21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Çmimi i energjisë elektrike, pritet të rritet

Çmimi i energjisë elektrike në Kosovë, pritet të rritet për më shumë se 30 për qind nga muaji prill i vitit të ardhshëm.

Këtë e ka paralajmëruar Kompania kosovare për Distribuuim të Energjisë Elektrike, duke thënë se kriza energjetike në Evropë ka prekur direkt edhe Kosovën.

Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë thonë se institucionet e Kosovës duhet të hartojnë një plan të shpejtë për bizneset dhe ekonomitë familjare.

Pas paralajmërimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë, ka pasur reagime të shumta nga qytetarët dhe bizneset. Qytetarët e Kosovës, aktualisht paguajnë çmimin me të ulët në rajon për energjinë e shpenzuar elektrike, ku për një kilovat në orë paguajnë rreth 6 centë. Por ata thonë se për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, përkatësisht pagave të ulëta nuk do të mundë ta përballojnë rritjen e çmimeve.

Kompanitë kosovare për Distribuuim të Energjisë Elektrike KEDS dhe KESKO, ditë më parë kanë kërkuar ndihmë nga të gjithë për t’u përballur me krizën energjetike. Ato kanë theksuar se kriza energjetike ka prekur edhe Kosovën, derisa shtojnë se tregu energjetik evropian, pjesë e të cilit është edhe Kosova, po përballet me çmime deri në pesëfish më të shtrenjta në raport me vitin e kaluar.

“Rritja do të jetë e domosdoshme, mbi 30 për qind, në bazë të gjendjes së tanishme”, kanë thënë zyrtarë të KEDS-it, derisa është theksuar se kjo rritje do të fillojë nga muaji prill i vitit të ardhshëm.

Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë, thonë se duhet një plan i shpejtë për bizneset dhe ekonomitë familjare.

Eksperti Safet Gërxhaliu, tha për Radio Kosovën se goditjen më të madhe nga ngritja e çmimit të energjisë do ta kenë qytetarët dhe sektori privat.

Gërxhaliu tha se duhet të punohet në gjetjen e një modaliteti që të shtohen kapacitetet prodhuese në Kosovë.

Edhe Oda Ekonomike e Kosovës ka rekomanduar që Qeveria duhet të përdorë instrumente fiskale dhe financiare që të amortizohet rritja e pashmangshme e çmimeve.

“Në fokus të përkrahjes duhet të jenë kategoritë sociale, bizneset mikro dhe të vogla dhe bizneset prodhuese”, ka theksuar Oda Ekonomike.

Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës, shkalla e papunësisë në vend është 25 për qind. Rreth 26 mijë familje në Kosovë janë të varura nga asistenca sociale, që arrin shumën prej 60 deri në 180 euro në muaj.
Për të menaxhuar situatën e krijuar nga kriza energjetike, Qeveria e Kosovës ka krijuar një grup punues, që, sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, do të ketë rol informativ dhe këshillëdhënës.

Më Shumë

Sot moti me vranësira dhe intervale me diell

Për sot parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa gjatë orëve të para të 24-orëshit pritet të ketë reshje shiu,...

35 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 dhe u suprimua autonomia e Kosovës në ish-Federatën jugosllave, duke...

Lajmet e Fundit