2.6 C
Prizren
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Muzika, shëtitje e ndjenjave nëpër kohë

Endrit HyseniQë nga mosha e hershme ka filluar të merret me muzikën, të cilën e konsideron edhe si mikeshë që e shoqëron në çdo moment. Është ky këngëtari më i ri në skenën e muzikës shqipe Endrit Hyseni, i cili në një intervistë për gazetën Tribuna ka folur për ëndrrat e tij si artist, sportin e preferuar dhe shumëçka tjetër.

Ka të realizuara vetëm dy këngë, mirëpo Endrit Hyseni premton që do të krijojë edhe shumë këngë të reja për fansat e tij. Në një intervistë për gazetën Tribuna, ai ka thënë se është ndjerë shumë i lumtur që zëri i tij është vlerësuar nga një artist siç është këngëtari Alban Skenderaj dhe po ashtu ka theksuar se kjo gjë e motivon atë që të ngjitet drejt shkallëve të konkursit muzikor ‘X- Factor Albania’. Endriti po ashtu ka pranuar që këngët e tij do t’i grumbullojë në album dhe nuk e përjashton mundësinë e pjesëmarrjes në festivale.

Tribuna: Që sa kohë merreni me muzikë?
Hyseni: Me muzikë merrem që nga fëmijëria , thjesht kënga dhe muzika për mua është një relaksim i shpirtit , shëtitje e ndjenjave nëpër kohë të ndryshme që me sjelle nostalgji dhe me kujton ngjarje të kaluara të shoqëruar me kujtime të bukura në faza të ndryshme të jetës, ajo është mikeshë në çastet e gëzimit , dëshpërimit , lëndimit , ndjenjës së dashuruar. Qysh si fëmijë kam kënduar në shkollë kam marrë pjesë në shumë gara të ndryshme që janë zhvilluar në qytetin tim si dhe pas çdo suksesi natyrisht që edhe çmimet vijnë vet.

Tribuna: Kush e ka zbuluar talentin tuaj?
Hyseni: Talentin tim për muzikë së pari e kanë vërejtur prindërit e mi të cilët janë motivi im kryesor për sukseset e mia të mëtutjeshme, pastaj edhe profesori i muzikës i cili më mësonte për hapat e tjerë në lidhje me muzikën.

Tribuna: Cilin zhanër muzikor preferoni të këndoni?
Hyseni: Ka shumë zhanre të muzikës që janë mjaft të mira mirëpo zhanrin në të cilin ndihem më rehat është roku dhe balada.

Tribuna: A jeni duke punuar në ndonjë këngë të re? Nëse po, a do i realizoni klip?
Hyseni: Kam realizuar dy këngë të mia që quhen ‘Shpirti Im’ dhe ‘Eja Më Merr’ me të cilat jam ndjerë shumë i kënaqur, sa i përket këngës së re ajo natyrisht se do të dalë në muajt në vijim, ndërsa me klip nuk e di ende mirëpo shpresoj që shumë shpejtë do vijë edhe ndonjë klip .

Tribuna: Me kë bashkëpunoni për tekstet, muzikën dhe orkestrimin e këngëve?
Hyseni: Shpeshherë kam shkruar tekste vetë dhe melodinë e kam realizuar me anë të kitarës, kurse për të dyja këngët e mia muzikën dhe orkestrimin e këngëve e ka bërë Armend Gjoni.

Tribuna: A mendoni të bëni bashkëpunime me këngëtarët e tjerë? Nëse po, me kë keni dëshirë të bashkëpunoni?
Hyseni: Në të ardhmen shpresoj të bashkëpunoj me ndonjë këngëtar sepse gjithmonë puna në grup është e suksesshme. Dëshira ime më e madhe është të bashkëpunojë me Alban Skenderaj sepse ai është këngëtari im më i preferuari, ai është këngëtar i cili i përmbush të gjitha vetitë e një artisti.

Tribuna: Si jeni ndjerë në momentin kur Alban Skenderaj ka shpërndarë ‘coverin’ e këngës së tij të kënduar nga ju?
Hyseni: Ndjehem mjaft i lumtur dhe i emocionuar që Albani ka vlerësuar zërin tim dhe ka publikuar ‘coverin’ e këngës ‘Ata Sy’ të cilën e kam interpretuar unë. Është diçka e pa përshkueshme, një emocion shumë i rrallë. Kjo gjë më ka nxitur të mendoj që të marrë pjesë edhe në X Factor Albania , sepse dihet që Albani është njëri nga anëtarët e jurisë dhe do më pëlqente shumë që të punojë më të.

Tribuna: A mendon që në të ardhmen me marrë pjesë në festival?
Hyseni: Mendoj që po, besoj që do të marrë pjesë në një ndër festivalet me të mëdha që organizohen në trojet shqiptare e që është ‘Kënga Magjike’.

Tribuna: A jeni simpatizues i sportit apo kinematografisë?
Hyseni: Jam simpatizues mjaft i madh i sportit në veçanti futbollit dhe ekipi im i preferuar është Real Madridi, më pëlqen shumë edhe bota e filmit, shikoj filma mirëpo më shumë e dua sportin.

Tribuna: Ku e shihni veten pas 10 viteve?
Hyseni: Veten time në te ardhmen e shoh me shumë obligime, projekte të ndryshme ndoshta edhe me realizimin e një albumi.

Tribuna: A mendon se muzika do të jetë profesioni i juaj në të ardhmen?
Hyseni: Muzikën e kam më shumë si hobi , tash jam duke i ndjekur studimet në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe besoj që ky do të jetë profesioni im për të ardhmen.

Më Shumë

Nëntë filma të shfaqur në DokuFest në listë të gjatë për Çmimet Oscar

DokuFest bën të ditur se tetë nga nëntë këta filma janë shfaqur këtë vit në edicionin e 23-të, ndërsa Queendom ishte pjesë e festivalit...

Qeveria ndan nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë njoftuar se...

Lajmet e Fundit