22.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

BBC: Diktaturën në Shqipëri nuk e mbajti në këmbë Enver Hoxha

Publikimi në gjuhën angleze i biografisë së gazetarit Blendi Fevziu për diktatorin Enver Hoxha, vazhdon të tërheqë vëmendjen e mediave angleze.

Këtë herë është rrjeti prestigjioz BBC që ka realizuar një intervistë me studiuesin Robert Elsie, editorin e këtij libri.

Ai fillimisht flet për historinë e vizitës së Nënë Terezës në Shqipërinë komuniste.

“Në fund të viteve ’60, regjimi shqiptar nisi një fushatë kundër fesë, veçanërisht ndaj klerit katolik. Regjimi druhej nga kontaktet e tyre me botën perëndimore, shumë priftërinj u arrestuan dhe u vranë.

Nënë Tereza ishte me origjinë shqiptare, e lindur në Shkup.

Për fat të keq regjimi nuk e lejoi të vizitonte nënën para vdekjes, pa asnjë arsye.

Por ajo e vizitoi Shqipërinë më vonë dhe takoi Nexhmije Hoxhën, të shoqen e Enver Hoxhës,” thotë Elsie.

“Dhe e fali Enver Hoxhën dhe vendosi lule tek varri i saj”, shton gazetari britanik.

“Nuk e di për këtë, por është e mundur”, thotë Elsie.

“Enver Hoxha studioi në Francë. Kishte një kulturë fasadë perëndimore, por ishte shumë hakmarrës”, thekson ai.

Gazetari shton se “ai e detyroi Shehun të vrasë veten”.

“Po, kjo ka qenë më spektakolarja e vdekjeve të njerëzve pranë tij. Ai pak a shumë vrau të gjithë, nga bashkëpunëtorët e hershëm në lëvizjen komuniste, historia e Byrosë Politike është e mbushur me vrasje dhe vetëvrasje. Më spektakolarja ishte ajo e Mehmet Shehut, që ishte numri dy i regjimit. Preteksti për rënien e tij ishte fejesa e djalit të tij me një vajzë që nuk kishte, siç thuhet në Shqipëri, një biografi të mirë”.

Megjithatë, pikëpyetja e gazetarit është se përse ky regjim ishte kaq i fortë, kur Enver Hoxha ishte i sëmurë dhe i dobët në vitet e fundit të jetës.

“Nuk ishte Enver Hoxha, ishte aparati i Sigurimit. Mendohej se një e treta punonte dhe bashkëpunonte me Sigurimin. Isha në Shqipëri në atë periudhë dhe askush nuk fliste hapur, por mund të kuptojë se nuk kishte entuziazëm të vërtetë dhe mbështetje për regjimin, por të gjithë ishin të frikësuar, ndryshe nga vendet e tjera ku kishte njëfarë disidencë dhe tolerance. Në Shqipëri nuk kishte disidencë”, thotë Elsie.

Sipas tij, “një nga gabimet e mëdha të Partisë Komuniste ishte kolektivizimi i kafshëve, edhe pulave madje”.

Në fund, gazetari i BBC e pyet se cilat janë leksionet që mund të mësohen nga ky libër.

“Është historia e një pushteti absolut, dhe pushteti absolut sjell korrupsion. Ka regjime të ngjashme në botë sot, si Koreja e Veriut. Nuk e di se si ndodhën gjërat, si ngrihen diktaturat, por ndodhi dhe është një nga shembujt më të këqinj në historinë europiane”,tha gazetari.

Më Shumë

Lajmet e Fundit