Njëri prej dhjetë deputetëve më të votuar të LDK’së, Bahri Thaçi paralajmëron rikthimin e Fatmir Sejdiut në krye të LDK’së. Por ai thotë se kjo s’mund të ndodh para se të mbahet Kuvendi Zgjedhor i partisë. Sipas tij, LDK ka mundur të dalë edhe njëqind herë me e suksesshme në zgjedhjet e fundit.
Deputeti i LDK’së, Bahri Thaçi vlerëson se Fatmir Sejdiu duhet të kthehet në krye të LDK’së pas zgjedhjeve të brendshme partiake, të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm.
Ai thotë se Fatmir Sejdiu i ka të gjitha potencialet për t’u rikthyer edhe një herë në udhëheqje të Partisë që e kishte themeluar Ibrahim Rugova.
“Unë besoj se pas zgjedhjeve të brendshme në LDK z. Sejdiu i ka shanset dhe potencialet i ka ai të jetë në krye të saj”, ka thënë Thaçi, në një intervistë për Gazetën Express.
“Unë jam për ata se kushdo që e ngritë LDK’në në nivelin më të lartë dhe e bën parti fitimtare. Politika e LDK’së i duhet Kosovës”, ka shtuar ai.
Deputeti që është renditur i dhjeti me më së shumti vota në zgjedhjet e fundit thotë se Sejdiu duhet të kthehet në krye të LDK’së në një proces zgjedhor dhe të marrë votat e strukturave të Partisë.
“LDK e ka Statutin dhe ka disa rregulla. Fatmir Sejdiu mund të kthehet në krye të LDK’së kur të mbahet Kuvendi Zgjedhor i LDK’së. Fatmir Sejdiu e ka shansin e mirë në Kuvendin e ardhshëm me bekimin elektoratit dhe strukturave të LDK’së me u kthye përsëri në krye të LDK’së, pse jo”, ka thënë deputeti llapjan, i cili në zgjedhjet e fundit ka marrë 10 mijë e 571 vota.
Por, cili është vlerësimi i deputetit Thaçi për rezultatin e LDK’së në zgjedhjet lokale?
Përgjigja e tij është se LDK do të mund të kishte edhe njëqind herë me e suksesshme po mos t’i kishte disa mangësi.
“Ka pasur njëfarë suksesi LDK’ja, por ka mundur të ketë sukses edhe 100 herë më të mirë. Shumë faktor kanë ndikuar dhe të gjitha ato mangësi që i kemi pasur në këtë mandat kemi marrë mësim dhe në zgjedhjet nacionale me i korrugju dhe me dalë partia e parë në Kosovë”, ka thënë ai.
Thaçi ka komentuar edhe humbjen e Isa Mustafës në garën për Kryetar të Prishtinës, duke thënë se kundërshtarët politikë kanë shfrytëzuar mangësitë e LDK’së në Kryeqytet.
“Kundërshtarët politikë të LDK’së në Prishtinë i kanë shfrytëzuar disa dobësi, të cilat s’do të duhej të ndodhin. Kur një parti është gjatë në pushte e krijon përshtypjen se gjithçka është e kryer. Mendoj se kjo na ka kushtuar sepse kemi qenë të sigurt se Prishtinën e fitojmë. Ka munguar në finale angazhimi dhe të gjitha partitë janë bërë bashkë dhe e kanë mundur LDK’në”, ka deklaruar Thaçi.
Sidoqoftë, ai thotë se pavarësisht rrethanave LDK duhet të ketë kujdes dhe të ruaj Fatmir Sejdiun dhe të mos veprojë sikur me disa figura tjera që ishin larguar nga kjo parti.
“Z. Sejdiu është një njeri që LDK s’guxon në asnjë mënyrë me humbë. As më herët s’është dashur të humbë shumë njerëz. Nga ajo që më përpara ka humbur shumë njerëz, tash duhet me nxjerr mësim dhe z. Sejdiu, LDK s’guxon me humbë”.