Nga Imer Mushkolaj
Nëse për shkak të shkeljeve kushtetutese janë larguar nga postet Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli, pse duhet të amnistohet Isa Mustafa? Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe gjithsesi duhet adresuar përgjegjësia e kryeministrit dhe qeverisë së udhëhequr nga ai. Amnistia e shkelësve të kushtetutës nuk duhet lejuar
Aktgjykimi i Kushtetueses e ka bërë të qartë se parimet e Asociacionit të Komunave Serbe nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e kushtetutës. Për ata që duan ta marrin vesh, kjo don të thotë se me nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e këtij organizmi, është shkelur kushtetuta e vendit. Marrëveshjen e ka nënshkruar kryeministri Isa Mustafa, ai është shkelësi dhe ai duhet të marrë përgjegjësi.
Por, në vend se të jetë kështu, Mustafa dhe qeveria e udhëhequr nga ai vendimin e gjykatës po e konsiderojnë këshillues, pavarësisht vërtetimit të shkeljeve.
Ata që nuk i ka tradhtuar kujtesa e dinë mirë se në dy raste, në të kaluarën, dy presidentë të Kosovës i ka rrëzuar nga posti Gjykata Kushtetuese. Në rastin e Fatmir Sejdiut, ai u largua për shkak se u konstatua se kishte bërë shkelje duke e mbajtur në të njëjtën kohë edhe postin e të parit të partisë. Ndërkaq Behgjet Pacolli u detyrua ta lë postin pasi gjykata konstatoi se kishte pasur shkelje procedurale gjatë zgjedhjes së tij nga Kuvendi i Kosovës.
Në të dyja rastet, pra, vendimi i gjykatës u përfill, por kështu nuk po ndodh në rastin e Isa Mustafës. Ai dhe kabineti i tij, ashtu si dhe zyrtarë të lartë të partisë së tij po sillen thua se s’ka ndodhur asgjë. Ata po shfaqen komodë dhe, pa i konstatuar fare shkeljet e bëra nga i pari i tyre, po zotohen se do t’i përmirësojnë ato gjatë procesit në vazhdim. Por, para se të përmendin përmirësimin e gabimeve, ata duhet të adresojnë diçka tjetër.
* * *
Përpara se të zotohen për përmirësimin e gabimeve dhe lëshimeve, që për ta mund të jenë të parëndësishme, është përgjegjësia politike e kryeministrit Mustafa dhe e qeverisë ajo që duhet adresuar. Nuk mund ta kalohet mbi shkelje kushtetuese, me arsyetimin se ato do të përmirësohen. Jo. Së pari përgjegjësia për shkeljet e bëra, ndërkaq përmirësimet në rend të dytë.
Dhe, nuk është se opozita ose opinionistët kritikë po thonë se kushtetuta është shkelur – këtë po e thotë hiç më pak se institucioni që e ka për detyrë ta mbrojë atë dhe t’i identifikojë shkeljet e saj.
Nëse për Fatmir Sejdiun e Behgjet Pacollin është vepruar pa pardon, madje për shkelje edhe më pak të dëmshme se sa kjo e Mustafës, pse duhet që kryeministri të amnistohet nga përgjegjësia? Pse duhet të mbyllen sytë para një vendimi të qartë të Gjykatës Kushtetuese? Pse duhet shmangur me çdo kusht adresimit të përgjegjësisë?
Po të mos evidentoheshin shkeljet kushetuese në parimet për themelimin e Asociacionit…, atëherë do të vazhdohej me hartimin e statutit. Athua do të identifikoheshin shkeljet kur statuti të hartohej?
Reagimi i opozitës dhe shoqërisë në përgjithësi dhe pastaj veprimi i presidentes që çoi çështjen në gjykatë, nxorën në pah faktin se Mustafa e ka vënë nënshkrimin në një dokument antikushtetues. Ai këtë mund ta ketë bërë edhe pa vetëdije. Ama kjo nuk e amniston atë nga dhënia e përgjegjësisë. Kjo nuk e amniston atë nga ndëshkimi i merituar.
* * *
Kryeministri Mustafa po përpiqet të krijojë përshtypje në opinion se nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakoshme, pas vendimit të Kushtetueses. Por, edhe opozita me qasjen e vet po krijon përshtypjen sikur gjithçka është në rregull.
Nuk ka arsye më të fortë se vendimi i gjykatës, që do t’i shërbente kauzës së opozitës. Nuk ka arsye më të fortë se ky vendim që të kërkohet përgjegjësi politike, institucionale dhe morale nga Isa Mustafa.
Opozita është dashur që qysh në momentin kur aktgjykimi është bërë publik të nisë ofensivën e sqarimit të vendimit për njerëzit e rëndomtë dhe krijimin e strategjisë që tash, bazuar edhe në një vlerësim zyrtar institucional, ta çojë kauzën përpara.
Nuk mjaftojnë vetëm thirrjet për protestën e 9 janarit, nuk mjaftojnë vetëm deklaratat në media. Nëse e kanë seriozisht, partitë opozitare duhet ta shfrytëzojnë momentin e krijuar dhe nuk duhet lejuar hapësirë Mustafës dhe qeverisë së tij që të përpiqen të arsyetohen dhe t’i përligjin shkeljet e bëra.
Të gjithë duhet ta kuptojnë se një shkelës i kushtetutës nuk mund t’i sanojë shkeljet dhe as ka të drejtë morale ta bëjë një gjë të tillë.
Shoqëria nuk duhet lejuar që një shkelës i kushtetutës të fshihet pas vullnetit të mirë dhe gatishmërisë për t’i përmirësuar ato. Mustafa është dashur të tregohet i kujdesshëm pa e nënshkruar marrëveshjen. Tash është vonë.
Më e pakta që duhet ta bëjë një shkelës i kushtetutës është largimi nga posti. Amnistia e shkelësve të kushtetutës kurrsesi nuk duhet lejuar. Ata duhet ndëshkuar.