7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Antienverizmi, “varka politike” që as merr e as shpie

Aleksandër ÇipaAleksandër Çipa

“Lënda e parë e guximit është koha”, shprehet në librin e vet “Sarkozy, emri i ç’gjëkafshe është?” Alain Badiou, një qëmtues këmbëngulës i historisë politike të së majtës franceze. Në fakt kjo sentencë vlen sot më tepër se kurrë, për opozitën tonë politike. Kjo opozitë është në stanjacionin e prolog-reformimit të vet pas humbjes së pushtetit qeverisës në tetë vjetët e shkuar. Është një opozitë që nuk e ka guximin e nisjes së thellë të reformimit dhe ristrukturimit të saj, por mesa duket, i ka mbetur vetëm guximi për të ripërdorur armët dhe metodologjitë e vjetra të tranzicionit konfliktual dhe ultimativ të politikëbërjes. Kjo mund të thuhet pasi merr në analizë dy segmente reagimesh të shfaqura me ngutje, dhe sidomos me zell, në harkun kohor të muajit të fundit. Kjo periudhë kohore është njëkohësisht edhe muaji i dytë i të qenët opozitë përballë një shumice majtistësh. PD e zotit Berisha, ndërsa gjendej ende në karriget qeverisëse të kohës së tranzicionit të pushtetit, u ngut të akuzonte jo pa qëllim të krijimit të një perceptimi, pasardhësen e vet në qeverisje, PS-në!

Segmenti i parë ka të bëjë me protestat qytetare që nisën pas dakordësisë së fshehur të zotit Rama për pranimin e importimit të lëndëve dhe armëve kimike nga Siria, për t’u ekzekutuar në Shqipëri. Protesta, të parat e këtij lloji në Shqipërinë postkomuniste, të cilat e detyruan kryeministrin të pranonte verdiktin e qytetarëve dhe të pësonte një “zhgënjim amerikan” me provë dhe reflektim në kohë të ardhme. Në këto protesta opozita me dy kryetarë, rendi të futej në masën e qytetarëve, por u largua prej disa protestuesve, duke e lënë aksionin në protagonizmin e OJQ-ve dhe veprimtarëve të ambientalizmit shqiptar.

Segmenti I dytë, mesa duket po nis të shfaqet pikërisht këtë fundjavë, me rastin e rishfaqjes së portretit të ish-diktatorit, prej nostalgjikëve enveristë në sfondin e ceremonisë ku gjendeshin dy krerët kryesorë të qeverisjes aktuale, zoti Rama dhe zoti Meta në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Zelli për përdorimin e këtij “grepi” politik shfaqet së pari nga ish-lidershipi i palarguar i PD-së. Në njëkohësi edhe zoti Berisha edhe zonja Topalli, (ish kryetari-kryeministër dhe ish-kryetarja e Parlamentit), japin alarmin për këtë provokim politik që u ka bërë zoti Rama. Çuditërisht me pakujdesinë më të madhe e bëjnë ndarjen në këtë përgjegjësi, mes zotit Rama dhe zotit Meta ndaj pranisë së portretit të Enver Hoxhës në sfondin ceremonial!

Partia Demokratike, që dukshëm e pa asnjë kompleks shfaqet në jetën publike e politike me një kryetar zyrtar dhe një kryetar si të palarguar, do ta ketë ende të largët, ditën e “fitimit të lëndës së duhur për të kapërcyer kohën” . Zoti Berisha është kryetari i dorëhequr, por i palarguar i PD-së. Si i tillë, vijon të diktojë axhendën, sjelljen, reagimin, gjuhën dhe aksionin politik të PD-së. Këtë gjë, në mënyrën më flagrante, e imponon edhe së fundi me atë ç’ka paralajmëroi dje zëdhënësja zyrtare e PD-së, zonjusha Vorpsi. Nëse e sheh me vëmendje tekstin e deklaratës, kupton lehtësisht se ai dekonspiron autorësinë deri dhe shkrimore, të ish-kryetarit Berisha. Një deklaratë që merr shkas nga shfaqja e fotografisë së ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, por që si në kohë të kryetarit Berisha dhe me atë patetizëm, shkon gjer në ultimatum: “Partia Demokratike i kërkon Kryeministrit Edi Rama të distancohet urgjentisht nga akti i poshtërimit të shqiptarëve…. Sot Kryeministri ka ikonë të tijën Enver Hoxhën, diktatorin me duart më të përgjakura në gjithë botën, për frymë popullsie…PD i kërkon Kryeministrit të kërkojë falje sot, tani, pa kaluar as edhe një orë më shumë,….”

Kjo deklaratë paralajmëron rikthimin në përdorim të armës dhe “pretekstit antikomunist e antienverist” të PD-së. Është një ripërdorim i njohur gjatë 24 vjetëve të historisë politike të PD-së e më së shumti të zotit Berisha. Kjo armë e shpeshpërdorur, mesa duket po i imponohet për ripërdorim edhe zotit Basha. PD po bie në skemën varfanjake të përdorimit të preteksteve dhe alibive, duke tentuar të shmangë vëmendjen nga nevoja akute për procesin më eminent të vetes. Opozitës i nevojitet ringritje dhe reformim i ngutshëm, dimensionim dhe formësim i kapaciteteve politike për të qenë jo vetëm në lartësinë e procesit reformues, por mbi të gjitha të funksionimit si korpus qendror i njërit prej dy establishmenteve themelore të politikës në vend. Opozita është në gjendjen e një institucioni “ku ka rënë bomba”, ku janë dy krerë dhe ka shumë “gjymtyrë”, ku ka më shumë të heshtur e të fshehur se sa të pranishëm dhe aktivë. Tentativa për t’i vënë në duar armët e antienverizmit dhe antikomunizmit, është një akt i pastër keqpërdorimit dhe humbjes së inteligjencës për të kapur dhe luajtur rolin e duhur politik. Është e stërprovuar se antikomunizmi i zotit Berisha nuk është më përmbajtësor se ai i zotit Rama. Koha e protagonizmit fillestar për shembjen e regjimit komunist dhe qesharakëzimit të mitit të Enver Hoxhës, ka mbetur pas, në krye të viteve ‘90. E sotmja është një mundësi për drejtgjykim dhe drejtpeshim se tek cili është më e lartë përmbajtja antienveriste dhe tek cili më e vlefshme propaganda antikomuniste. Antienverizmi nuk mund të jetë më një alternativë konkurrimi mes dy palëve politike apo mes protagonistëve që janë në kohë dhe raporte të ndryshme me historinë politike vetjake dhe atë të vendit. Aq më tepër nuk vlen për konkurrim politik pas 24 vjetësh jetë intensive dhe procesesh politike e integruese në rrjedhën e të cilave, Shqipëria dhe shqiptarët gjenden aktualisht edhe falë zellit kolektiv të tyre për të qenë pjesë e anëtarësuar në BE. Në këtë tentativë ripërsëritëse të antienverizmit, zoti Berisha jo vetëm që evidenton më shumë vjetrimin e arsyes politike, por krijon precedentin e një udhëheqësi që postlargimin po e përdor si riimponim politik. Këtë kosto në këtë ritentativë nuk e merr zoti Berisha, por opozita politike e vendit. Këtë kosto, më shumë se kushdo, po e pëson zoti Basha. Antienverizmi është një “varkë politike” që as nuk të merr e as nuk të shpie në ballafaqimin dhe jetën politikëbërëse. Në këtë vend është e dëshmuar gjithmonë ikja nga historia dhe protagonizmi i së shkuarës politike, por jo nga mentaliteti dhe konflikti patologjik mes vedi. Me rikthimin e fundit, në “armën-varkë” të vjetër, zoti Berisha bën propozimin e paarsyeshëm të At-themelonjësit për familjen e vet. Për këtë arsye, ai nuk mund t’i ofrojë më asgjë reformimit ideor dhe strategjik partisë së vet. Sepse siç e pohon gazetari i njohur shqiptar jashtë Shqipërie, Gazmend Kapllani: “Berisha, fatkeqësisht, nuk e bën dot këtë gjë. Ai i përket një shekulli tjetër, plot urrejtje, mllef dhe fëmijë të përbindshëm”.

Rikthimi i këtij preteksti mund të vlejë për një riprotagonizëm fragmentar dhe qesharak të zotit Berisha, por nuk është një premisë e aq më tepër arsye, për aksion politik të PD-së së re post-Berishë. Aksioni politik i saj fillon te rimbushja me ide, strategji, platformë e projekte dhe njëkohësisht te reformimi dhe ristrukturimi i menjëhershëm. Nevoja për këtë investim politik imediat, është e lidhur me procesin riformatues të kapaciteteve politike dhe opozitare të saj. Opozita që ka për kryetar zyrtar zotin Basha, mund t’i rikthehet përvojës së pak viteve më parë të PD-së, atëherë kur u promovua KOP-i i dikurshëm. Është fjala jo për të marrë një formulë përdorëse siç ngjau atëherë, prej zotit Berisha, por për vlerat reale dhe përfshirëse sikundër ishte edhe vetë zoti Basha. Një vlerë të tillë rivlerësimi dhe ripërfshirjeje duhet ta manifestojnë të dyja palët politike në këtë vend. Kjo është një pistë në të cilën kryevendoset ndërrimi i elitave si dhe fitohen e shtohen vlerat e luajalitetit dhe gjithëpërfshirjes politike. Përmes kësaj mënyre evitohet dhe përjashtohet rikthimi i “varkave” të keqpërdorura e të nxjerra në sterre nga tramundanat dhe betejat konfliktuale të tranzicionit konfliktual berishist. Rreziku i tretur dhe i balsamosur enverist, shkon me dialektikën perënduese të protagonistëve në jetën dhe historinë politike të shoqërive të lira. Zoti Berisha është një ndër protagonistët që e ka humbur shansin për t’i dhënë për ripërdorim vendit, dhe aq më tepër forcës së vet politike, armët e vjetra dhe varkat e zhvleftësuara. Prej tij më e vyer tashmë është memorialistika politike. Ajo, pra, shkrim-kujtesa e tij nuk pritet me kureshtje dhe interes vetëm nga fansat dhe familjarët e vet politik, por edhe nga shumëkush që është i lidhur me kohën dhe historinë politike të postkomunizmit shqiptar. Këtë mundësi të mbetur dhe të ardhur natyrshëm, politikani Berisha nuk mund ta shkëmbejë kurrsesi me ambicien për mision, si riprotagonist politik.

Më Shumë

Kryeziu: Serbia vazhdon me regjimin e Millosheviqit, pavarësisht që kanë ndryshuar njerëzit

Ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu, thotë se Serbia me veprimet e ngjashme si ato të sotme që ndaloi kosovarët në pikat kufitare, po tregohet...

Serbia paraburgos mërgimtarin nga Hasi që e ndaloi dje, akuzohet për krime lufte

Policia serbe ka arrestuar një kosovar me pretendimet se i njëjti si ish-pjesëtar i UÇK-së, ka kryer krime luftë kundër popullatës serbe. Bëhet fjalë për...

Lajmet e Fundit