9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Ai që të vjedh shpirtin, të vjedh edhe xhepin

Qemajl Krasniqi 1Qemajl Krasniqi

Vëzhguesit e kujdesshëm e kanë ditur që në fillim se zgjedhjet e 3 nëntorit nuk janë vetëm zgjedhje lokale. Fillimi i konfigurimit politik në terren është dëshmia më e mirë për këtë. Në terrenin politik nëpër fshatra, lagje të qyteteve, kafeneve dhe gjithandej ku ka pasur mundësi të “vilet” vota, i kemi parë figurat qendrore të partive politike. Ruajtja e terrenit ka qenë qëllimi kryesor, sepse në këtë mënyrë rritet fuqia politike edhe në qendër. Përdorimi i metodave të ndryshme, siç janë; kontakti dorë më dorë, derë më derë, tubime hapura, tubime të mbyllura dhe joshje e keqpërdorim të pozitës shtetërore e keqpërdorim të buxhetit të shtetit, kanë karakterizuar fushatën për arritjen e këtij qëllimi “madhor”. Ofertat qindra milionëshe, pagesa e subvencioneve dhe mbështetja qeveritare në kulmin e fushatës, janë dëshmia më e mirë e mungesës së vizionit zhvillimor lokal. Them se kjo është e pasinqertë pasi që niveli i varfërisë në vend është në kufijtë alarmant, prandaj njerëzit kanë zgjedhur të pranojnë para në shkëmbim të votës. Në këtë rast vije në shprehje thënia e popullit “më mirë një vezë sot, sesa një pulë n’mot”. Pra, pranimi i 10, 20 apo 30 eurove, marrja e kuponit për derivate për 10-20 litra, shpërndarja e mbushjeve të Vala-s për një votë, sigurisht se janë joshëse për atë që nuk ka asgjë. Të luash mbi fatkeqësinë e tjetrit nuk është humane, është e pandershme dhe parashikim i ndërtimit të një shteti mafioz, me përmasa kriminale dhe me pasoja të rënda për vendin.
Ai që të vjedh shpirtin, të vjedh edhe xhepin.

Koalicionet (jo)parimore

Konfigurimi politik nëpër komuna është i domosdoshëm. Shtrohet pyetja nëse do të ketë koalicione parimore, apo këto koalicione do të jenë kalkulime matematikore për “qëllime” më të rëndësishme. Formimi i koalicioneve lokale do të ketë ndikim edhe në koalicionet e së nesërmes në nivel vendi. Mirëpo, vlerësoj se një gjë e tillë nuk është shumë e shëndetshme për demokracinë dhe aq më pak e dobishme për qytetarët.
Subjektet dhe kandidatët që deri para zgjedhjeve kanë hedhur akuza nga më të rëndat ndaj njëri-tjetrit, befas e gjejnë veten në krah të njëri-tjetrit. Njerëzit e zakonshëm nuk i harrojnë këto ngjarje. Ata e kuptojnë se në raste të tilla bëhet politikë joparimore dhe se kjo është e ndërtuar mbi interesa të individëve, grupeve të individëve (që quhen parti politike), si dhe përmbushje e apetiteve egoiste të individëve e grupeve për përfitime nga pozita udhëheqëse.
Nëse bazohemi në faktin se në politikë nuk ka inate, por ka vetëm interesa, sepse në fund të fundit vetë partitë politike janë grupe të interesit, atëherë qytetarët nuk mund të presin më shumë. Prandaj, perceptimi qytetar se, “të gjithë janë hajna” vërteton atë që thashë pak më sipër. Të gjithë njësoj janë. “Më mirë një vezë sot, sesa një pulë n’mot”, duke zgjedhur të pranojnë ryshfetin për një votë, sepse e konsiderojnë këtë përfitimin e vetëm që mund të kenë nga partitë politike.

Mjerimi moral e intelektual dhe zhbërja e strukturave kriminale

Kjo është shumë shqetësuese për nivelin moral të shumë politikanëve lokal e qendror, si dhe nivelin alarmant të vetëdijes shoqërore për të ndryshuar diçka. Në situatë të tillë morali nuk merr notë kaluese. Përshkrimi kaq pesimist i gjendjes nuk do të thotë se nuk ka mundësi të gjenden mënyra për të rritur nivelin e moralit politik. Angazhimi i sa më shumë të rinjve në jetën politike, njerëz që kryesisht nuk janë marrë më parë me këtë aktivitet shoqërore, siç është rasti i Partisë së Fortë në Prishtinë, mendoj se është një mundësi më shumë që duhet shfrytëzuar. Madje edhe formimi i nismave qytetare, pa ndonjë lidhje me partitë ekzistuese politike, nga profesionistë të mirë dhe të ndershëm, do të kishte ndikimin e vet pozitiv. Vetëm të tillët do të bënin të mundur luftimin e grupeve mafioze të infiltruar në pushtet, evitimin e mashtrimeve dhe manipulimeve me masën e njerëzve. Kjo kërkon kohë, durim dhe përkushtim të madh, sepse kundër veprimi nga ana tjetër është shumë i fuqishëm, duke marrë para sysh edhe bazën e fortë materiale që tashmë kanë krijuar të pandershmit. Sa do të jetë e mundur të bëhet kjo, vetëm mund të shpresojmë, mirëpo konsideroj se asnjë lloj integrimi Euro-Atlantik nuk mund të ndodh pa këtë përmbysje të madhe. Kosova ka nevojë për klasë politike që reflekton nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, e jo për elita politike që synojnë ruajtjen e ndikimit me çdo kusht dhe pa zgjedhur mjete.

Më Shumë

Një person arrestohet në Prizren pas sulmit fizik ndaj bashkëjetueses

Një person është arrestuar në Prizren. Ai dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht  femrën me të cilën bashkëjeton. “Viktima ka pësuar lëndime trupore, ndërsa...

Bayern Munichu me kërkesë të fundit për Alphonso Davies

Tani ose kurrë. Siç thuhet në Gjermani, Bayern Munich i ka dhënë Alphonso Davies një javë kohë për të marrë një vendim për të...

Lajmet e Fundit