LDK, AAK, NISMA do të heqin dorë zyrtarisht, sot, nga pozita e Kryetarit të Kuvendit pasi nuk iu takon me Kushtetutë dhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Rrjedhimisht, PDK do të ketë vota të mjaftueshme për të zgjedhur Arsim Bajramin Kryeparlamentari pasi ai do të marrë edhe votat të partive tjera.
Burime të Gazetës Express kanë thënë se Blloku do të deklarohet sot se nuk e synojmë më pozitën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Megjithëse, për këtë lëvizje nuk e kanë marrë miratimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kërkon të gjitha pozitat t’i ketë Blloku, LDK, AAK dhe NISMA do të deklarohen se i hapin rrugë formimit të Qeverisë duke votuar kandidatin e PDK’së për udhëheqës të Parlamentit.
“Ende nuk është e qartë nëse heqja dorë e LDK’së nga pozita e Kryetarit të Kuvendit do të ndikojë në ridizajnimin e marrëveshjes së Bllokut”, ka thënë një zyrtar i përfshirë në bisedimet e katër partive politike.
Ndërkohë, mbrëmë, Isa Mustafa e Ramush Haradinaj kanë shkuar të Presidentja për t’i kërkuar asaj garanci se nëse heqin dorë nga Kryeparlamentari, a do ta kenë të sigurt se do të mandatohen herën e dytë për formimin e Qeverisë.
Burime brenda takimit kanë thënë se Presidentja ka thënë vetëm se do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutën duke mos iu dhënë garanci por as duke mos ua shkëputur të gjitha shpresat për sa i përket mandatarit të Qeverisë për herën e dytë.