19.8 C
Prizren
E martë, 30 Prill, 2024

Spartak Ngjela: Letra e Jorgaqit për Kadarenë? Shenjtorët nuk preken

Spartak NgjelaBefas lexova nëpërmjet “FB”- së një letër të “Hapur” që i ishte dërguar Ismail Kadaresë nga shkrimtari Nasho Jorgaqi. U habita posa kalova njëzet rreshta të saj dhe e pashë se flitej për një konkurrencë krijimesh letrare: përkatësisht, dy novela me të njëjtën temë. Pastaj e kuptova se nuk ishte një konkurrencë, por thjesht një humbje arsyeje nga Jorgaqi. Habi e madhe, sesi ende vijojnë të godasin Kadarenë, ata që ende nuk u besohet se ka rënë realizmi socialist… Megjithatë, për një gjë jam i sigurt, që atë s’e ka rrëzuar Ismail Kadare, sepse edhe Bashkimin Sovjetik s’e ka rrëzuar Ismail Kadare, dhe as Perandorinë Turke s’e ka rrëzuar ky, edhe pse Kadare ka folur me stigmatizim dhe letrarisht kundër tyre. Por ajo që s’e kuptoj dot, që nga viti 1973, është pyetja: Këta sovjetikë apo otomanë, s’e kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë… që kjo, esencialisht është përplasja e krijimit të lartë letrar me tiraninë, ideologjike, sidomos?

E pse të zgjatem: I Santi non si toccano!
Si ka mundësi që të “akuzosh” një nga shkrimtarët më të mëdhenj të botës sot, se “po pretendon me pa të drejtë që ka qenë disident” kundër regjimit tiranik të Tiranës, në një kohë që kjo s’i jep asnjë vlerë më shumë veprës së tij? Letërsia nuk është dëshirë për të shkruar, kjo s’mjafton: ajo është vlerë artistike që e merr vlerësimin mes arsyes komperative të modeleve të mëdha. Nuk e di se çfarë mund të jetë më e rëndë për një regjim si ai i tiranisë “Hoxha”, sesa një roman si “Pallati i Ëndrrave”. Pa dyshim që ky roman është një vlerë kombëtare, në fillim, e mandej edhe botërore. Atje është stilizuar me art të madh ferri hoxhian, por dhe ferri i të gjitha tiranive – më saktë, vetë Komiteti Qendror dhe Enver Hoxha bashkë me të. Nëse nuk e kuptojnë, të paktën ta shijojnë artistikisht…

Shumë vjet përpara, ndoshta rreth vitit 1994, e kam takuar Kadarenë në Hotel Dajti, pas nëntëmbëdhjetë vjetësh, dhe jo pa një ndjenjë kureshtjeje i kam thënë: “Nga ‘Pallati i Ëndrrave’, ka dalë romani total që ke shkruar, dhe e ke titulluar ‘Koncert në Fund të Dimrit’”. Isha i sigurt për këtë, por nuk isha i sigurt për pohimin e autorit, sepse një pyetje si kjo nuk mund të lejohet t’ia bësh autorit. Janë dy vepra këto që më kanë pëlqyer veçanërisht në letërsinë botërore. Por, për shumë e shumë arsye, Ismaili ndenji disa sekonda dhe pa ndrojtje e pa qejfmbetje më tha:

“Po, nga ai ka dalë”.
Me këtë dua të them se ka një kontinuitet kadareian në veprën e Ismail Kadaresë. Ato janë të lidhura, por kanë një specifikë të përbashkët: tragjizëm dhe patriotizëm, histori universale dhe krijim tronditës që bashkon kohët – lashtësinë greke, Mesjetën dhe kohët moderne. Por Jorgaqi më detyroi që të lexoja “Mjegullat e Tiranës”, se kisha lënë ta lexoja në muajin gusht…
Nuk u habita nga vlera artistike e kësaj novele, por nga një fakt tjetër: Tragjiku shqiptar, paska edhe ky një Romeo e Zhulietë moderne… Siç duket, kjo qenka një propensitet natyror (tendencë natyrore) e shkrimtarëve të mëdhenj.

Kurse kritiku e “akuzonte” se kjo novelë është shkruar tani. Si ka mundësi të flitet për datën e shkrimit për një vepër arti? Madje, sipas tij, kjo ka ardhur dhe “është shkruar tani”, se “Kadareja kërkon padrejtësisht të tregohet disident kundër tiranisë ‘Hoxha’”. Po ku ka disidencë kundër regjimit në këtë novelë? A mund të krahasohet kjo novelë për kundërtinë e saj antitiranike (që s’ka fare), sado e bukur që është, me “Pallatin e Ëndrrave”, apo me “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur”, apo me “Kronikë në gur”, për të mos përmendur dhe shumë të tjera?

Nuk e kuptoj përse nuk përmbahen dot ca shkrimtarë…. Pastaj, si mund të atakohet një shkrimtar me staturë botërore, në një kohë kur vlera e tij sot, në një sens historik, nuk është fare më shumë vlerë për të, sesa për vetë shqiptarët?! Pse këta njerëz duan t’ua zbehin shqiptarëve edhe një vlerë të letërsisë botërore që kanë, në këtë kohë kaq të vështirë për historinë e tyre, nga naiviteti apo nga ligësia?

Gjithsesi, e pse duhet ta analizoj këtë? Mjafton shprehja që me mirëdashje dua t’iu them disave që kanë këtë tendencë: I Santi non si toccano; sepse nuk humbet vlera e Shenjtorit, por ajo e atakuesit. Historia, në funksion të vlerës dhe antivlerës, nuk ka kursyer asnjë njeri, kushdo që ka qenë ky… Edhe nëse të ka marrë temën, kjo nuk është asgjë: shumica e tragjedive shekspiriane kanë qenë shkruar para sesa t’i shkruante Shekspiri. Por, më e vështira për t’u kuptuar është fakti që kjo temë, paska qenë një ngjarje personale e vetë Kadaresë…
* Postim i avokatit në “Facebook”

Më Shumë

Habit këngëtari: Alienët më kërkojnë të bëhem lajmëtari i tyre!

Robbie Williams mendon se alienët po përpiqen të dërgojnë mesazhe përmes tij sepse ai është i famshëm. Këngëtari 50-vjeçar beson se alienët duan që...

Kryeministri Kurti për Asociacionin: Është larg asaj që ka kërkuar Beogradi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe me ç’rast ka thënë se gjithçka duhet të jetë në...

Lajmet e Fundit