Aktivistja shumëvjeçare Flora Brovina nuk po ndihet mirë në mandatin e ri si deputete. Një detyrë solemne e udhëheqjes së seancës konstituive të legjislacionit të ri, që i ka rënë hise për shkak të moshës, po i del sfidë e madhe. Sfidë që, sipas Brovinës, e bëri që të përjetojë edhe ofendime, kërcënime dhe zhgënjim nga kolegë e kolege që i kishte respektuar shumë. Deputetja më e moshuar paralajmëron se e njeh mirë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Kjo njohje e ka kursyer atë nga shkelja në seancën e kaluar. Gjykata Kushtetuese konstatoi se shkeljet i kishin bërë deputetët tjerë.
Për të nuk është me rëndësi se kandidati i cilës parti bëhet kryetar, por kërkon që të ketë marrëveshje. “Për mua nuk është me rendësi cila parti po e merr kryetarin. Në këtë moment jam neutrale. Po duhet të arrihet një marrëveshje në mes të partive shqiptare që marrin pjesë aty. S’ka nevojë me na thanë faktori ndërkombëtar ‘merruni vesh shqip’. Ne duhet vetë të merremi vesh shqip. Nuk është faji i PDK-së se dikush e ka ndarë pogaçen para se të formohet dhe të mbahet kjo mbledhje”, ka thënë Brovina.
Tribuna: A jeni e gatshme për ta drejtuar vazhdimin e seancës konstituive? Brovina: Realisht kur e kam marrë detyrën, e kam ndjerë veten sikurse në kohën e luftës kur duhesh ta udhëheqësh një çështje shumë problematike. Nuk kanë qenë në një linjë Kushtetua, rregullorja e punës dhe rendi i ditës, prandaj unë jam detyruar ta shkel njërën prej tyre. Jam përqendruar që ta shkel rendin e ditës se është më pak e dhimbshme. Këtë para meje, Kushtetutën dhe rregulloren e punës e kishte shkelur kryesia e kaluar kur kishte marrë vendim për pikat të cilat nuk korrespondojnë as me mandatin e kryesisë së kaluar dhe as në rolin tim si kryesuese, që është një rol shumë formal që zgjat më së shumti një orë. Por kush do ta bënte tjetër nëse unë do të tërhiqesha?! Kjo sfidë më ka shtyrë të ballafaqohem me këtë problem që nuk e meritoja. Punën time e njohin të tjerët, por ja që jeta më ka mësuar të mos heq dorë nga sfidat.
Tribuna: Mendoni se palët do të arrijnë në një marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit? Brovina: E rëndësishme është që ta mbajmë rregullin dhe të mos anashkalojmë rregullat në mënyrë që të mos ndodhë diçka jashtë Kushtetutës dhe rregullores. Po lejuam diçka jashtë rregullores dhe Kushtetutës, kjo do të ndodhë gjithnjë. E rëndësishme është sistemi ynë ligjor dhe respektimi i ligjeve në Kosovës. Unë kësaj iu përmbajtja me gjithë ofendimet dhe gjithë sfidat. E pranoj ishte edhe menaxhimi jo i duhur, nuk ishte ashtu siç e kam menduar dhe kam dëshiruar të jetë. Personalisht ndihem fituese sepse Gjykata Kushtetuese u përgjigj që pata të drejtë, dhe natyrisht seanca do të vazhdojë aty ku është ndërprerë. Kjo është përgjigje e madhe për disa në Kuvend. Është përgjigje që duhet të respektohet Kushtetuta. Nëse nuk respektohet Gjykata Kushtetuese, atëherë kë do ta respektojmë në këtë shtetin tonë të ri?! Si do të japim shembull për gjeneratat që do të vijnë?! Si do të veprojmë më tutje?! Them të ftohen gjakrat të logjikohet pak më ndryshe. Unë nuk po ndaj drejtësi, por në Kuvend ulen njerëzit për të biseduar. Kuvend do të thotë të kuvendohet, jo të dilet jashtë e të rebelohet. Përmes bisedës mund ta fitosh edhe betejën, përmes durimit duke dëgjuar edhe palën tjetër, sepse secili e ka të drejtën e vet. Nëse rregullorja dhe Kushtetua kanë lëshime, ato ndërrohen, por ato kanë procedurën e ndërrimit dhe mund t’i ndërrojmë së bashku e jo vetëm. Dikush do të thoshte ‘ti s’je ajo që duhet të japësh mendim se je një spikere’ duke minimizuar rolin e kryesuesit, por njëherësh unë jam deputetja më e vjetër që ka përvojën e katër mandateve. Nuk mund të lejoj shkelje.
Tribuna: A është e gatshme partia juaj për një marrëveshje? Brovina: Unë nuk po flas për patinë sepse në këtë rol jam vetëm kryesuesja e Kuvendit. Për këtë mund t’i pyesni udhëheqësit e partisë. PDK ka treguar fleksibilitet dhe është shprehur e hapur me të gjithë për të komunikuar, që t’i japim një zgjidhje çështjes së ngërçit politik në Kosovës. Është e pakuptueshme që pas zgjedhjeve aq të mira, ndoshta më të mirat në rajon, që për mungesë të komunikimit, të ndodhë kjo që po ndodh. Në fushatë ne kemi folur për programet tona, kemi pas program që është Misioni i Ri e që është shumë shpresëdhënës për gjeneratat e reja, për gratë e dhunuara, për njerëzit e papunë dhe për nxitjen e nivelit ekonomik dhe ngritjes së standardit. Unë i besoj këtij programi sepse edhe vetë jam angazhuar në të.
Tribuna: Çfarë nuk shkoi si duhet më 17 korrik? Brovina: Më 17 korrik atmosfera nuk ishte përgatitur mirë nga kryesia e kaluar. Rendi i ditës për mua ishte provokues sepse kishin futur pikën tre, miratimin e një grupi të ri parlamentar që nuk ishte kompetencë e kryesisë së kaluar dhe as kompetencë e imja si kryesuese. Parlamenti duhet të themelohet, t’i zgjedhë kryetarin dhe organet e veta, pastaj mund të formohet çfarëdo grupi më vonë. Ekzistojnë vetëm koalicione parazgjedhore. Koalicionet paszgjedhore bëhen pas konstituimit të Kuvendit. Këtë e kam lexuar 100 herë në mënyrë që të mos e gaboj. Nuk kam mundur shumë mirë ta menaxhoj situatën, jam dukur si jo e sigurt në kuptimin e një fuqie politike. Mirëpo, po të isha më e rreptë dhe më menaxhuese, kisha frikë te një konflikt verbal që mund të ndodhte, për çka kishin frikë edhe faktori ndërkombëtar. Prandaj butësia ime dhe komunikimi im me durim që kalonte edhe durimin brenda meje, me lutjen që PDK të rrinte e të mos acaronte situatën, për çka i falënderoj që nuk reaguan asnjëherë, arrita në qetësimin e situatës. Por pati rebelim të palëve tjera kundërshtuese, sidomos i kolegëve të mia deputete. Një sjellje e tyre ndaj meje si më e vjetra grua parlamentare, me një histori që nuk është më e imja por e Kosovës. Nuk e kam pritur këtë veprim prej tyre. Aq më tepër që kemi punuar shumë afër që kanë qenë deputete për mua të respektuara. Kjo më ka dëshpëruar. Ky insistim më ka dëshpëruar.
Tribuna: A e ndjetë presionin më 17 korrik? Brovina: Presionin e ndjeva pikërisht nga to. Vendosën të më shkarkojnë. Nuk po them që jam heroinë, nuk thashë, kam lënë një emër në historinë e Kosovës dhe të më shkarkosh me gjithë ato vota se nuk po të pëlqen menaxhimi im, mbledhje të cilin kisha me e udhëheqë për tri orë. Le të mbetet në nderin e atyre që e bënë, dhe ja u tregua që nuk ishte në rregull.
Tribuna: A do ta ndërprisni seancën nëse kandidati i PDK-së nuk arrin të bëhet kryeparlamentar? Brovina: Të kuptohemi. Për mua nuk është më rendësi cila parti po e merr kryetarin. Në këtë moment jam neutrale. Po duhet të arrihet një marrëveshje në mes të partive shqiptare që marrin pjesë aty. S’ka nevojë me na thënë faktori ndërkombëtar ‘merruni vesh shqip’. Ne duhet vetë të merremi vesh shqip. Nuk është faji i PDK-së se dikush e ka ndarë pogaçen para se të formohet dhe të mbahet kjo mbledhje. Në këtë moment, kishte me qenë shumë në rregull që lideri i cili pretendon ta marrë këtë post, pikërisht lideri i Lidhjes Demokratike, të dilte dhe të tregohej fer, këtu kemi gabuar. Nuk jam partia e parë dhe me rregullore nuk më takon dhe prandaj tërhiqem. Kjo kishte me tregu madhështinë e personit në fjalë, dhe jo me çdo insistim ta marrë se ta marrë postin. Në këtë rast po flas si Flora Brovina e jo si anëtare e kryesisë së PDK-së