11.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Arben Gashi, Eqrem Kryeziu dhe pallavrat

Arbana XharraShkruan: Arbana Xharra

Garda që ka qëndruar me arrogancë në barrikada të LDK-së, ata që me çdo mjet kanë penguar reformimin e kësaj partie, tek tani, pas zgjedhjeve, ka nisur të shfaqet e pakënaqur. Dyfytyrësia politike u doli në pah pikërisht kur doli në shesh se sa shumë u ka rënë pesha në opinion. E pesha e tyre matet shumë lehtë me votat që kanë marrë në këto zgjedhje, krahasuar me ato të para katër vjetëve.

Arben Gashi dhe Eqrem Kryeziu, ndonëse përfaqësojnë gjenerata të ndryshme, i bashkon një gjë e pështirë: mentaliteti i njëjtë politik dhe ambiciet pothuaj absurde për fuqi brenda partisë. Por, me sa duket kësaj here ata zemërimin e tyre po e drejtojnë kundër figurave qendrore politike në LDK që arritën sukses dhe morën vota. Ndikimi i figurave si Gashi e Kryeziu, po bie për shkak se nuk i afruan asgjë opinionit.

A e mbani në mend të ketë mbajtur ndonjë fjalim në Kuvend Eqrem Kryeziu, ose Arben Gashi? Diçka që mbahet në mendje. Jo. Eqrem Kryeziu ishte kujdestar për humor, Arben Gashi kujdestar për të ruajtur qetësinë dhe heshtjen brenda grupit parlamentar të LDK-së.

Nëse krahasohen votat që kanë marrë në vitin 2010 me ato të 2014, shihet qartë se këta dy zyrtarë të LDK-së dhe disa të tjerë janë ndëshkuar nga elektorati dhe jo me pak vota. Arben Gashi në vitin 2010 ka marrë hiç më pak se 20 mijë e 443 vota, kurse në zgjedhjet e qershorit të sivjetmë 14 mijë e 879 vota. Kurse Eqrem Kryeziu nga 11 mijë e 678 vota ka rënë në vetëm 4 mijë e 182 vota, duke mos e siguruar as pragun për t’u bërë deputetë.

Njëkohësisht kemi ngritjen marramendëse të Vjosa Osmanit, nga 9 mijë e 778 vota sa kishte në vitin 2010, në 39 mijë e 925 vota në zgjedhjet e 2014. Suksesi i Vjosa Osmani është lehtë i shpjegueshëm: qëndrimet e prera, analizat e mençura jo vetëm juridike, maturia, me një fjalë: serioziteti në paraqitje. Gashi e Kryeziu dhe shokët e tyre nuk kishin asnjë nga këto karakteristika.

Fatmirësisht lista e LDK-së jep sinjal për ndërrimin e mentalitetit të votuesit të kësaj partie, ku të konsumuarit që nuk arritën të krijojnë bindjen për ndryshim, kanë rënë nga fundi i listës. Kësaj here së paku një grup i tyre, ka dalë në pension të merituar politik. Do të ishte mirë që pas dorëheqjes së Eqrem Kryeziut të shkonin edhe disa shokë të tij, të cilët kurrë nuk morën përgjegjësi për asnjë dështim. Sabri Hamiti, për shembull, mund të shkojë t’u mbajë ligjërata studentëve nëse e dëgjojnë dhe jo të zërë një karrige në Kuvend pa dhënë asnjë kontribut.

A e keni dëgjuar Hamitin duke thënë diçka në fushatën elektorale? Jo. Sepse me gjasë mendon se mitizimi i vetvetes i sjell vota. Kjo kohë po mbaron. Dhe mirë që po mbaron. Është koha që LDK-ja të hapë rrugë për figura të reja, personalitete me kredibilitet që nuk ndryshojnë qëndrim brenda natës.

Gashi, Kryeziu e disa të tjerë që tek tash nisën të japin deklarata të serta ishin pjesë e zhvillimeve të LDK-së edhe para disa javësh, kur u nënshkrua marrëveshja me partitë tjera për bllokun e shumicës së re parlamentare. E tek tash iu paska rënë ndër mend të reagojnë gjoja se nuk pajtohen me këtë marrëveshje.

Dikur i përkëdheluri i LDK-së, i cili s’i ka lënë vend kujt të ketë hapësirë në medie, Arben Gashi, “rastësisht” pasi që u dhanë rezultatet finale të zgjedhjeve, kur u pa se sa ka rënë me vota, shfaqi pakënaqësi për koalicionin LDK, AAK, Nisma. Ai madje u solidarizua me dorëheqjen e Eqrem Kryeziut për të shprehur tërthorazi pakënaqësinë ndaj kreut të Isa Mustafës.

Por, duhet rikujtuar se ishte pikërisht Isa Mustafa ai i cili i dha mundësinë Gashit që të jetë pjesë e politikës, sepse duke e ditur kapacitetin e tij intelektual sot zor se do ta kalonte pragun. Këtu, ndërkaq, nuk ia vlen të futem në analizë për përrallat e Kryeziut, i cili ka kohë që i ka ardhur vakti të pensionohet.

E pakënaqësisë së tyre publikisht iu bashkëngjit edhe Naser Rugova, duke thënë se brezi i ri nuk hesht. Pyetja është cilit brez i takon Naser Rugova? Çfarë referencash politike, publike dhe profesionale ka? Një emër i famshëm s’thotë gjë. Këtë e kemi parë nga Ukë Rugova. Motra e tij, Teuta Rugova, e cila po hyn në Kuvend me vota sentimentale për babanë e saj, duhet të nxjerrë mësim nga sjelljet e akraballëkut të saj.

Ta zëmë Naser Rugova e ka braktisur ndër të parët LDK-në në vitin 2006 dhe ka kaluar te egoisti primitiv Nexhat Daci. Pastaj Naser Rugova është kthyer në LDK, në fakt ka hyrë kokulur, si anëtar i thjeshtë. Të presësh tash që partia brenda pak muajsh të japë krejt privilegjet është e tepërt. Kritika e tij ndaj LDK-së bazohet në inat personal për mosarritjen e ambicieve personale. LDK-ja vërtet mund të bëhet lokomotivë, por në këtë tren Naser Rugova është vetëm njëri nga udhëtarët në vagonin diku nga fundi.

Të gjitha këto kundërshtime publike ndaj koalicionit të shumicës shqiptare erdhën me vonesë nga një grup brenda LDK-së, të cilët po tentojnë të shfrytëzojnë situatën për përfitime personale. Shumë e thjeshtë, ata kanë mundur të reagojnë qysh para se të nënshkruhej kjo marrëveshje ose menjëherë. Nëse të tillët kanë alternativa të tjera politike le të vazhdojnë rrugëtimin: Hashim Thaçi i pret ata me dyer të hapura dhe me ndonjë qese me para, por karrierë politike s’mund të bëjnë më. Andaj, sa më parë që i lënë pallavrat, aq më mirë.

Më Shumë

Liria në shtëpi pret Dukagjinin

Në Prizren, Liria tashmë e dorëzuar e pret Dukagjinin e Klinës që synon fitore pas barazimit në xhiron e kaluar me Llapin. Vendasit nuk e...

Kupa e Kosovës, nesër zhvillohen ndeshjet kthyese të gjysmëfinaleve

Nesër zhvillohen ndeshjet kthyese të gjysmëfinaleve të Kupës së Kosovës. Në fakt, ndeshjet ishin planifikuar të luhen në javën e kaluar, por Federata e Futbollit...

Lajmet e Fundit