Charles Burgess Fry ishte një anglez i jashtëzakonshëm për britanikët dhe tërësisht i panjohur për shqiptarët.
Ai zotëronte një sërë talentesh, që nuk kishin të krahasuar për kohën, dhe që do t’i rezistonin për dekada jo vetëm traditës sportive.
Fry korri arritje sportive që lanë një brez të tërë të mahnitur pas tij.
Ai ishte i shquar akademikisht, një shkrimtar i arrirë dhe një nga burrat më të pashëm, sipas dëshmive të periudhës.
Dhe, nëse e gjithë kjo tingëllon e pamundur, atë e ftuan edhe të bëhej mbret i Shqipërisë.
Por, siç thekson një biografi e re, Fry pagoi një çmim për shkëlqimin e tij.
Edhe pse dukej si një Zot grek dhe shpesh performonte si i këtillë, ai ishte një njeri i cili u mjerua nga dobësitë e tij.
Martesa e tij rezultoi katastrofike, ai ishte i prirur për kriza nervore dhe kishte gjykime aq të gabuara sa u bë një admirues i përkushtuar i Adolf Hitler-it.
Jeta
Më shumë se 120 vjet më parë, bëri debutimin e tij si lojtar i kriketit në Angli.
Ishte fillimi i një karriere të gjatë, që e bëri atë një lojtar me staturë historike – emrin e tij e njeh çdo adhurues i kriketit.
Gjithashtu, ai luajti futboll për Anglinë dhe mori pjesë në një finale të “FA Cup” për Southampton-in.
Por talenti i tij në atletikë ndoshta u shqua akoma më shumë.
Ai barazoi rekordin botëror në kërcim për së gjati.
Fry ishte një vrapues i shkëlqyer dhe me siguri do të kishte fituar një ose dy medalje ari në Lojërat Olimpike të 1896-ës, po ta dinte se ato po zhvilloheshin.
Shumë menduan se ai do të kishte luajtur edhe për Anglinë në regbi, po të mos ishte përplasur me angazhimet e futbollit.
Karriera
Charles-i shkëlqeu në latinisht dhe greqisht kur studionte në Oxford dhe ishte një shkrimtar i talentuar.
Ky talent më pas do të përvijonte, teksa u bë një gazetar i shkëlqyer.
Ai ishte një yll social ndër më të ndriturit e gjeneratës së tij – miqtë e tij më të ngushtë u bënë ministra.
Por ai kishte probleme; atij i mungonin vazhdimisht paratë (madje edhe duke iu drejtuar modeling-ut nudo për të siguruar bukën e gojës).
Gradualisht u bë e ditur se nuk e kishte forcën për të mbajtur barrën e gjenialitetit të tij.
Përpara se të largohej nga Oxford-i, tashmë kishte pësuar një krizë nervore.
Në vitin 1898, në moshën 26-vjeçare, u martua me Beatrice Sumner, një grua mizore, dominuese dhe jetoi me frikën e saj gjatë gjithë martesës së tyre.
Jo vetëm që ishte 10 vjet më e madhe se ai, por kishte një të kaluar skandaloze që asokohe mbyllte shumë dyer.
Fry kishte shumë dhunti, por forca emocionale nuk ishte një prej tyre – dhe as pasuria.
Mbret
Pikërisht pas Luftës së Parë Botërore, Fry, i cili shpesh luftonte si mbret, pothuajse u bë i tillë – Karli III i Shqipërisë.
Kjo ndodhi përmes Princit Ranjitsinjhi, i cili ishte bërë një nga tre përfaqësuesit e Indisë në Lidhjen e Kombeve dhe kishte marrë Fry me vete si shkrues fjalimesh.
Familja mbretërore e Shqipërisë ishte me origjinë gjermane dhe ishte kthyer në Gjermani, duke i lënë ata pa përfaqësues në Gjenevë.
“Mos e pranoni kurorën e Shqipërisë”, këshilloi miku i tij i vjetër nga Oxford-i, poeti Hilaire Belloc, “qëndroni në një bodrum vere dhe shoqërinë e atyre që ju duan”.
Ndërsa shqiptarët kërkonin një burrë me të ardhura 10 mijë paund në vit, të cilat Fry nuk i kishte dhe as Ranji nuk do t’i siguronte, mbretëria nuk u bë kurrë e tij.
Në vitet ’20, shëndeti i tij mendor, i cili ishte mbajtur mirë për gati tri dekada, filloi të përkeqësohet.
Në Indi në fund të viteve njëzetë, ai përjetoi një rënie emocionale të madhe dhe u bë tërësisht paranojak.
Për pjesën tjetër të jetës së tij, ai vishej me rroba të çuditshme jokonvencionale dhe kishte interlude të frikshme ekscentrike.
Hitler
Në vitin 1934, Fry u takua me Hitler-in.
Ai shkoi i mirë-informuar, por ishte mjaft i përfshirë nga përmasat dhe shpirti i një takimi ku Fyhrer-i po hapte një autobahn (hekurudhë).
Atij i bëri shumë përshtypje kalibri i të rinjve dhe të rejave, të cilët, sipas tij, krahasoheshin fare mirë me të rinjtë në Britani.
Fry u përpoq të bindte Von Ribentrop-in që Gjermania naziste duhet të ngrinte sportin e kriketit.
Ai tha se kriketi ishte në thelb një lojë e mirëfilltë nordike dhe ata ndoshta do të prodhonin një WG Grace (William Gilbert Grace) biond.
Gjermanët nuk ishin të bindur. Në takimin e tij njëorësh me Hitler-in, ishte shumë i impresionuar dhe duket se e kishte pranuar plotësisht pohimin e diktatorit se hebrenjtë ishin në përplasje me bolshevikët.
Charles Burgess Fry vdiq më vitin 1956, me titullin “plak i madh i sportit”.
Për vite me radhë kishte shkruar fillimisht për gazetën “The Express”, ku pak a shumë shpiku rolin e yllit/gazetarit të sportit.
Këto pasazhe janë marrë dhe përshtatur nga libri “CB Fry: An English Hero” i autorit lain Wilton
/Albanianpost.com