9 C
Prizren
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Banorët e Mamushës shkojnë në Prizren për ujë të pijes

Banorët e Mamushës ankohen për mungesë të ujit të pijshëm, ndërsa tregojnë se komuna nuk po bën asgjë për ta zgjidhur këtë problem. Kryetari i kësaj komune Arif Bytyq që mban këtë pozitë që nga viti 2009, kishte premtuar se do ta sigurojë ujin e pijes për Mamushën në fushatën e zgjedhjeve lokale të 2013-ës, pa e realizuar këtë premtim.

Rrustem Thaçi, një banor i moshuar i Mamushës flet me mllef për mungesën e ujit.

“Jo hiq s’ ka ujë, kurrgjë s’ ka bo… prej komunës s’ ka kurrgjë, këtu për katund s’ ka kurrgjë. Qe unë qeshtu po të them, edhe s’ kam çka me te thënë më,” thotë Thaçi.

Ndërsa Ferman Morina që gjithashtu jeton në Mamushë tregon se si mamushasit e sigurojnë ujin e pijshëm.

“Nuk kemi ujë. Na ujin po e marrim nëpër Prizren për me pi, se këtu nuk është uji i pijshëm. Ata që kanë pare marrin filtera, se filteri kushton 700 e kusur euro, për me e ngjitë,” thotë Morina.

Ujin e puseve në Mamushë për pije e përdorin vetëm ata që kanë filtrat që përmend Morina.

Abdylhadi Krasniqi nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) që është në opozitë në Mamushë konfirmon shqetësimet e qytetarëve dhe mungesën e veprimeve komunale për sigurimin e ujit të pijshëm.

“Qytetarët ujin e pijes shkojnë me marrë me shishe e me kanta prej Piranës dhe prej Prizrenit, sepse nga bunarët e Mamushës nuk është uji i pastër për tu pi. Ekzekutivi i komunës deri më sot asgjë nuk ka marrë në këtë drejtim. Në fushatë kryetari ka premtu që ka me e sjellë ujin e pijshëm, se ka bo hiq. Pra premtimet e kryetarit në fushatë edhe realizimet janë zero,” thotë Krasniqi.

Krasniqi bën me dije se disa herë si asamblist në Kuvendin Komunal të Mamushës ka folur për mungesën e ujit, por sipas tij kryetari Arif Bytyq vepron krye në vete.

“Kryetari vetë s’ka marrë kurrfarë iniciative për ujin e pijes në Mamushë, iniciativa e tij është vetëm me shetit dhe me i bo do projekte që nuk janë interes i qytetarëve, por është vetëm për interesa personale,” vijon akuzat Krasniqi.

KALLXO.com për problemin e ujit të pijes kontaktoi edhe zyrtarë të Komunës së Mamushës dhe vetë kryetarin Bytyq, por edhe pas dhjetë ditë pritjeje nuk mori përgjigje.

Më Shumë

1.5 milion euro investime të reja infrastrukturore në Rahovec

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, së bashku me zëvendësministrin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, nënshkruan një memorandum...

Qazim Berisha, personalitet i shquar në arsim, gazetari dhe përkthime

Profesor, gazetar spiker dhe përkthyes. Të përpiqesh që të rrokësh jetën e një personaliteti si të profesor Qazim Berishës, është përmasat e e vështirë, pasi...

Lajmet e Fundit