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për dy vjet. Por, në procesin e transformimit do të ketë ca ndryshime, pasi që kompetencat EULEX-it do të dorëzohen tek autoritete vendore. Ju, si e shihni këtë?

BERND POSSELT: Unë angazhohem që kompetencat e EULEX-it t’i dorëzohen të gjitha tek autoritetet vendore. Unë jam i mendimit se mandati i EULEX-it, duhet të kufizohet vetëm në dhënien e ndihmës dhe këshillave për institucionet e Kosovës, ndërsa autoritetet e Kosovës duhet të marrin vetë përgjegjësinë për të gjitha çështjet. Pra, mendoj se autoritetet vendore të Kosovës duhet t’i marrin të gjitha përgjegjësitë e plota, kurse EULEX-i të ketë vetëm një mbikëqyrje për sa kohë që autoritet e Kosovës kanë nevojë për këtë, sepse ne duam që Kosova të jetë një vend i lirë dhe jo protektorat ndërkombëtar.

RADIO KOSOVA: Në prag të shpalljes së datës zgjedhjeve të reja në Kosova ka pasur një debat që është zhvilluar për dhjetë vendet e rezervuar për minoritete. Me Planin e Ahtiaarit vendet e rezervuar në legjislaturën e radhës do të duhej të hiqeshin. Ju si mendoni?

BERND POSSELT: Unë do ta kisha bërë ndryshe, pavarësisht si e sheh Plani i Ahtiaasrit. Unë do t’i kisha mbajtur këto 10 vende të rezervuar, ndërsa do të kisha kërkuar që të njëjtën gjë të bëjë Serbia për shqiptarët e Luginës së Preshevës, pra që edhe Parlamenti i Serbisë të vendos vende të rezervuara për shqiptarët e Luginës. Parimisht, unë gjithmonë jam angazhuar dhe angazhohem për mbrojtjen e minoriteteve, dhe Kushtetutën e Kosovës e konsideroj si Kushtetutë shembull në Evropë, më të mirë në Evropë për mbrojtjen e minoriteteve. Prandaj, këtë element të vendeve të rezervuara nuk do ta kisha hequr, por do të kisha kërkuar nga të tjerët që edhe ata zbatojnë këtë element.

RADIO KOSOVA: Zoti Posselt, ju doni të thoni që Serbia të merr shembull Kushtetutën e Kosovës për t’i garantuar të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës me të njëjtat standarde siç e bën Kosova?

BERND POSSELT: Pikërisht. Kosova është shembull për Serbinë. Serbia ka një sistem mezerie për sa i përket mbrojtjes së minoriteteve, dhe sipas mendimit tim Serbia duhet t’i marrë standardet e Kosovës për mbrojtjen e minoriteteve. Kosova ndërkaq, mund të kërkojë nga të tjerët të njëjtën gjë ballëhapur, kur vetë ka standardet më të mira në Evropë për mbrojtjen e minoriteteve.

RADIO KOSOVA: Zoti Posselt, në Serbi tashmë janë mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe ato i ka fituar zoti Vuçiq, një nacionalist i përbetuar, por i transformuar plotësisht. Ju besoni se ai do ta vazhdojë procesin e dialogut me Kosovën?

BERND POSSELT: Personalisht ju them se unë më herët kam qenë shumë skeptik për sa i përket kësaj partie dhe zotit Vuçiq, por më vonë u dëshmuar e kundërta. Shpresoj që ai të vazhdojë në të njëjtin kurs dhe për këtë ka shumicën e dëshiruar në Parlamentin e Serbisë për të bërë ndryshime dhe për të zbatuar vendimet e veta qeverisëse dhe kjo më duhet të them se përmirëson mundësitë për arritjen e kompromiseve me Kosovën, apo edhe për ballafaqim me të kaluarën. Unë i bëj apel zotit Vuçiq, që ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe të vendos marrëdhënie fqinjësore me Kosovën, sepse ky është kusht nëse dëshiron të afrohet me Bashkimin Evropian. Pa një bashkëpunim të ngushtë fqinjësor me Kosovën dhe pa përmirësimin masiv të të drejtave të njeriut në Luginën e Preshevës dhe pa mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, Serbia nuk ka shans.

Më Shumë

Dështon për të 15-tën herë konstituimi i Kuvendit

Ka dështuar përsëri konstituimi i Kuvendit të Kosovës edhe në tentimin e 15-të. Sikurse në disa nga seancat e fundit, edhe në këtë Lëvizja Vetëvendosje...

52 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara janë shënuar 52 aksidente dhe janë shqiptuar 2286 gjoba në trafik. Sipas...

Lajmet e Fundit