Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fule, deklaroi në Prishtinë se vendimi i Kuvendit për misionin e EULEXit dhe Gjykatën Speciale është shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Kosovës. Në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, Fule foli edhe për rëndësinë e përmbylljes së negociatave për MSAnë, duke paralajmëruar së shpejti edhe deklarim për liberalizimin e vizave. Megjithatë, ai kërkoi që autoritetet të përqendrohen në fuqizimin e politikave sociale e ekonomike.
Diplomati evropian filloi agjenden e takimeve me presidenten Atifete Jahjaga, ku theksoi rendësinë që vendi të koncentrohet në zhvillim ekonomik e social. Më tej, në takimin e këshillit kombëtar për integrime evropiane, presidentja Atifete Jahjaga, e siguroi atë për angazhimin e autoriteteve vendase në proceset integruese, duke kërkuar njëherësh fuqizim të sundimit të ligjit.
Komisonari për zgjerim Stefan Fule, tha se votimi i mandatit të EULEXit si dhe Gjykatës Speciale janë veprime të drejat të cilat ndihmojnë procesin integrues.
“Dëshiroj të lavdërojë pjekurinë politike që ka treguar shteti i Kosovës duke i’a besuar dhe vazhduar mandatin EULEXit si dhe për formimin e Gjykatës Speciale dhe se kjo është një hap i mirë drejt Bashkimit Evropian”, tha ai.
Komisioneri Fule, po ashtu apeloi fituesin e ardhshëm të zgjedhjeve parlamentare që të angazhohet edhe më tutje për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe ta mbështesë EULEXin.
“Kushdo që fiton duhet t’i përmbushë obligimet ndërkombëtare të cilat Kosova i ka nënshkruar. Shpresoj se Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane të jetë në gjendje të konfirmojë se agjenda evropiane e Kosovës është në rruge të mirë, se dialogu me Serbinë po jep rezultate të mira dhe se e ardhmja evropiane e Kosovës është e sigurt”, tha ai.
Kryeministri Hashim Thaçi, deklaroi se Marrëveshja e Stabilizim Asocimit e nënshkruar me BEnë është një dokument bazë, i cili do të forcojë marrëdhëniet e Kosovës me BE-në.
Në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, theksoi se parlamenti ka miratuar një numër të konsiderueshme të ligjeve që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave.
E kryetari i LDKsë, Isa Mustafa, e cilësoi të padrejtë veprimin e BE se karshi Kosovës për mos dhënien e liberalzimit të vizave për Kosovën.
Ndërkaq lideri i AAKsë Ramush Haradinaj, theksoi se intergrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO është synim i AAKsë.
E në takim me kryeministrin Hashim Thaçi, komisionari për zgjerim i BEsë, Stefan Fule, foli për prioritetet në të cilat do të duhej të fokusohej angazhimi i institucioneve të Kosovës.
Ndërkaq, kryeministri kosovar qysh tash i dërgoi ftesë BEsë që t`i vëzhgojë zgjedhjet parlamentare.
Pas takimit me kreministrin Hashim Thaçi, komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fyle theksoi se procesi i integrimit evropian të Kosovës, sillet rreth tri çështjeve.
“Së pari duhet të bëhet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Së dyti, kryerja e zgjedhjeve të përgjithshme të cilat do të mbahen së shpejti, kështu më thanë, dhe pastaj nevoja që të vazhdojmë reformën në sundimin e ligjit”, tha ai.
Ndërsa,Thaçi tha se me Fulen kanë diskutuar edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe pret që së shpejti kjo gjë të ndodhë, pasi sipas tij, Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet, që kanë dalë nga udhërrëfyesi i Liberalizimit të Vizave. Kryeministri Hashim Thaçi, theksoi se duhet të mbajnë zgjedhje të parakohshme, pasi një Kuvend i cili nuk mund të marr vendime për ushtrinë e vet, nuk ka arsye të funksionoëj më tutje.
Shefi Qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi, ka shfrytëzuar nga rasti që përmes komisionarit Fule t’i kërkojë BEsë që të dërgojë vëzhgues për monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. /RTK/