24.5 C
Prizren
E shtunë, 28 Qershor, 2025

Administrata e Parlamentit shpërndan shkresën për 9 tetor

Kuvendi Kosoves 14-17Blloku ka dorëzuar kërkesën për mbajtjen e seancës konstituive më 9 tetor ndërsa administrata e Kuvendit u ka shpërndarë shkresën deputetëve dhe presidencës. PDK nuk do të shkojë në seancë, nëse ajo nuk thirret nga kryesuesja Brovina.

Partitë e Bllokut kanë dorëzuar në Sekretarinë e Kuvendit kërkesën për mbajtjen e seancës konstituive më 9 tetor. Por, deputetët e PDK-së kanë deklaruar se nuk do të shkojnë në këtë seancë, nëse ajo nuk thirret nga kryesuesja Flora Brovina.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka theksuar se do të shkojnë në seancë vetëm nëse ajo thirret nga kryesuesja Brovina.

Kurse kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, që është edhe pjesë e Grupit 6+, Mahir Jagxhillar, ka thënë se ky grup do të shkojë në seancën e ftuar nga blloku nëse kjo procedohet si e rregullt.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se thirrja e seancës është ligjore dhe sipas saj sekretaria e Kuvendit nuk aprovon e as nuk refuzon kërkesa të tilla. Administrata e Kuvendit ka njoftuar se ua ka shpërndarë shkresën deputetëve për seancën e 9 tetorit.

Administrata ka sqaruar se shkresa e nënshkruar nga 62 deputetë i është adresuar edhe kryesueses së seancës konstituive, Flora Brovina, kurse me përmbajtjen e saj është njoftuar presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti, tha se Flora Brovina është e vetmja ajo që mund ta thërrasë vazhdimin e seancës. Sipas tij brenda seancës janë vetëm dy variante, që të votohet ose të mos votohet kandidati i PDK-së, ndërsa varianti tjetër është marrëveshja.

Haliti tha se blloku është ngutur me këtë veprim, pasi, sipas tij është dashur të pritet edhe për 4-5 ditë, për ndonjë marrëveshje.

Ndërkaq deklarimi i nënkryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, për një koalicion PDK-LDK–AAK po shihet vetëm si dëshirë dhe manipulim nga drejtuesit e këtyre partive. Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë për RTK-në se ai as që është në dijeni nëse PDK ka dalë me një propozim të tillë.

Por edhe nëse ky propozim ofrohet, Gashi ka thënë se LDK tashmë e ka një qëndrim zyrtar dhe se ai është koalicioni me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën për Kosovën dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Edhe Ahmet Isufi nga AAK-ja ka thënë se nuk ka asnjë lëvizje drejt bashkimit të LDK-së, AAK-së dhe PDK-së. Ai ka deklaruar se bashkimi i këtyre partive nuk do të ndodhë.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, thotë se presidentja Jahjaga nuk duhet dhe nuk i takon që të propozojë emra konkretë për kryeministër, në takimet që po i bënë me liderët e partive politike në vend. Ahmeti ka shtuar se ngërçi politik është duke shkaktuar mjaft probleme për komunat, sidomos në Komunën e Prishtinës, të cilën ai e udhëheq./RTK/

Më Shumë

Memli Krasniqi e konfirmon se Shaqir Totaj do të jetë kandidat për kryetar të Prizrenit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, konfirmoi se Shaqir Totaj do të jetë kandidat për kryetar të Prizrenit. Gjithashtu, Krasniqi dha detaje edhe...

Suhareka mbështet edicionin e 4-të të Shkollës Verore Ndërkombëtare në Prizren

Komuna e Suharekës ka konfirmuar për të katërtin vit radhazi mbështetjen financiare për Shkollën Verore Ndërkombëtare të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, duke dëshmuar...

Lajmet e Fundit